BURREL- Abdulla Katuçi, pronari i “Shtëpisë se Verdhë” në Gurrë të Matit, i akuzuar se në banesën e tij është kryer transplant i organeve jetësore të ushtarëve serbë, reagoi sërish dje duke kërcënuar se do të vriste veten. “Do të hyj në grevë urie, do të kërkoj ndihmën e Ambasadës Amerikane ose duhet të vras veten”, u shpreh i moshuari. Në orët e para të mëngjesit, ai ka zbritur në qytetin e Burrelit dhe i është drejtuar godinës së Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Mat. Pasi tentoi të kontaktojë me zyrtarë të organit të akuzës, ai u shpreh se kishte menduar të hynte në grevë urie para Prokurorisë. 81-vjeçari shkon më tej, duke pohuar se do të vetëvritet nëse greva e urisë dhe Ambasada Amerikane nuk do ta zgjidhin hallin e tij. “Do të udhëtoj drejt Tiranës dhe do të kërkoj ndihmën e Ambasadës së SHBA-ve”, u shpreh i moshuari. h.p











