Burrel, e djathta merr Këshillin në Bashkinë rozë

Jul 2, 2011 | 11:50
Këshilli Bashkiak i Burrelit

BURREL – Aleanca për Qytetarin merr kreun e Këshillit Bashkiak në Burrel, dy muaj pas fitores së socialistëve në krye të Bashkisë me Adelina Farricin. Të pranishëm në mbledhjen e parë ishin deputetët e qarkut Dibër, Qemal Minxhozi e Bedri Hoxha, si dhe prefekti i qarkut Dibër, Genc Sharku. Mbledhja është ndërprerë dy herë pas debateve për fletët e votimit, derisa maxhoranca e djathtë ka vendosur që modeli i fletës së votimit të ishte ai i serviruar nga sekretari i Këshillit të Bashkisë. Të majtët kanë hedhur dyshime të forta se mbi këshilltarët e djathtë është ushtruar presion për të votuar kandidatin e tyre, madje u tha publikisht se tentohet që mbi fletët e votimit të kishte shenja, për të kuptuar për cilin kandidat ka votuar çdo këshilltar i Aleancës për Qytetarin. Aleanca për të Ardhmen propozoi për kryetar të Këshillit Bashkiak Myslim Zenelin, ndërsa Aleanca për Qytetarin Lefter Ballabanin. Pas votimit, Ballabani u shpall fitues me 9 vota. Ndërkaq, rivali fitoi 8 vota. Duhet theksuar se Aleanca për Qytetarin ka 9 këshilltarë, Aleanca për të Ardhmen 7 dhe një këshilltarja Lindita Pali, e pavarur. Nëse për kryetarin e Këshillit Bashkiak Aleanca për Qytetarin qëndroi e bashkuar, ajo u tkurr për anëtarët e Këshillit të Qarkut Dibër, pasi vetëm njëri nga kandidatët e këtij koalicioni fitoi. Anëtarë të këshillit të qarkut u zgjodhën Hajdar Kurti, nënkryetari i PD-së Mat dhe biznesmenia Lindita Pali, këshilltare e pavarur, e cila fitoi në zgjedhjet e 8 majit 600 vota, 200 vota më pak se PD-ja.               h.p

© Panorama.al

Te lidhura