“Çamët të largohen prej andej”- Dëshmia e rrallë e profesorit: Plazhi i Durrësit ishte i shkretë dhe kishte pamjen e kohës së Monarkisë, por kreu i Komitetit të Partisë, dha urdhër që…

Sep 29, 2024 | 7:28
SHPËRNDAJE

plazhi durres

Nga Gëzim Kabashi

-Historia e panjohur e komunitetit çam, në plazhin e Durrësit-

Plazhi i Durrësit po mbush një shekull jetë, që atëherë kur u ndërtuan vilat e para të tregtarëve në bregdet. Ndërkaq, 500 metra më tej, në anën tjetër të rrugës automobilistike drejt Kavajës, në fund të Luftës së Dytë Botërore, u vendosën çamët e dëbuar nga trojet e tyre në Greqinë e Veriut. Sot e kësaj dite ata mbeten dëshmitarët e drejtpërdrejtë të zhvillimit të plazhit më të madh të vendit, dhe në të njëjtën kohë, edhe përfaqësues të mbijetesës së komunitetit të çamëve, që edhe sot vazhdon të banojë vetëm pak kilometra larg qytetit të lashtë.

 “Unë kam qenë 12 vjeç, kur familja ime u vendos në këtë territor, një ranishte dunash, ku mbizotëronte bimësia e gjineshtrave – tregon Prof. Hajredin Isufi, i cili sapo ka festuar 91-vjetorin e lindjes.

“Ishte viti 1944, dhe një pjesë e familjes time, pas gjenocidit grek u shpërngul nga Çamëria drejt Sarandës, me barkat e himarjotëve, ndërsa babai me disa bagëti, mbërriti nga malet mes një mijë vështirësish”, kujtoi ai.

Në tregimin e Prof. Hajredinit, bëjnë pjesë kujtimet e hidhura kur nëna nuk kishte bukë t’i ushqente, apo kur prindit ngjiteshin në pyllin mbi Shkëmbin e Kavajës, për të prerë dru, me të cilat fitoheshin pak lekë më shumë.

Sipas tij, ende pa një status si banorë të Shqipërisë, çamët u kujdesën që të instaloheshin në zonat bregdetare, në Vlorë, në Fier apo në Durrës, ku mendonin se jetesa e tyre e re, do të ishte më e lehtë.

Plazhi i Durrësit ishte krejt i shkretë dhe rreth 100 familje çame, fillimisht zunë vend në vilat e braktisura të bregdetit, të ndërtuara në kohën e Monarkisë.

“Shteti nuk na pengoi, pasi ne ende konsideroheshim refugjatë për shkak të marrëdhënieve plot të papritura, mes Shqipërisë dhe Greqisë. Shifra e deklaruar e të dëbuarve nga Çamëria, arrinte në 23-25 mijë vetë, por ajo asnjëherë nuk u zyrtarizua – tha studiuesi 91-vjeçar.

“Ne u quajtëm shqiptarë, vetëm në vitin 1953, kur shteti na pajisi me pasaporta” – sjell në mendje Hajredin Isufi. Në kushtet e persekutimit të vazhduar dhe të heshtur të shtetit, Çamët e plazhit u lidhën fort me njëri tjetrin.

“Nëna dhe babai im janë takuar rastësisht në spital, për shkak të një aksidenti. Brenda 24 orësh gjyshërit e mi, vendosën t’i martojnë të rinjtë, më shumë për arsye mbijetese, se sa për lumturi familjare” – tregon Hysen Hyseni, 75-vjeç.

“Disa vjet më vonë, babai im u dënua me 8 vjet burg, për tentativë arratisjeje, dhe jeta jonë u vështirësua edhe më tej” – kujtoi ai.

Edhe tani Ceni, siç e thërrasin të gjithë fqinjët, banon atje ku u lind, në stabilimentin “Hekurudha”, në qendër të plazhit me gjatësi 3.4 km.

Plazhi i Durrësit ishte i shkretë dhe kishte të njëjtën pamje me atë të kohës së Monarkisë, kur drejtuesi i Partisë në rrethin e Durrësit dha urdhër që çamët të largoheshin prej andej, sepse prishnin pamjen e zonës.

Ishte mesi i viteve ’60-të dhe çamët edhe sot e konsiderojnë si “dëbimin persekutues të radhës”, largimin pa asnjë mbështetje, ku secila familje duhet t’ia dilte vetë, duke filluar nga banesa, deri te puna.

“Të gjithë banorët që ndodheshin pranë rrugës Durrës-Kavajë, u bartën drejt lagjes së Spitallës, një territor me pyll të dëndur dhe ku mbizotëronin mushkonjat e kënetës” – dëshmon Hajredin Isufi.

Në të njejtën kohë, në fillim të viteve 1970, pushteti u kujtua për sistemimin e plazhit. Vilat e shtetëzuara që u ndërtuan gjatë paraluftës, u vunë në dispozicion të familjeve të partiakëve dhe pushtetarëve të lartë, si dhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë, të partive komuniste.

U ndërtuan radhët e para me kabina kompensate, apo blloqesh betoni, të cilave më vonë iu shtuan edhe çadrat prej mushamaje, ku familjet e zakonshme pushonin në 12 ditët e lejes së zakonshme.

Barakat ku banonin çamët e plazhit, nuk i përgjigjeshin kërkesave për një plazh të përparuar, dhe kjo përbënte një arsye të mjaftueshme, për t’i përcjellë në zonën e pabanuar në veri të qytetit.

Të tjerat, që ndodheshin larg plazhit dhe pas shinave hekurudhore, i shpëtuan nga dëbimi familjet e pakta çame, që vazhduan të jetojnë po aty. Ata përpiqen të përfitojnë nga kërkesat e shumta të familjeve nga qytete të ndryshme të vendit, të cilat nuk gjejnë vend për të pushuar në kabinat e shtetit.

Çamët fillojnë të japin me qira dhoma në stinën e verës, pasi arrijnë të marrin leje, në Këshillin Popullor të lagjes, dhe në instanca të tjera. Ndërkaq banorët e dëbuar çamë të Spitallës, përpiqen të rikthehen në vendin nga ku i përzunë.

Pasi kishin bërë të gjitha punët e mundimshme në ndërtim apo ngarkim-shkarkim, ata e quajtën një zgjidhje shumë të mira, trajtimin e shtëpive si apartamente turistike. Dhomat me qira ishin një e ardhur e mirë, dhe pa shumë lodhje.

Familjarët nga i gjithë vendi që kërkonin zgjidhje për pushimet e verës, filluan t’i drejtoheshin zonës me “dhoma të çamëve”.

Prof. Hajredini , i cili ishte diplomuar në degën e Histori-Gjeografi, fton në atë kohë për pushime në shtëpinë e tij, njerëzit më të shquar të instituteve të Historisë, Gjuhësisë, të Arkivës së Shtetit, e kështu me radhë.

Në këmbim të mirënjohjes, për dy javët e pushimit në plazh, ai vetë fiton të drejtën e njohjes me dokumenta arkivore të plota për Durrësin dhe Çamërinë. Profesori i nderuar është autor i një duzinë librash për vendlindjen e tij, fshatin Rrëzanj të Çamërisë dhe për figura të shquara të lëvizjes kombëtare.

“Tani çamët i gjen në të gjithë botën – tha Prof. Hajredini. “Ata që kanë mbetur këtu në plazh, kujdesen për banesat që japin me qira në stinën e verës, por jo vetëm të tyret, edhe ato të vëllezërve e motrave, që kanë zgjedhur të jetojnë e të punojnë në pjesën tjetër të botës” – përfundoi ai. Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura