Caktohet gjyqtari për Armando Kasajn

May 9, 2012 | 15:32
Armando Kasaj, ish-specialisti i IT në Kryeministri

TIRANE – Gjykata e Tiranës përzgjodhi dje gjyqtarin Gerd Hoxha si togën e zezë që do të gjykojë të pandehurin Armando Kasaj. Dosja në ngarkim të Kasajt, ish-specialistit të IT-së, i akuzuar për fshirjen e pamjeve filmike të 21 janarit nga serveri i Kryeministrisë, u rihodh në short. Shkak për këtë u bë dorëheqja e gjyqtarit Ibrahim Hoxha, i zgjedhur pak ditë më parë për shqyrtimin e dosjes. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të Gjykatës. Sipas tyre, shorti elektronik përzgjodhi gjyqtarin Gerd Hoxha për këtë dosje. Mësohet se ende nuk është përcaktuar data e nisjes së këtij procesi në Gjykatën e Tiranës. Në këtë gjykatë, i pandehuri Kasaj pret të përballet me akuzën e “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Sipas organit të akuzës, Kasaj ka fshirë pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë të godinës së Kryeministrisë të demonstratës së 21 janarit 2011. “Ka qenë pikërisht Armando Kasaj që në orën 00:51:52 ka bërë formatimin e sistemit duke fshirë gjithë pamjet filmike të të gjitha kamerave që kanë qenë funksionale më datë 21.01.2011. Vepra penale e kryer nga i pandehuri për vetë makinizmin e veprës penale, për ngjarjen e ndodhur, impaktin në shoqëri, faktin që në ngjarjet e datës 21.01.2011 kanë humbur jetën 4 shtetas dhe janë qëlluar me mjete të ndryshme forcat e Policisë, tregon për rrezikshmëri të madhe shoqërore të vetë veprës penale dhe të autorit të saj”, thuhej në kërkesën për gjykim ndaj tij. Dosja në ngarkim të Kasajt u dërgua e veçuar nga tre të bashkëpandehurit e tij: Ndrea Prendi, Agim Llupo dhe Margarit Kume.       ar.ba

Ndrea Prendi, gjyqi nis më 23 maj
TIRANE – Në orën 11:00 të datës 23 maj 2011, Ndrea Prendi, ish-kreu i Gardës, i pandehur në dosjen “21 janari”, pritet të përballet me akuzën e “vrasjes” në Gjykatën e Tiranës. Gjyqtari Besnik Hoxha ka përzgjedhur këtë datë për fillimin e procesit gjyqësor në ngarkim të Prendit dhe dy të bashkëpandehurve, Agim Llupo dhe Margarit Kume. Akuza zyrtare e Prokurorisë për Ndrea Prendin është ajo e “vrasjes me dashje të kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, me pasojë vdekjen e shtetasit Faik Myrtaj, si dhe plagosjen e disa shtetasve të tjerë. I pandehuri Agim Llupo do t’u përgjigjet akuzave për “vrasje me dashje të kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer kundër dy ose më shumë personave”, me pasojë vdekjen e shtetasve Hekuran Deda e Ziver Veizaj, si dhe plagosjen e tre të tjerëve.

© Panorama.al

Te lidhura