Burgaj: Xhakja u dënua 21 vjet, u la i lirë në 2011

Sep 14, 2012 | 14:18
Kreu i Policisë, Hysni Burgaj

TIRANE- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj ka dhene detaje rreth vrasjes se kryepolicit te Shijakut, Adem Tahirit dhe te dhena rreth autorit te krimit, Ilir Xhakja, tashme i vene ne pranga nga policia.

Gjate nje konference per shtyp ai ka sqaruar se Adem Haxhi Tahiraj, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Shijak, po drejtonte strukturat vendore të policisë në kuadër të planit të masave, të hartuara për parandalimin e veprave të mundshme penale, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për kontrollet për armëmbajtje pa leje.

Sipas tij, gjate te shtenave ka mbetur e plagosur me armë zjarri në këmbë një 67-vjeçare, e cila aktualisht ndodhet në spitalin rajonal Durrës jashtë rrezikut për jetën.

Ai ka thene se në operacionin për kapjen e Ilir Xhakja dhe Ledion Krasnaj u angazhuan të gjitha strukturat e Policisë së Qarkut Durrës, forcat e Repartit Special RENEA, si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Njëkohësisht u formua grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorëve të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit, i cili kreu të gjitha veprimet hetimore e procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

“Në sajë të masave të menjëhershme, ndjekjes së vazhdueshme nga strukturat e policisë, bazuar në informacionet e sakta të grumbulluara mbi lëvizjen e autorëve të dyshuar, si dhe bllokimit e rrethimit të të gjithë zonës me forca të shumta policore, u bë i mundur arrestimi i shtetasit:

Ilir Azem Xhakja, vjeç 38, banues në fshatin Katund Sukth, Durrës, person me precendentë të theksuar kriminalë, i akuzuar për një sërë veprash penale të rënda, kryesisht vrasje. I dënuar me 21 vite burg në mungesë për vrasje nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, i arrestuar nga strukturat e policisë në vitin 2007 dhe i liruar nga burgu në vitin 2011.

Ndaj këtij shtetasi u mor masa e arrestit nën akuzën e kryerjes së veprave penale të “vrasjes në rrethana cilësuese” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79, gërma “c”, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal”- tha ai.

Me tej Burgaj shtoi se këtij shtetasi iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale dhe arma e krimit.

Ndërkohë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 automjetet me të cilët autorët janë larguar nga vendngjarja; 2 automjete të blinduara (një tip BMV dhe një furgon), një tjetër mjet fuoristradë; një armë zjarri automatik dhe rreth 170 fishekë të llojeve të ndryshme; një palë dylbi snajperi; si dhe disa targa automjetesh, të cilat janë dërguar për ekzaminime të mëtejshme laboratorike.

“Strukturat e Policisë së Shtetit aktualisht vazhdojnë punën për kapjen e autorit tjetër të kësaj ngjarjeje, shtetasit Ledjan Krasnaj, të cilit gjatë kontrollit të ushtruar në banesë iu gjetën rreth 60 fishekë të llojeve të ndryshme. Ndërkohë materialet procedurale në ngarkim të këtyre dy shtetasve i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë për Krime të Rënda, Tiranë”- tha ai.

Burgaj ka garantuar opinionin publik, se të gjithë strukturat e saj janë maksimalisht të angazhuara për të siguruar rendin e qetësinë publike në të gjithë territorin e vendit dhe do të përballet me forcën e ashpër të ligjit, kushdo që do të cenojë jetën e sigurinë e qytetarëve.

© Panorama.al

Te lidhura