Bushati: Programi i PS, ofertë e re për shqiptarët

Jul 22, 2011 | 11:32

Deputeti socialist, Ditmir Bushati, shprehet se programi i ri politik për të cilin po punon grupi i punës, do të përbëjë një ofertë të re për shqiptarët.Duke analizuar deklaratën e përbashkët të përfaqësuesve më të lartë të BE-së, Bushati shprehet se ajo duhet parë nga politika shqiptare si një platformë për reformat kushtetuese, për të cilat ka nevojë vendi.
Zoti Bushati, cili është komenti juaj rreth përfundimeve të mbledhjes së tretë të Këshillit të Stabilizim Asociimit dhe qëndrimit të përbashkët të Ashton-Fule në lidhje me situatën politike në Shqipëri?
Qëndrimi i BE-së, prezantuar në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim Asociimit, është pasqyra më realiste e situatës vendnumëro të Shqipërisë, si pasojë e përmbysjes së shtyllave kryesore të shtetit të së drejtës, mbi të cilën duhet të funksionojë një shoqëri demokratike. E kam fjalën pikërisht për zgjedhjet e lira e të ndershme, funksionimin e institucioneve kushtetuese në mënyrë të pavarur dhe efektive, lirinë e medias, respektimin e të drejtave pronësore, lirinë e sipërmarrjes, pasjen e një shërbimi publik të përgjegjshëm e llogaridhënës, ndarjen me sistemin e çimentuar të pandëshkueshmërisë përmes një lufte të vërtetë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shqipëria po rrëshqet drejt institucionalizimit të autokracisë, përmes përqendrimit të pushtetit në një dorë të vetme, të “fituar” jo nga vota e popullit, por në tavolinën e KQZ-së dhe të vulosur nga një trupë gjyqësore që Monteskje do ta përkufizonte si “të zbehtë e të mjerë”.
Për sa i përket qëndrimit të përbashkët të dy prej zyrtarëve më të lartë të BE-së, Ashton-Fule, më lejoni të shpreh bindjen time se populli shqiptar kishte nevojë të dëgjonte shkoqur të vërtetën nga goja e miqve e partnerëve të tij të çmuar, të cilët ishin njëkohësisht engjëjt mbrojtës të procesit të numërimit në Njësinë Bashkiake 5 në Tiranë. Pasi bota demokratike ku ne duam të integrohemi, s’mund të bëhet palë me dhunuesit e vjedhësit e zgjedhjeve. Diagnostikimi i qartë dhe i thënë shkoqur për mënyrën sesi u vodh mandati i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është një sinjal inkurajues për popullin shqiptar që te partnerët ndërkombëtarë sheh modelin e ëndërruar të zhvillimit e përparimit. Krahas identifikimit të gjenezës së krizës shumëplanëshe që përjetojmë, qëndrimi i përbashkët Ashton-Fule vizaton një “udhërrëfyes” për të ardhmen tonë përmes kryerjes urgjente të reformave kushtetuese, zgjedhore e parlamentare, në funksion të krijimit të mekanizmave të domosdoshëm për funksionimin e shtetit të së drejtës, çka do të mundësonte para së gjithash mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme në përputhje me standardet ndërkombëtare. Sigurisht, i gjithë ky proces do të duhet të ndodh në partneritet me Komisionin e Venecias dhe OSBE-ODIHR e nën mbikëqyrjen e partnerëve ndërkombëtare që asistojnë Shqipërinë në rrugën e vështirë të demokratizimit.
A do të thotë kjo që PS është e gatshme të fillojë një dialog me qeverinë për të adresuar reformat kushtetuese, zgjedhore dhe institucionale, sikurse nënvizohet në qëndrimin e përbashkët Ashton-Fule?
Vendi lëngon nga një krizë e stërgjatë shumëplanëshe dhe nuk ka nevojë për dialog kozmetik apo thjesht bërje ligjesh të reja. Siç e kanë vizatuar në mënyrë shumë të kthjellët “udhërrëfyesin” tonë partnerët ndërkombëtar, para së gjithash nevojitet një proces i shëndetshëm demokratik, që të shërbejë si truall për reformat kushtetuese, zgjedhore dhe institucionale, me theks reformën e gjithanshme parlamentare.
