“Burg për këdo që prodhon e përdor ‘kanoçe’”- Biseda e tensionuar e Enver Hoxhës me djalin! Frika e ish-udhëheqësit dhe informacioni që Kadri Hazbiu i dha në vilën në Pogradec

Sep 30, 2024 | 21:54
SHPËRNDAJE

Prof. dr. ELMAS LECI

Po t’u thuash të rinjve sot se në kohën e regjimit komunist njerëzit nga “halli” për t’u lidhur me botën e jashtme, sepse nuk kishin asnjë lloj mundësie tjetër, shpikën disa vegla repetitive, që u quajtën “kanaçe” apo “kanoçe”, me të cilat arrinin të mposhtnin “zhurmuesit” e regjimit e të merrnin valët televizive të televizioneve të vendeve fqinje, e nëpërmjet atyre të njiheshin me botën moderne, të quajtur në atë kohë borgjezo-revizioniste.

Aq përmasa mori synimi për të pasur një “kanoçe”, saqë u bë një fenomen në vitet ‘70-të e për të, e pësuan me dënime mjaft njerëz, jo vetëm “shpikësit e prodhuesit”, por mbi të gjitha njerëzit e thjeshtë që i përdornin ato, të etur për të njohur botën e përtej kloneve që ishin me tela me gjemba e korrent të kufijve pothuajse të padepërtueshëm të Shqipërisë komuniste.

enver_hoxha_kadri_hazbiu1

Megjithëse me “kanoçet” kishte dalë apo ishte shfaqur hapur sfumimi e sfidimi i regjimit, prodhimi dhe aplikimi i tyre zgjati fshehurazi më se 15 vjet nëpër Shqipëri. Me to, njerëzit shihnin në terr televizionet e huaja perëndimore, duke gëzuar pak liri e për informacion nga jetesa në ato vende.

Sipas arkivave, për ta penguar edhe atë pak liri të “marrë” fshehur e me shumë sakrifice nga “kanoçet”, regjimi i Enver Hoxhës që nga viti 1972 deri në vitin 1985 dënoi me burgje për agjitacion e propagandë, ky hynin prodhimi dhe aplikimi i “kanoçeve” plot 12.953 veta, duke u vënë atyre ballazi Nenin 55 të Kushtetutës për agjitacion propagandën kundër regjimit. Jo vetëm kaq, por prodhimi dhe përdorimi i “kanoçeve” çoi edhe në internime të më shumë se 27.534 njerëzve.

ENVER HOXHA KËRKON VETË INFORMACION PËR “KANOÇET”

“Në mesgushtin e vitit 1972, ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, – siç e shkruan vetë Enver Hoxha në shënimet e tij Ditare “për përdorim të brendshëm”, – mbërriti në vilën në Pogradec dhe iu paraqit (“siç thonë gojët e liga”) me një “kanoçe” dhe me një informacion të hollësishëm se “çfarë ishin “kanoçet” (siç u thoshte populli), si ndërtoheshin, përse përdoreshin, ku i gjente “populli” që i kërkonte me zell dhe cilët i prodhonin?! Pasi e lexoi informacionin e Kadriut dhe së bashku këqyrën së bashku veglën interesante “kanoçen”, folën edhe se si “nuk po ia dilnin zhurmuesit të shtetit që të bllokonin valët depërtuese të televizioneve të revizionistëve jugosllavë e të degjeneruarve italianë në territorin e Shqipërisë”.

Diskutuan ata edhe për masat e mëtejshme deri me ato terrorizuese si burgosje e internime. Pasi u largua nga vila e Pogradecit ministri i Brendshëm, ish-diktatori komunist Enver Hoxha thirri djalin e madh, i cili aso kohe ishte edhe kryeinxhinier i Uzinës, siç i thoshin e prodhimit të televizorëve në Durrës dhe na e paska pyetur se “çfarë ishin ‘kanoçet’ e televizorëve për të cilat flitej kudo e kërkoheshin ngado”. Thonë se i biri mblodhi supet dhe në moment bëri edhe të habiturin se, “nuk e dinte se çfarë ishin ‘kanoçet’, për të cilat po i fliste ‘babai i madh’”.

