Deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, deklaroi dje se kushti i opozitës për të dialoguar me maxhorancën është mandati i Tiranës. “Për të dialoguar me opozitën, Saliu duhet të heqë dorë nga vjedhja e mandatit tonë në Tiranë, të respektojë shtetin e së drejtës dhe institucionet ndërkombëtare, pastaj të nxjerrë nga sirtari i pluhurosur rezolutën tonë për Kuvendin, të propozuar që më 23 dhjetor 2010 e ta pranojë atë plotësisht, së bashku me kontributet e opozitës në procesin e adresimit të 12 prioriteteve kyçe të identifikuara në Opinionin e Komisionit Europian. Pasi përmbushja me rigorozitet e tyre, sikundër prioriteteve të tjera që burojnë nga situata në të cilën ndodhet vendi pas zgjedhjeve vendore, do t’i hapte rrugën procesit të vërtetë të shtet-ndërtimit në funksion të ardhmërisë europiane të Shqipërisë”, tha Bushati. Ai tha më tej se qeveria duhet të kishte pranuar ekspertizën e Komisionit të Venecias. “Konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian flasin qartë për situatën shqetësuese të procesit zgjedhor të Tiranës, edhe pse ka kaluar një muaj e gjysmë nga dita e votimit. Dhe, në të njëjtën linjë me raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it, bëjnë thirrje për përfundimin e këtij procesi në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues. Farsa që vijon të shfaqet para syve tanë nga tavolina e Ristanit në KQZ, përdorimi politik i Kolegjit Zgjedhor, i cili nuk vuri në vend drejtësinë e kërkuar dhe mospranimi i ekspertizës ndërkombëtare nga ana e qeverisë prej një institucioni prestigjioz si Komisioni i Venecias, siç i ka hije një vendi e shoqërie europiane, përbëjnë vetëm disa prej fakteve se përse zgjedhjet nuk i përmbushën standardet e njohura ndërkombëtarisht për zgjedhje demokratike”, tha Bushati.











