Burgas, mister identiteti i sulmuesit, kishte letra false

Jul 20, 2012 | 14:03
Foto e publikuar nga Ministria e Brendshme bullgare ku tragohet atentatori, me floke te gjate dhe nje çante ne shpine

I dyshuari për shpërthimin e autobusit të turistëve izraelitë të mërkurën në Aero-portin e Burgasit, Bullgari, kishte një patentë false të Miçiganit. Agjencia amerikane “ABC” paraqiti imazhet e patentës me ermin Jacque Felipe Martin. Patenta lexonte “Michigan Operator’s License” dhe paraqiste një adresë të rreme banimi në Luiziana, e cila në fakt ishte adresa e një kazinoje. Sulmi kundër të rinjve izraelitë ndodhi në Burgas pasditen e së mërkurës, kur turistët sapo kishin zbritur nga avioni dhe i ishin drejtuar autobusit që do t’i shpërndante nëpër hotele. Dëshmitarët kanë parë një tjetër person të hyjë në autobus dhe menjëherë pas kësaj ka ndodhur shpërthimi. Raportimet për numrin e të vrarëve variojnë nga katër në shtatë persona. Dhjetëra të tjerë janë plagosur. Policia bullgare beson se trupi i të dyshuarit për sulmin është ai më i dëmtuari nga shpërthimi, pasi ai kishte eksplozivin në çantë. Sipas Policisë bullgare, kamerat e sigurisë në aeroport tregonin se i dyshuari po sillej rrotull prej të paktën një ore, shkruan e përditshmja “Novinite Daily”. Televizioni bullgar ka transmetuar regjistrimet e kamerave të sigurisë në aeroport, duke treguar personin e dyshuar si njeriu-bombë. Ai ishte veshur si turist, me flokë të gjatë, një kapelë bejsbolli, syze, pantallona të shkurtra e atlete, dhe mbante një çantë shpine me rrota. Ministri i Brendshëm bullgar, Tsvetan Tsvetanov, tha se i dyshuari besohet të ketë qenë rreth 36 vjeç dhe ishte në Bullgari prej katër apo shtatë ditësh. “Ne nuk mund të përjashtojmë mundësinë se ai ka pasur ndihmë logjistike në territorin bullgar”, tha ministri. Zyrtarët po përdorin kampionet e ADN-së për të zbuluar identitetin e tij të vërtetë. Autoritetet bullgare kanë dërguar 200 policë në hotelet ku po qëndrojnë rreth një mijë turistë izraelitë. Të enjten në mëngjes, një avion i Forcave Ajrore izraelite me 34 izraelitët e incidentit dhe trupat e viktimave mbërriti në Izrael. Zyrtarët izraelitë fajësojnë Iranin dhe Hezbollahun palestinez për organizimin e sulmit. Por dje, zyrtarët iranianë deklaruan në televizionin shtetëror të vendit, se akuzat e Izraelit ishin qesharake, spektakolare dhe plotësisht të pabaza.

Lufta hije
Një ish-agjent iranian nga Garda Revolucionare tha për “CBS News” se një luftë surrogate, e kryer në hije nga të dyja palët, ka nisur prej më shumë se një viti. Ajo nisi me vrasjet e shkencëtarëve iranianë që po punonin me programin nuklear të vendit. Më pas u zbulua një virus kompjuterik i orientuar kundër programit nuklear iranian që të vetëshkatërronte programet iraniane. Irani publikisht ka akuzuar SHBA-të, Britaninë dhe Izraelin për organizmin e sulmeve.

“Gabimi”
Kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Izraelit e kanë akuzuar Iranin si organizator dhe Hezbollahun si ekzekutor të këtij sulmi. Por, ministri i Jashtëm bullgar tha se ishte gabim të akuzohej ndonjë vend apo organizatë specifike pa përfunduar hetimet. “Ne jemi vetëm në fillim të hetimeve dhe është gabim të dilet në përfundim që tani. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Policinë izraelite në kryerjen e këtij hetimi. Do ta zbulojmë se kush qëndron pas sulmit”, tha Nikolai Mladenov.

© Panorama.al

Te lidhura