
Një shpërthim në Aeroportin e Burgas, në Bullgari, në një autobus me të rinj izraelitë, ka marrë jetën e katër personave dhe ka lënë të plagosur rreth 30 të tjerë, sipas burimeve zyrtare. Mediat izraelite flasin për shtatë të vdekur. Incidenti ndodhi në Burgas, qytet-resort në Detin e Zi, rreth 250 milje larg kryeqytetit Sofje, shumë i preferuar nga turistët izraelitë. Në zonën e parkimit të aeroportit ka pasur tym të dendur dhe menjëherë pas shpërthimit u angazhuan rreth dhjetë zjarrfikëse për të shuar flakët. Kreu i Bashkisë së Burgasit, Dimitar Nikolov, tha për agjencinë izraelite “Haaretz” se eksplozivët ishin vendosur në pjesën e pasme të autobusit. “Nuk e di se çfarë ishte, por u dëgjua një shpërthim shumë i fuqishëm dhe unë mendoj se ishte vënë qëllimisht në atë autobus që po transportonte 47 turistë izraelitë”, shtoi ai i kontaktuar më pas nga “Reuters”. Por një dëshmitare tha se shpërthimi ka ndodhur menjëherë pasi një person hipi në automjet. Dëshmitarja Gal Malka tha për televizionin izraelit “Channel 2” se ajo pa dikë të ngjitej në autobus para shpërthimit. Ajo tha gjithashtu se kishte vënë re që autobusi ishte plot me adoleshentë izraelitë. Ndërsa një tjetër dëshmitar izraelit tha për radion ushtarake izraelite se kishte shumë mundësi që një njeri-bombë të kishte hipur në autobus duke shkaktuar shpërthimin.
Ngjarja
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite, Jonatan Rosenzveig, tha për mediat se fluturimi nga Tel Avivi ishte ulur në 5:15 pasdite dhe se shpërthimi ndodhi rreth 40 minuta më pas. Turistët me sa duket ishin duke marrë autobusin për t’u shpërndarë nëpër hotelet e tyre. Aeroporti në Burgas u mbyll pas shpërthimit dhe hetimet po vazhdojnë me intensitet. Zyrtarët thanë se ministri i Jashtëm izraelit, Avigdor Lieberman, ka folur vazhdimisht me homologun e tij bullgar dhe po ndiqte zhvillimet hap pas hapi. Liderët bullgarë, përfshirë Presidentin Rosen Plevneliev, kanë shkuar të gjithë në vendngjarje. Policia bullgare njoftoi se disa autobusë të tjerë që ndodheshin në atë zonë parkimi ishin dëmtuar nga shpërthimi i fuqishëm.
Përvjetori
Edhe pse nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin, turistët izraelitë janë shënjestruar edhe më parë në sulme të tjera, si në Indi, Tailandë dhe Azerbajxhan. Sulmi ndodhi në përvjetorin e sulmeve të vitit 1994 në një qendër hebrenjsh në Buenos Aires, Argjentinë, nga i cili humbën jetën 85 persona. Mëngjesin e djeshëm, të afërmit e viktimave të sulmit në Argjentinë i kanë bërë thirrje qeverisë në Buenos Aires që t’i bëjë presion qeverisë iraniane për të dorëzuar shtatë të dyshuarit për këtë sulm. Izraeli ka akuzuar armikun e tij, Iranin, për organizimin e këtyre sulmeve.
Reagon Shtëpia e Bardhë
Pak minuta pas ngjarjes ka reaguar Shtëpia e Bardhë në SHBA, duke e dënuar sulmin kundër turistëve izraelitë. Sekretari për shtyp, Xhei Kernej, tha se SHBA “e dënojnë fort një sulm të tillë kundër njerëzve të pafajshëm, veçanërisht fëmijëve”. Kernej tha se “mendimet dhe lutjet e Presidentit Obama ishin me familjet e atyre që humbën jetën dhe u plagosën”. Ai tha se “angazhimi i SHBA-ve për sigurinë e Izraelit mbetet i palëkundshëm”.
© Panorama.alNetanjahu
Kryeministri izraelit, Beniamin Netanjahu, ka akuzuar Iranin për sulmin e ndodhur në Bullgari. Ai është shprehur se “të gjitha shenjat të çojnë te Irani. Vetëm gjatë pak muajve të fundit ne kemi parë përpjekje nga Irani për të sulmuar izraelitët në Tailandë, Indi, Gjeorgji, Kenia, Qipro dhe vende të tjera. Plot 18 vjet pas shpërthimit në komunitetin hebre në Argjentinë, terrori vrasës iranian vazhdon të godasë njerëz të pafajshëm. Izraeli do të reagojë fuqishëm kundër terrorit iranian”, tha ai.