Cili është vlerësimi juaj për përmbushjen e 12 prioriteteve kryesore, duke pasur parasysh faktin që raporti vjetor i Progresit të KE-së pritet të publikohet në tetor dhe sikurse paralajmëroi Ambasadori i BE-së, Sequi, “koha për to po limitohet”?
Modeli aktual qeverisës nuk aspiron përmbushjen e 12 prioriteteve kryesore, të cilat kanë të bëjnë para së gjithash me shtet-ndërtimin. Për të kuptuar përmbushjen, ose jo të këtyre përparësive, çdokush mund të pyesë veten nëse Shqipëria është një “demokraci e atlantikut verior”, ku zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme, apo jo; nëse gjejmë drejtësi në dyert e gjykatave; nëse tempulli i demokracisë – Kuvendi i Republikës – funksionon në mënyrë demokratike duke zbatuar më së pari parimin “një deputet – një votë”; nëse ka ndonjë zyrtar të lartë të dënuar për korrupsion; nëse ka ndonjë përgjegjës për vrasjet e katër qytetarëve të pafajshëm më 21 janar; nëse ndonjë prej proceseve të bujshme gjyqësore ka shkuar deri në fund; nëse saga e mbrojtjes dhe gëzimit të të drejtave pronësore ka përfunduar; nëse të gjithë jemi të barabartë para ligjit; nëse jemi ndarë nga mobilizimi partiak e klientelist i administratës publike; nëse media është e lirë apo nën trysninë e pushtetit. Natyrisht, përmbushja e 12 prioriteteve kryesore do të na mundësonte si shoqëri hedhjen e bazave solide për adoptimin e mëpastajmë – sipas një përqasjeje graduale të standardeve europiane në funksion të rimëkëmbjes dhe zhvillimit ekonomik e social të vendit.
Nga njëra anë, vrojtimet e opinionit publik dëshmojnë se jemi popullsia më “euro-optimiste” e rajonit. Nga ana tjetër, jemi i vetmi vend Europian që nuk kemi ende një objektiv të përbashkët kombëtar për kohën se kur duam të aderojmë dhe për mënyrën sesi do të sillemi në këtë entitet vlerash perëndimore që Robert Cooper me plotë të drejtë e quan “Perandoria e bashkëpunimit, e përkushtuar ndaj lirisë dhe demokracisë”. Për shkak se na mungon një qasje e esëllt rreth mundësive, angazhimeve, detyrimeve e sfidave që ofron perspektiva europiane, për të gjitha shtresat dhe aktorët e shoqërisë, duke e konceptuar procesin e integrimit europian si një lëvizje vullnetare imponuese, jemi kyçur në një rreth vicioz ku retorika e përbetimi kinse europian nuk mund të fshehin faktin se kjo qeveri ka braktisur përfundimisht rrugëtimin europian. E në të njëjtën kohë, ka nëpërkëmbur vlerat, parimet dhe standardet mbi bazën e të cilave u mundësua anëtarësimi historik i vendit tonë në NATO.
A ndieni përgjegjësi për gjithçka thatë më sipër për faktin se ju si opozitë keni bojkotuar jetën parlamentare duke dëmtuar interesin publik në jo pak raste. Për shembull, keni munguar në diskutimet rreth shitjes së aseteve publike, korrigjimin e buxhetit, paketën fiskale e deri te shembja e Piramidës?
