Një bust në Himarë për Aristotel Gumën, 35-vjeçarin që vdiq vitin e kaluar në një aksident rrugor, por që u interpretua nga qarqet nacionaliste helene si vrasje e qëllimshme, “vetëm pse foli greqisht”.
Ky është propozimi më i ri i shoqatës OMONIA, por njëkohësisht edhe tentativa më e re e saj për t’i dhënë ngjyra ekstremiste ngjarjes aksidentale. Duke përdorur vdekjen e këtij të riu, kjo shoqatë që përfaqëson interesat e minoritetit grek në Shqipëri dhe që njihet për krijimin e incidenteve nacionaliste, ka kërkuar që Aristotel Guma të lartësohet në qendër të qytetit të Himarës si “hero minoritar”. Si për t’i dhënë të gjitha atributet prej legjendari, mësohet se busti për të ndjerin është porositur në Greqi, me material special e shumë i madh dhe të dielën do të jetë në Himarë gati për t’u lartësuar. Pikërisht lartësimi i tij duket se do të jetë pak problem. Edhe pse shoqata “OMONIA” me kryetarin e saj, ish-kryebashkiakun Vasil Bollanon, ka dërguar një kërkesë në Bashkinë e Himarës, Këshilli Bashkiak nuk e ka miratuar atë. E refuzuar, shoqata ka vendosur gjithsesi ta vendosë diku atë bust. Sipas informacioneve të orëve të vona pranë kësaj shoqate, mësohet se do të bëhet një zhvendosje nga qendra. Një spostim i kundraligjshëm gjithsesi, sa kohë që refuzohet nga Këshilli Bashkiak, por që, nëse realizohet, do të kishte një pozicion edhe më të mirë se sa brenda qytetit. “Heroi” pritet që të shpërngulet aty ku ndodhi aksidenti, në Fshat-Himarë, që korrespondon me rrugën nacionale, aty ku askush nuk mundet të kalojë pa e parë. Për të vendosur bustin e Gumës, pritet që të vijnë personazhe të njohur nga politika dhe kisha greke. Ndër to, sipas burimeve tona të informacionit pranë shoqatës OMONIA, mësohet se do të jetë edhe ish-deputeti Harallamb Karathano, i cili duket se e ka për zemër Himarën. Sidomos kur është fjala për të krijuar tension… Siç ndodhi në vitin 2003, kur ai ishte deputet dhe prania e tij në Himarë solli shumë rrëmuja. Apo këtë vit, kur në zgjedhjet lokale të 8 majit u pa duke lëvizur i shoqëruar me një eskortë prej 6 personash, me trupa të fuqishëm, si dhe në kafenetë përballë zyrës së OMONIA-s me kreun e kësaj shoqate, ish-kryebashkiakun Vasil Bollanon. Është i njëjti politikan ultranacionalist grek i shquar për pozicionin e tij antishqiptar dhe në mbrojtje të çështjes së ashtuquajtur vorio-epiriote. Si i tillë, ardhja e Karathanos në ceremoninë e vendosjes së bustit të Gumës në Himarë, që përkon me 1-vjetorin e vdekjes aksidentale të tij, por që u interpretua si “vrasje ekstremiste e nacionalistëve shqiptarë”, nuk duket edhe aq rastësore. Sidomos në këto ditë kur po zien edhe zhurma e madhe për regjistrimin e popullsisë, mbi bazë kombësie dhe etnie. Një regjistrim që është kërkuar me shumë këmbëngulje prej vitesh nga qarqet ultranacionaliste greke në Shqipëri dhe sidomos nga kryetari i shoqatës OMONIA, Vasil Bollano.
***
Goro: Nuk do lejoj shkeljen e ligjit
Nuk i ka shkuar asnjë kërkesë nga shoqata “OMONIA” për vendosjen e bustit të Aristotel Gumës në qendër të qytetit të Himarës, por praktikisht duket se është në dijeni të kësaj nisme.
I pyetur rreth çështjes në fjalë, kryebashkiaku i Himarës, socialisti Gjergji Goro, shmang përgjegjësitë për vendosjen ose jo të bustit nga kjo shoqatë, por, gjithashtu shmang edhe opinionin e tij, sa kohë që Këshilli Bashkiak nuk i ka dërguar një shkresë zyrtare. “Unë mund të jap mendimin tim për çdo vendimmarrje të Këshillit Bashkiak”, thotë ai për gazetën “Panorama”. Duke theksuar se nuk duhet të shkelet asnjëherë ligji dhe procedura, Goro “me të butë” jep një deklaratë që duket se e rreshton atë në krahun kundër vendosjes së bustit. “Familja Guma kam besim se nuk do të lejojë nga ana e saj askënd që të ndërmarrë veprime që bien ndesh me ligjin, rregullin dhe moralin qytetar”, shprehet ai, edhe pse deri në fund nuk pranon që të thotë prerazi nëse është “pro” apo “kundër” këtij veprimi. Sipas tij, vetëm nëse do të ketë një vendim të Këshillit Bashkiak, atëherë do të mund të japë një opinion të tij rreth kësaj çështjeje. Megjithatë, kryebashkiaku Goro duket se ka një mungesë informacioni, të paktën sa i përket kërkesës zyrtare të shoqatës OMONIA. Anëtarë të Këshillit Bashkiak të Himarës të pyetur nga gazeta “Panorama”, kanë pranuar se u ka shkuar kjo kërkesë, edhe pse nuk është marrë aspak parasysh. Madje, sipas tyre, as nuk është lexuar fare dhe nuk është marrë në konsideratë, duke e mënjanuar atë. Duke iu referuar këtyre deklarimeve, zyrtarisht në zyrën e Goros nuk është dërguar ndonjë shkresë, por gjithsesi ai është vënë në dijeni. Gjithsesi, nga mbrëmë, kryebashkiaku di diçka rreth kësaj iniciativë dhe për këtë u siguruam ne që ta informojmë sa më shumë, edhe pse na dha përgjigje sa më pak…
Kemi informacione të sakta se shoqata OMONIA dhe familjarët e të ndjerit Aristotel Guma do të vendosin bustin e tij në qendër të Himarës, me rastin e 1-vjetorit të vdekjes së tij. A do ta lejoni ju këtë veprim?
Unë nuk kam ndonjë kërkesë të tillë nga familjarët ose shoqata OMONIA që është dërguar në Këshillin Bashkiak. Megjithatë, familja Guma kam besim se nuk do të lejojë nga ana e saj askënd që të ndërmarrë veprime që bien ndesh me ligjin, rregullin dhe moralin qytetar.
Ju personalisht, jeni pro apo kundër vënies së bustit të Aristotel Gumës. Cilado qoftë përgjigjja, pse?
Ka një procedurë të saktë ligjore për të tilla raste dhe ai që vendos është Këshilli Bashkiak me votim të fshehtë.
Ju bëra një pyetje të drejtpërdrejtë që kërkon një përgjigje po kaq të drejtpërdrejtë. Ju lutem, konkretisht, jeni pro apo kundër këtij busti në Himarë?
Më vjen keq, më duket se u përgjigja. Nuk duhet të shkelet ligji dhe procedura. Më pas, unë mund të jap mendimin tim për çdo vendimmarrje të Këshillit Bashkiak.
Që ka ardhur një shkresë në Këshillin Bashkiak, kemi informacion të sigurt. Do t’ju pyesim sërish sapo të marrin vesh për vendimin e tyre…
Sigurisht, pasi të shprehet Këshilli Bashkiak me votë, mbetem i hapur për të komunikuar me gazetën tuaj.
***
Kokëdhima: E refuzuam kërkesën, s’duam incidente etnike në Himarë
Janë disa anëtarë të Këshillit Bashkiak të Himarës që pranojnë që në adresë të tyre ka shkuar kërkesa zyrtare e shoqatës “OMONIA” për vendosjen e bustit të 35- vjeçarit Aristotel Guma, i vrarë vjet, më 12 gusht. Ndër ta, edhe vetë kryetari i këtij Këshilli, Stefan Kokëdhima. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Kokëdhima shprehet kundër bustit dhe për këtë ka arsye…
Të cilat janë?
Janë shumë, por më kryesore është që janë arsye logjike. Cila prej tyre më shumë? Vendosja e një busti të tillë do të përbënte shkak për incidente etnike. Mjaft pamë një vit më parë. Duhet të mendojmë veprime që çojnë drejt paqes dhe jo rrezikimit drejt dhunës.
Pse vendosja e këtij busti rrezikon dhunë?
Sepse varet se si mund të interpretohet. Në Himarë gjithnjë ka pasur përplasje mes personave që quhen nacionalistë. Nuk ka rëndësi se cilës anë i përkasin. Gjithnjë njëra anë do ta interpretojë sipas dëshirës dhe oreksit që ka.
Zyrtarisht ju erdhi shkresa nga “OMONIA”?
Erdhi, por as nuk e lexuam fare. Ishim të gjithë të një mendjeje që të mos merreshim me atë kërkesë.
Si mundet të mos e lexoni fare një kërkesë kur vjen?
E pamë kreun e saj… Që nga objekti i fillimit, formulimi, dihej se çfarë ishte.
Dhe çfarë ishte?
Një letër që nuk meritonte të lexohej deri në fund. Duhet të jemi realistë dhe të shohim përpara. Më vjen vërtet shumë keq për familjen Guma se çfarë i ndodhi. Por të tjerët të mos u japim ngjyrime ngjarjeve që s’kanë ngjyra.
ELISABETA ILNICA
© Panorama.al











