Kolla dhe bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes luajnë një faktor pengues për gjumin por edhe për aktivitetet e përditshme.
Mjekët bien dakord që lëngjet e ngrohta janë tepër të mira për të kaluar këtë fazë bllokimesh sa më lehtë që të jetë e mundur.
Disa nga bimët dhe ushqimet më të mira kundër kollës e për pastrimin e rrugëve të frymëmarrjes janë: xhenxhefili, trumza apo timusi, mjalti, rigoni, sherebela, limoni dhe hudhra.
Trumza apo timusi në veçanti është përdorur prej shekujsh për të kuruar çrregullimet dhe sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes.
Sipas të dhënave, ajo lufton kollën, të ftohurën dhe është efikase kundër bronshitit.
Xhenxhefili nga ana tjetër ndihmon në shërimin e shpejtë të fytit dhe shkatërron virozat që shkaktojnë të ftohurën.
Mjalti mund të përdoret për të zbutur fytin dhe kundër kollës.
Ai rekomandohet të shoqërojë çajrat bimorë në këtë stinë në vend të sheqerit i cili nxit inflamacionin në trup.
Në këtë artikull do të mësoni se si të shfrytëzoni mirësinë e trumzës dhe si ta kombinoni atë me mjaltë dhe xhenxhefil për t’u shëruar sa më parë.
Çaj Me Trumzë, Xhenxhefil, Mjaltë Dhe Limon
Ju nevojiten:
- 2 gota me ujë (500 ml)
- disa degëza trumze ose dy lugë çaji me trumzë të thatë. Trumzën e gjeni në dyqanet e erëzave.
- Një copë e vogël xhenxhefili 1-2 cm (i grirë hollë, me ose pa lëkurë)
- 2 feta limoni
- Mjaltë
Përgatitja:
Hidheni ujin në një çajnik dhe vendoseni në zjarr.
Më pas merrni grimcat e vogla të xhenxhefilit dhe hidhini në ujë.
Lërini të ziejnë për 10 minuta.
Nëse ju pëlqen aroma e fortë e xhenxhefilit ju mund ta lini atë të ziejë për më gjatë.
Pasi e hiqni nga zjarri hidhni 2 feta limon dhe disa degëza të trumzës.
Prisni 5 minuta, kullojeni çajin dhe hidheni lëngun e ngrohtë në filxhanët e çajit.
Në fund, ëmbëlsojeni atë me mjaltë.
Këtë çaj mund ta pini 2 ose 3 herë në ditë kundër kollës dhe hundëve të bllokuara./AgroWeb.org