Modeli qeverisës që përshkrova më sipër karakterizohet në thelb nga dhunimi i vullnetit popullor; shpërdorimi i parave publike, profilizimi i Kuvendit si një organ ratifikues ndaj vendimeve autokratike të qeverisë; ofrimi si model karriere i mëkatarëve të ligjit; kërpudhëzimi i kompanive që sigurojnë të ardhura nga fonde publike. Shkurt, një qeverisje që bazohet në vendimmarrjen dhe ushtrimin diskrecionar të autoritetit në shërbim vetëm të një grushti njerëzish të lidhur me pushtetin. Dhe për këtë, përgjegjësia është e gjitha e qeverisë. Ne kemi denoncuar në mënyrë të vazhdueshme të gjitha skandalet e qeverisë, duke paralajmëruar opinionin publik për pasojat. Bojkoti nuk është strategjia jonë, por një veprim që u aplikua në një kontekst të veçantë e në rrethana të jashtëzakonshme. Partia Socialiste përmes kryetarit Edi Rama ka bërë të njohur për të gjithë shqiptarët, miqtë dhe parterët ndërkombëtar kursin e ri politik, ku pjesëmarrja e plotë në jetën parlamentare në muajin shtator përbën vetëm një prej segmenteve të projektit të ri politik që ne po ndërtojmë. Vullneti për ketë kurs të ri politik nuk është lëkundur për asnjë çast edhe gjatë maskaradës paszgjedhore në Tiranë. Jemi më të vendosur se kurrë për të qenë përfaqësues të denjë të aspiratës europiane të popullit shqiptar dhe do të imponojmë vullnetin tonë politik që prioritetet e përcaktuara prej partnerëve ndërkombëtarë të jenë prioritete të jetës politike e parlamentare.
Anëtari i kryesisë së PS, Arben Malaj, ka kërkuar që PS të futet menjëherë në Kuvend, dhe jo në shtator. Gjithashtu, ai ka nisur një bashkëbisedim me të rinjtë e universiteteve, por dhe struktura të FRESSH-it, ku ka prezantuar disa propozime për hapjen e PS ndaj intelektualëve, por edhe vendosjen e rregullave më të qarta statutore ndaj të zgjedhurve, si limitim të mandateve dhe ndarje të pushteteve të të mandatuarve. Cili është qëndrimi juaj ndaj këtyre propozimeve?
Mbroj pikëpamjen se pjesëmarrja jonë në jetën parlamentare nuk do të zgjidhte automatikisht krizën shumëplanëshe që përjeton vendi, e as nuk do të përmirësonte jetën e qytetarëve, sepse nuk është hera e parë që përballemi me një “Kuvend dekor”, ku opozita denigrohet, demonizohet e përdhunohet sistematikisht. Ndaj, pjesëmarrja e PS në jetën parlamentare do të duhet të jetë e gjithanshme, për ta bërë funksional dhe të përbashkët tempullin e demokracisë, në përputhje me prioritetet kyçe të identifikuara nga Komisioni Europian. Në këtë mënyrë, do të mund të afirmojmë angazhimet tona me qytetarët për t’i jetësuar nesër kur të jemi në krye të punëve të vendit. Kontributet e kolegut me eksperiencë, Malaj, vijnë në një moment të rëndësishëm ku PS është përfshirë në procesin e natyrshëm periodik të ripërtëritjes programore dhe organizative dhe së bashku me ato të shumë kolegëve të tjerë, do të pasurojnë mozaikun e opsioneve për t’u aplikuar nga PS si një forcë e madhe europiane.
Cilat do të jenë qasjet e reja për programin politik dhe organizimin e PS në kursin e ri politik që kjo parti do të mbajë?
Si një prej anëtarëve të grupit të punës për programin e ri politik, për momentin, mund t’ju them se ky proces dinamik që po zhvillohet nën drejtimin e kryetarit Edi Rama, bazohet mbi nevojën për t’i ofruar shoqërisë shqiptare një ofertë të re politike, që do të hapte rrugën e re të zhvillimit europian. Për ta konsideruar atë si qendra e re gravitacionale e të gjithë shqiptarëve që kërkojnë ndryshim. Por, ky ndryshim varet për së pari nga aftësia jonë për të ndryshuar e përmirësuar vetveten. Nuk kam iluzione për vështirësinë e këtij procesi që kalon në sitë numrin më të madh të mundshëm të njerëzve, argumenteve e praktikave, nisur jo nga logjika vertikale që nxjerr konkluzion nga një njeri apo parim i vetëm duke përjashtuar të tjerët, por nga logjika horizontale me hallka përbërëse që shqyrton çdo argument të mundshëm. Në të njëjtën kohë, shpreh bindjen se ky proces do të shënojë shenjat e para të përmbysjes së botës së mykur të politikës së vjetër, që bazohet vetëm në retorikën e helmatisur.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura