Burrel, ish-deputeti demokrat humb gjyqin 1 milion euro me Policinë

Jul 16, 2012 | 14:23
Ish-deputeti Gani Hoxha

BURREL – Gjykata e Burrelit rrëzon gjobën 1 milion euro që Policia duhej t’i paguante ish-deputetit të PD-së, Gani Hoxha. Katër vjet ka zgjatur përplasja gjyqësore mes Hoxhës dhe Komisariatit të Policisë Burrel, pas denoncimit në vitin 2008 se uniformat blu kishin çmontuar linjën e seleksionimit të ferrokromit në pronësi të ish-deputetit, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm ekonomik. Gjykata e Matit, e kryesuar nga kryetari i saj Artan Çupi, kanë rrëzuar pretendimet e Hoxhës, duke argumentuar se Policia e Shtetit nuk ka detyrim ligjor t’i paguajë atij gjobën prej 1 milion eurosh. Në fakt, e njëjta gjykatë vite më parë dënoi me këtë shumë policinë, por çështja u apelua në Tiranë. Historia nisi katër vite më parë, kur Hoxha dhe ortaku i tij u përfshinë në konflikt. Në pamundësi për t’u pajtuar, Hoxha dhe ortaku i huaj iu drejtuan Gjykatës. Teksa Gjykata e Matit vijonte shqyrtimin e provave dhe fakteve ndodh tjetër përplasje e fortë, ku sipas Hoxhës, Policia e Burrelit u urdhërua të çmontojë linjën e vendosur ngjitur me Uzinën e Ferrokromit Burrel. Hoxha iu drejtua organeve të drejtësisë dhe kërkoi zbardhjen e “grabitjes me dhunë” të pronës së tij dhe dëmshpërblim të paktën 1 milion euro. Si provë ai paraqet një kasetë filmime, ku efektivat e Policisë Mat me mjete dhe forca të shumta shkatërrojnë linjën e përpunimit dhe transportojnë makineritë nga Burreli drejt Laçit. Hoxha pretendoi se ish- drejtues të Policisë së Qarkut Dibër dhe ata të Komisariatit Mat e kanë kryer shkatërrimin e linjës pa vendim të strukturave kompetente, por me urdhër të zyrtarëve të lartë të shtetit. Në gjyqin e zhvilluar dy vjet më parë, Gjykata e Matit ka vendosur që Komisariati i Policisë Mat të dëmshpërblejë biznesmenin Gani Hoxha me këtë shumë. Që atëherë juristi i Drejtorisë së Policisë Qarkut Dibër, Paulin Cera, ka argumentuar se veprimet e Policisë lokale kanë qenë të bazuara në prova e fakte dhe se gjithçka është kryer sipas legjislacionit për Policinë e Shtetit, çka u pranua dhe nga gjykata.         h.p

Avokati: Hoxha ka të drejtë
Avokati i ish-deputetit Gani Hoxha, Dhimitraq Prifti, ka këmbëngulur në dëmshpërblimin e klientit të tij, duke u shprehur se ndërhyrja e Policisë ka qenë e paligjshme dhe dëmi i shkaktuar ka qenë serioz. Nga ana e tij, Prifti deklaroi se çështja do të apelohet për t’u provuar në të gjitha shkallët.

© Panorama.al

Te lidhura