Mirëpo Enver Hoxha e kishte mësuar fare mirë se çfarë ishin “kanoçet” për të cilat ai po e pyeste. Jo vetëm kishte lexuar me kohë nën hijen e mështeknës në vilën e Pogradecit si “për prodhimin e tyre ashtu edhe për funksionimin e “kanoçeve”, por ai kishte marrë informacion edhe për përmasat që po merrte ky fenomen në popull”.

Enver Hoxhën me kohë e kishin informuar si për prodhimin, ashtu edhe për përdorimin dhe paraprakisht informacionin për të cilin na paska pyetur edhe djalin e tij që “prodhonte televizorë”, e kishte të plotë. Shkuarja e ministrit si të thuash “me një kanoçe në xhep dhe një informacionin të hollësishëm”, ia “zgjoi” koshiencën, por që deshi ta “qartësonte” më tej situatën, madje kishte edhe një insinuatë se mos ndonjë gjë material dilte edhe nga uzina e tij e televizorëve.

Vetë shkuarja e ministrit të Brendshëm për “kanoçet” tek Enver Hoxha, (shkoi vetë, e thirri apo i tha të paraqitej në raport?!), donte të thoshte shumë, donte të thoshte se regjimit e propagandës së tij po i niste sfidimi dhe atë sfidim Enver Hoxha e dinte se ai “e çonte popullin në zgjim, ndaj djalit si kryeinxhinier i uzinës që montonte televizorë e radio në Durrës, i kërkoi në veçanti (kështu thonë) të informohej më mirë se çfarë ishin “kanoçet” që po sfidonin propagandën e gjithë asaj “partie e shteti”.

Mirëpo koha ka treguar dhe paraqitja e tyre, e “kanoçeve” në një kuti teneqe e pak tranzistorë, është përpjekje masive e njerëzve të etur për njohje të reja me jetën e punën në vendet e tjera apo për t’u lidhur me kulturën e tyre, gjë që atëherë ishte anormale e sot quhet tepër e zakonshme. Dhe pas kësaj bisede, thuhet e tensionuar edhe me të birin, te “babai zeus” u fut në dhomën e tij studio përsëri ministri i Brendshëm, ku Enver Hoxha në mënyrë të prerë u tha “burg për të gjithë ata që prodhonin e përdornin ‘kanoçe’, që me to depërtonin mbi valët zhurmuese për të shikuar televizionet e “botës borgjezo revizioniste”! Jemi në pasivitet ‘70-të, kohë kur drita pak rrezatuese “liberale” në kulturë, letërsi e art, pati një farë jetëgjatësie fare të pakët sepse edhe atë, Enver Hoxha e fiku me masa drakoniane.

Fillimisht dënoi festivalistët e 11-të dhe në vijim edhe çdo gjë tjetër, “që cenonte moralin socialist”, deri me burgimet e elementëve udhëheqës të “ideologjisë së huaj”. Mirëpo, me gjithë represionin e Enver Hoxhës, njerëzit e kërkonin dhe e kërkonin dritën e kohës kërkonin shpërthimin e murit ndarës, kërkonin lirinë e informacionit, kërkonin komunikimin e mendimeve dhe ideve, kërkonin bashkëpunimin me botën, kërkonin të mësonin se çfarë bëhej rreth e rrotull nesh. Por Enver Hoxha me vendosjen e nenit 55 në Kushtetutë dhe me dënimet me e pa ligje, u kishte vënë ose më mirë përpiqej t’u vinte “kyçin” të gjitha kanaleve komunikuese me botën, sepse kishte frikë nga zgjimi i njerëzve.

Nga ana tjetër, edhe njerëzit reflektonin dhe përpiqeshin të gjenin ndonjë frëngji apo dritareze, ku përmes tyre të shikonin apo t’u futej ndonjë rreze drite a dielli dhe të shihnin se si argëtohej, se si jetohej e se si funksiononte bota. Edhe këtë Enver Hoxha e pikasi, madje edhe e “gjeti” se njerëzit përmes televizorit po shikonin se çfarë bëhej jashtë, se si bëhej dhe se si ishte zhvilluar të paktën bota rreth e rrotull nesh. Dhe për këtë dha urdhër: “Të bllokohen me anë të zhurmuesve të rinj të gjitha valët e televizioneve të huaja! Ato të mos depërtojnë në Shqipëri!

Ato na infektojnë”! Dhe kjo ndodhi pas vitit 1972, pas Festivalit të 11-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar. Por duhet thënë nga ana tjetër se kishte njerëz, që nuk e honepsën masën bllokuese, pasi njerëzit kishin etje për dije. Edhe ata që ishin më të indoktrinuarit, edhe ata kërkonin të shikonin diçka më tej në televizionet e huaja, të dinin diçka më shumë rreth botës. Ndaj për ta plotësuar këtë boshllëk, njerëzit gjetën zgjidhjen me anën e “kanoçeve”, që është quajtur edhe periudha e “kanoçeve”. Atëherë çfarë ishin “kanoçet”?!

VEGLA QË TRIUMFOI MBI BLLOKADËN E PARTISË-SHTET

Duhet thënë se ishin mendjet e njerëzve specialistë, që punonin në Uzinën e Televizorëve në Durrës, të cilët pas vendimit të Enver Hoxhës mbi mbulimin e territorit shqiptar me valë zhurmuese, si “një masë që njerëzit të mos shikonin televizionet italiane, greke dhe jugosllave”, shpikën “veglën-kanoçe”, që “triumfoi mbi bllokadën e partisë-shtet”. “Mbaj mend që një numër inxhinierësh apo teknikësh, që u morën me këto punë në Uzinë, – kujton Bashkim Kopliku, ish-inxhinier në Uzinën e Televizorëve Durrës, – ishin A.Citaku, H. Agolli, G. Delvina, V. Cumashi, Ll. Jorgollari, A. Spiro, U. Jakova, J. Gjika, P. Mezini, Q. Drita, B. Pojani, U. Xhoja, L. Jaupi etj., njerëz shumë të aftë në profesion. Në fakt, “kanoçja” ka qenë një pajisje e thjeshtë.

Një copë llamarinë për kasetën dhe pastaj ca vida që prodhoheshin në torno e ndonjë tranzistor. Në fillim këto të fundit dolën nga ish-Uzina e Radiove. Më pas nëpër Shqipëri u bënë mijëra pika riparimi radiosh e televizorësh dhe ato i dispononin ato pjesë, që nevojiteshin për prodhimin e “kanoçeve”, punë e cila u bë shumë e vështirë, sepse ajo ndiqej hap pas hapi nga Sigurimi i Shtetit dhe dënohej me burgime apo internime të gjata dhe shoqërohej për personin që kapej me nofkën “i molepsur me shfaqjet borgjezo-revizioniste dhe i dëmshëm për shoqërinë”.

Vërtet për “shpikjen” e “kanoçes” u desh ca punë, që e bënë njerëzit e mrekullueshëm të Uzinës e jashtë saj. Përmasat e prodhimit të saj dhe të shpërndarjes, sipas studimit nëpër arkiva, rezulton se “ishin me një shpejtësi marramendëse”.

Dhe populli me urtësinë e tij proverbiale e pagëzoi konvertitorin me emërtimin popullor “kanoçe”. Fill pas daljes në dritë të kësaj mrekullie çudibërëse televizive, – ka treguar Edison Ypi, një ishshpikës dhe ndërtues i “kanoçeve”, por edhe i persekutuUrdhri i Enverit për të penguar valët e televizioneve të huaja “Burg për këdo që prodhon e përdor ‘kanoçe’, biseda e tensionuar e Enverit me djalin “Me kanoçe në duar”, informacioni që Kadri Hazbiu i dha Enverit në vilën në Pogradec, në vitin 1972.

Ku i gjente populli? ar politik, – ajo ishte një kuti metalike sa një paketë cigaresh. Kishte një kabëll koaksial që lidhej me televizorin dhe një tjetër kabëll të tillë, që lidhej me antenën. Ushqehej me një fill që merrte korrentin jashtë “kanaçes” zakonisht nga një bateri nga ato të ushtrisë, por edhe nga brenda televizorit, ose nga një radrikator i vogël me transformator 220/12 volt dhe një diode. