Burri fjeti një natë me kufomën e gruas së vrarë

Jun 29, 2012 | 13:25

Gjykata e Tiranes

Ngjarja ndodhi në dhjetor 2011 në Ndroq, burri tradhtonte gruan.

Ylli Mansaku dënohet me 13 vjet burg, ekzekutoi të shoqen.

Vrau bashkëshorten, nënën e tre fëmijëve të tij dhe fjeti një natë me kufomën në shtëpi.
Gjykata e Tiranës e dënoi me 13 vjet e 4 muaj burg. Është ky verdikti i shpallur pak ditë më parë nga togat e zeza të gjykatës, për të pandehurin Ylli Mansaku. Ai akuzohej për autorësinë e një prej rasteve më monstruoze të krimit brenda familjes të regjistruar ndonjëherë në vend. Mansaku u shpall i fajshëm për “vrasje me dashje” të bashkëshortes së tij Shpresa Mansaku, ngjarje e ndodhur më 19 dhjetor 2011 në komunën Ndroq, Tiranë dhe për “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Ai u dënua me 20 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi uljen e një të tretës së dënimit. Kërkesa për mëshirë dhe shfaqja e pendesës për krimin nuk i “bëri punë” në gjykim. Dënimi i dhënë nga gjykata është dy vjet me shumë se masa e dënimit të kërkuar nga Prokuroria.
DHUNA
Çifti Mansaku jetonte i vetëm në një banesë në fshatin Zhur të komunës Ndroq, Tiranë, që prej vitit 2007, kohë kur fëmijët ishin larguar në emigracion. Sipas Prokurorisë, martesa 35-vjeçare mes tyre ishte bashkëshoqëruar me grindje dhe kontradikta të vazhdueshme. Ky fakt është mbështetur edhe nga deklarimet e familjarëve të tyre gjatë hetimeve. Një nga arsyet madhore të gjendjes së nderë ishte fakti se në vitet 1993-1994 Ylli Mansaku, ka pasur një lidhje jashtëmartesore, të cilën e konsumonte në shtëpi, në prani të familjarëve të tjerë. Sipas Prokurorisë, Mansaku e merrte të dashurën e tij në shtëpi dhe kryente marrëdhënie me të. Për këtë shkak ata kishin konflikte dhe mosmarrëveshje, që precipitonin në keqtrajtime dhe dhunë fizike në dëm të bashkëshortes së tij.
MAKABRITETI
Krimi makabër brenda familjes Mansaku u shënua rreth orës 16:30,  më 19 dhjetorit 2011 në verandën e shtëpisë së tyre. Shpresa Mansaku vdiq në vend, pasi u qëllua me një breshëri automatike nga ana e bashkëshortit. Në vijim, Mansaku ka marrë një xhup mushamaje dhe ia ka hedhur sipër kufomës pasi binte shi. “Automatikun e ka lënë në dhomën e gjumit dhe është larguar 200-300 metra larg nga vendi i ngjarjes, pasi ndihej i tronditur. Pas rreth 35-40 minutash është kthyer përsëri në banesën e tij. Ka marrë në krahë kufomën e bashkëshortes së tij dhe e ka futur brenda në shtëpi në pjesën e korridorit, duke e vendosur në një krevat dhe e ka mbuluar me batanije. Më pas është shtrirë në krevatin në kuzhinë dhe ka fjetur gjumë. Ai është ngritur në mëngjes në orën 06:00. Rreth orës 09:00 ka ndërruar rrobat dhe ka dalë në fshat ku ka qëndruar deri rreth orës 16:00. Në këtë moment ai ka vendosur t`i telefonojë vëllait të tij E.,  ku i ka treguar lidhur me ngjarjen e ndodhur”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura