Çahen tubacionet, Durrësi një ditë pa ujë të pijshëm

Jul 20, 2012 | 14:20
Zona ku ndodhi shpërthimi i tubacionit

Dy defekte të njëpasnjëshme në linjën kryesore të furnizimit me ujë të pijshëm kanë lënë në etje 210 mijë banorë të qytetit të Durrësit. Jo vetëm banorët e Durrësit, Shijakut dhe zonat përreth tyre, por dhe pushuesit deri në Shkëmbin e Kavajës, kanë qenë gjatë gjithë ditës së djeshme pa asnjë pikë uji në çezmat e tyre. Sipas Drejtorisë së Ujësjellësit, defekti i parë ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të së enjtes, në vendin e quajtur “Ura e Dajlanit”, në hyrje të qytetit, ku tubacioni që furnizon depot kryesore ka pësuar një të çarë disa centimetra. Ndërkohë, sapo është riparuar defekti i parë, që ka zgjatur më shumë se 5 orë, Drejtoria e Ujësjellësit ka marrë sinjal nga banorët e zonës së njohur si “Mulliri i Bullgarit” (zonë periferike që shtrihet mes qytetit të Durrësit dhe atij të Shijakut), se pranë banesave të tyre është çarë tubi kryesor me diametër 700 mm që furnizon qytetin e Durrësit me ujë nga ujësjellësi i Fushë-Kuqes. Nga teknikët e ujësjellësit mësohet se shkak për këto dy defekte është bërë amortizimi i rrjetit, i cili është shumë i vjetër dhe prej një kohe të gjatë nuk është vënë dorë në të. Për rreth 12-13 orë, brigada e avarive, nën drejtimin e drejtorit të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës, Dokleat Ademi dhe kryeinxhinierit Franc Stajka, kanë bërë ndërprerjen e ujit dhe më në fund kanë riparuar pjesët e dëmtuara të tubacionit kryesor duke kthyer gjithçka në normalitet përsa u përket defekteve. Sipas drejtuesve të Ujësjellësit, furnizimi i qytetit me ujë të pijshëm është bërë në orët e pasdites, kryesisht në orët e vona të mbrëmjes. Kjo avari është e treta brenda tri ditësh në këtë rrjet, pasi tri ditë më parë ka pasur një çarje në Lagjen Nr. 14 të Shkozetit. Ky ujësjellës është aktualisht i vjetruar, i përket viteve ‘70 të shekullit të kaluar si ndërtim dhe është i gjatë 42 km. Sakaq, defekti që ka ndodhur te “Mulliri i Bullgarit” ka përmbytur dhe dëmtuar, si pasojë e punimeve, një zonë relativisht të madhe, pjesë-pjesë me të mbjella.

Problemi i furnizimit me ujë
Disa lagje të qytetit bregdetar prej kohësh vuajnë problemin e furnizimit me ujë të pijshëm. Bëhet fjalë për lagjet 8, 15, 17, të cilat vuajnë në këto temperatura përvëluese mungesën e ujit të pijshëm, por këtyre u bashkohen edhe disa zona periferike të qytetit, siç është Arapaj, por dhe Xhafzotaj.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura