Mosreagimi për të mbrojtur Komisariatin gjatë një sulmi u ka kushtuar detyrën 15 punonjësve të policisë së Kamzës, të cilët, përveç pezullimit nga detyra, rrezikojnë edhe masë disiplinore.Vendimi është marrë pas një urdhri të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, lidhur me incidentin e datës 21 korrik 2011, kur disa persona thyen xhamat dhe shkatërruan pjesërisht godinën e Komisariatit Nr. 5. Emrat e punonjësve të policisë që janë pezulluar përkohësisht nga detyra ende nuk bëhen publikë nga Policia e Tiranës, pasi ndaj tyre tashmë ka nisur procesi disiplinor. Bazuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, 15 efektivat janë pezulluar nga puna, deri në përfundim të procesit disiplinor që ka nisur ndaj tyre, në përputhje me Rregulloren e Disiplinës. Pasi është vënë në dijeni për ngjarjen dhe sjelljen e policëve, drejtori Burgaj ka firmosur pezullimin e tyre nga puna. Mësohet se 15 efektivat e pezulluar nuk kanë respektuar nenin 66 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, që i bën ata përgjegjës për ruajtjen nga çdo dëmtim të armatimit, pajisjeve dhe mjediseve që i janë dhënë në përdorim për ushtrimin e detyrës dhe plotësimin e kushteve të punës dhe të jetesës.
INCIDENTI NE KAMZE
Ngjarja për të cilën u pezulluan punonjësit e policisë në Tiranë ka ndodhur më 21 korrik 2011. Tre vëllezër nga Kamza, të proceduar nga Policia e Tiranës për kundërshtim të forcave të rendit gjatë demonstratës së 21 janarit, përfunduan sërish në pranga për të njëjtën akuzë. Ata sulmuan policë brenda komisariatit, pasi kanë shkatërruar fillimisht nga jashtë xhamat e saj. Objekt i sulmit të tyre ka qenë hakmarrja për shoqërimin në polici të vëllait të tyre më të vogël. Ngjarja ndodhi kur patrulla e policisë së Komisariatit 5 kishte shoqëruar 26-vjeçarin Astrit Halili, pasi kishte shkatërruar murin e një shkolle 9-vjeçare në Kamzë. Sapo kanë marrë vesh për shoqërimin e tij, dy vëllezërit më të mëdhenj, Ilir Halili, 39 vjeç dhe Shkëlqim Halili, 36 vjeç, janë drejtuar për në rajonin e policisë. Sipas burimeve nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, dy vëllezërit fillimisht kanë kundërshtuar nga jashtë ambienteve të komisariatit ndalimin e vëllait të tyre, duke kërkuar, me anë të kërcënimeve dhe fjalëve fyese, lirimin e tij.
ETLEVA DELIA











