Çahet bora drejt komunave, banorët: Duam rrugët e hapura

Feb 22, 2012 | 12:30

Ndihmat në fshatin Ujmisht në Kukës

KUKES/ “Më mirë se të zihemi për ndihmat”

Pas angazhimit të strukturave të eme-rgjencave civile, rrugët e komunave të rrethit të Kukësit po pastrohen nga dëbora, duke bërë që komuniteti atje më në fund të marrë frymë lirisht. Udhëtuam në Bushtricë dhe disa zona të afërta në aksin e rrugës Kukës-Peshkopi dhe vërejtëm padurimin e njerëzve për të udhëtuar, për të përmbushur nevojat e munguara prej shumë kohësh për ushqime dhe gjithçka tjetër. Bushtrica ndodhet 35 km larg Kukësit, ndërsa 12 km më tej ndodhet komuna ende e izoluar, Kalisi. Hapja e rrugës u ka dhënë mundësi njerëzve të udhëtojnë drejt Kukësit me furgonë të linjës për furnizim me ushqime e medikamente, si dhe sigurimin e ushqimit për blegtorinë, që është një sektor i cili ka përjetuar mjaft vështirësi.
Blegtoria dhe mbijetesa nën dëborë
Bushtrica njihet si zonë kryesisht blegtorale dhe, gjatë ditëve të panumërta të izolimit nga dëbora, shumë pak vëmendje i është kushtuar këtij sektori. Me të drejtë është folur vetëm për ushqimin e njerëzve, për medikamente dhe për emergjenca shëndetësore. Por të lësh në falimentim blegtorinë, do të thotë t’u ndërpresësh të ardhmen në atë vend atyre banorëve. Sabriu nga fshati Gjegje që ndodhet rreth 800 m mbi nivelin e detit, tregon se familja e tij prej 10 personash mbarështon një tufe dele dhe dy lopë. Asnjë të ardhur tjetër nuk ka, asnjë të punësuar në shtet, firmë apo në komunë, gjithçka buron nga ajo që siguron nga delet. Por është rrezikuar nga dimri dhe me shumë përpjekje përpiqet të

Banorët duke transportuar ushqimet me kuaj

sigurojë mbijetesën e tufës. Stuhitë e dëborës kanë shpartalluar çatinë e shtëpisë dhe ka gjetur strehë tek të afërmit. “Dëbora e madhe ka shembur në një natë edhe çatinë e stallës ku mbarështoj 50 krerë dele e dy lopë, si dhe çatinë e shtëpisë dhe kemi mbetur në pikë të hallit”, thotë ai, duke treguar si një sekret interesant se për strehimin e familjes nuk kishte qenë një problem, por për dhentë ishte shumë vështirë. “Ne si familje na dhanë strehë kushërinjtë, por për bagëtitë askush nuk na bënte vend, nuk kemi, na thoshin, bëni ç’të doni, nuk as ushqim”, tregon Sabriu, duke shtuar se është lehtësuar shumë puna me hapjen e rrugës. “Të paktën shkojmë e blejmë bar të thatë në Kosovë”, tha.
Dy kafe në Bushtricë
Në qendrën e komunës së Bushtricës ndodhen të paktën dy kafe të frekuentuara që rrinë shumë orë të ditës hapur, si dhe nja dy-tri dyqane ushqimore. Të dyja kafet aty përfaqësojnë dy bindjet që mbërthejnë zakonisht zonat periferike, ku ndryshim nga ajo që mund të hamendësohet si majtas dhe djathtas, aty të dyja polet janë të djathta. Një kafe është e demokratëve e tjetra e legalistëve, që kanë fituar për herë të dytë komunën. Kërkesat janë të njëjta. Mbështesni komunën në përpjekjet për rrugët dhe, nëse tepron ndonjë gjë nga emergjencat, hidhni ndonjë gjë edhe këtej, por pa lista. Në një nga kafet lavdërohet kryetari i komunës, që sipas tyre ka kontribuar që rreth 1000 familje të dalin nga izolimi. Në kafen tjetër lavdërohet qeveria për emergjencat që po organizon. Një nga fundi i lokalit lavdëron edhe kritikat e opozitës, por dikush ia pret: ti mos përhap panik sepse ne, edhe po të rrënohemi në themel nuk ankohemi, nuk tregohemi të dobët, ne zonë malore jemi. “Dhe në fund të fundit, ne duam vetëm të hapen rrugët, të tjerat na i lini neve”, tha një banor i ulur në mesin e 5-6 të rinjve. Në të dyja kafet gjen dikë që thotë pak a shumë, “Shyqyr që janë këto kafet këtu, sepse, mendoje pak, me javë të tëra pa rënë në Kukës, do të çmendeshim në shtëpi”.
“Ndihmat më shumë ngatërrojnë”
Nga kontingjenti i ndihmave qeveritare që ndodhen te magazinat e Kukësit, një sasi e caktuar është dërguar në qendrën e komunës Ujmisht, ku siç vumë re, duke qenë se këto paketa ushqimore nuk janë për të gjithë, pra nuk mjaftojnë për krejt katundin, ato krijojnë sherr. Në rrugët e sapohapura të qendrës së komunës kishte më shumë njerëz sesa pako makaronash apo orizi. Dikush bërtet se ndihmat janë hapur dhe se ka firo në raport me atë që është raportuar. Një fshatar tjetër shan ndër dhëmbë, duke thënë se i takojnë ndihma dhe atij. “Si qenka lodhë gjithë ai helikopter me dhjetë paketa të vogla, qenka këputë fare”, tha një fshatar tjetër. Ndërsa një furgon privat sapo ka mbërritur nga tregu i qytetit dhe ka sjellë aty plot ushqime dhe kripë, letra higjienike, vaj dhe miell me shumicë. Hajredini, 35-vjeçar, duke ngarkuar kalin së bashku të birin, thotë se po bën një ngarkesë për 4 familje. “Jemi bërë bashkë 4 familje dhe kemi blerë mallin në Kukës, deri këtu e kemi sjellë e furgon e tani po e ngarkoj në kalë për ta dërguar te lagjja ku banojmë”, thotë ai, pa harruar të shtojë se shteti nuk i ka dhënë asnjë ndihmë.

