Burgaj: Të bllokohen makinat e policëve që s’kanë dokumente

Feb 18, 2012 | 13:05

TIRANE – Efektivat e Policisë së kryeqytetit do të jenë të parët që do të ndëshkohen nga Njësia e Qarkullimit Rrugor në rast se makinat e tyre do të kenë mangësi në dokumentacion. Prej mëngjesit të djeshëm, në territorin e kryeqytetit është vënë në zbatim një plan i posaçëm masash që ka për qëllim verifikimin e automjeteve që përdoren nga punonjësit e Policisë, kryesisht ato që janë me targa të huaja. Burime nga Policia e Tiranës thanë se ky plan masash vjen në zbatim të një urdhri që është firmosur në fund të muajit janar të këtij viti nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj. “Urdhri nr. 52, datë 27 janar 2012. Urdhërohen të gjithë punonjësit e Policisë që në zbatim të dispozitave të Kodit Rrugor, të plotësojnë dokumentacionin e automjeteve në përdorim të tyre. Për çdo rast kur konstatohet se lëvizin pa dokumentet e nevojshme, të bëhet bllokimi i automjeteve dhe të fillojë ecuria disiplinore për çdo rast të moszbatimit të urdhrit”. Ky është urdhri i fundit i firmosur nga kryepolici Hysni Burgaj, i cili sqaron se ligji duhet të fillojë të zbatohet në radhë të parë nga vetë punonjësit e Policisë. Burime nga Policia thanë se mëngjesin e djeshëm janë angazhuar në zbatim të këtij urdhri efektivat e të gjashtë komisariateve të Tiranës, si dhe punonjësit e Njësisë së Qarkullimit Rrugor. Postblloqet e ngritura në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit do të verifikojnë të gjitha makinat me targa të huaja, por kryesisht ato që përdoren nga punonjësit e Policisë. Deri mbrëmjen e djeshme rezulton të jenë bllokuar 6 automjete që përdoreshin nga efektivat e Policisë, të cilat kanë rezultuar me mangësi në dokumentacion. Ky plan masash do të vazhdojë gjatë fundjavës dhe do të zgjasë pa ndonjë afat të përcaktuar.

© Panorama.al

Te lidhura