Olli: Mbeten dhe nëntë komuna të bllokuara
Drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli, deklaroi dje se vetëm 9 komuna kanë mbetur të bllokuara prej borës dhe po punohet duke shfrytëzuar dhe kohën e mirë. Gjatë ditës së djeshme, nga këto zona janë shënuar dy raste emergjencash shëndetësore, të cilat janë transportuar me helikopter. Një 38-vjeçare me probleme me zemrën u mor në zonën e Qafës së Bordolecit drejt Shkodrës, ndërsa tjetri, një fëmijë nga një fshat i Kukësit.

Me traktor, për të çarë rrugën drejt Dukagjinit
SHKODER – Brenda dy ditësh pritet të zhbllokohet komuna e Pultit në zonën e Dukagjinit. Hapja e këtij aksi rrugor ndez dritën jeshile për hapjen e të gjitha komunave njëra pas tjetrës të zonës së Dukagjinit, të cilat janë akoma të bllokuara. Një fakt i tillë është pohuar nga vetë drejtori i rrugëve Rurale të qarkut Shkodër, Gjovalin Kodra. Aksi rrugor Prekal-Kir në drejtim të Dukagjinit, që bën të mundur lidhjen e kësaj zone me Shkodrën, është duke u hapur nga ana e ndërmarrjes së rrugëve rurale. Drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Gjovalin Kodra, shprehet se pas dy ditësh do hapet rruga për qarkullimin e mjeteve deri në fshatin Kir, duke bërë të mundur zhbllokimin e komunës Pult të Dukagjinit. “Deri dy ditë më parë, në këtë aks rrugor po punonin dy fadroma për hapjen e rrugës, por tani në këtë pikë është dashur zëvendësimi i tyre me një mjet me zinxhir (traktorët e dikurshëm) për zhbllokimin e rrugës”, shprehet Kodra. Sipas tij, nisur nga ritmi i punës, por edhe të favorizuar nga kushtet e motit, shumë shpejt do të arrihet të zhbllokohet aksi rrugor që lidh komunën e Pultit me pjesën tjetër të qarkut, nga ku më pas do të bëhet i mundur edhe zhbllokimi i komunave të tjera malore të zonës së Dukagjinit. Krahas trashësisë së dëborës dhe shtresave të akullit, problem në këtë aks janë bërë edhe rrëshqitjet e dherave e të gurëve të mëdhenj, të cilët bllokojnë rrugën dhe e bëjnë të vështirë hapjen e saj. Vetëm gjatë paradites së djeshme, mjeti ka punuar për rreth 30 minuta për të bërë të mundur spostimin e një shkëmbi, i cili kishte bllokuar rrugën Prekal-Kir, në vendin e quajtur “Karma e Kirit”. r.d

Ostren, një familje pa komunikim
Prej tri javësh, tre pjesëtarë të një familjeje nga Ostreni i vogël i rrethit Bulqizë kanë humbur çdo kontakt me njerëzit e tyre të afërm. Burime pranë komunës me të njëjtin emër thanë se burrë e grua dhe një fëmijë i tyre ishin strehuar para borës bashkë me bagëtitë e tyre në godinën e një ish-reparti ushtarak. Dje, vëllai i Dervish Muçës, Ramzi Muça, ka kërkuar ndihmën e strukturave të shtetit për të mundësuar komunikimin me njerëzit e tij të afërm. “Atje me këmbë nuk shkohet. Komunikimi telefonik është ndërprerë, sepse ka mbaruar bateria e telefonit prej javësh. Hapja e rrugës aktualisht kërkon shumë punë. Ata ndodhen majë malit, në Klenjë. Bora atje duhet të jetë mbi tre metra. Nuk kemi asnjë të dhënë nëse kanë ushqime, pasi mungon komunikimi telefonik”, tha i shqetësuar Remzi Muça. Nga ana e tij drejtori i Policisë së Qarkut Dibër, Shemsi Prençi, tha se kishte dijeni për rastin e izolimit at e bir në mal nga Fushë-Bulqiza dhe se ata janë gjallë, ndërkohë nënvizoi se për rastin e Ostrenit nuk ka marrë informacion nga kryetari i komunës dhe shtabi i emergjencave civile të prefekturës. h.p

E moshuara: Shteti të na gjejë punë
Në rrugën e kthimit nga Bushtrica shohim Havanë që pastron dëborën në rrugicën e shtëpisë. Ndalojmë dhe flasim më të. Ajo është rreth 70 vjeçe dhe duket mjaft krenare për të diskutuar për punë ndihmash. “Kam parë disa herë këtejpari helikopterin që lëshon pako ushqimore në dëborë, por mua nuk më duket normale. Ti si shtet më ndihmo të hapim rrugën, se nuk na bëjnë derman dy-tri litra vaj që m’i hedh në dëborë sa për të dalë në televizor, ti si shtet vetëm hap rrugën se këtë unë nuk mundem ta hap vetëm”, thotë Hava, duke shtuar se po t’i referohemi shtetit, ajo do kishte dashur një vend pune për të birin, pasi njëri nga dy djemtë, të dy të martuar dhe me shumë fëmijë, ishte i papunë.

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

© Panorama.al

Te lidhura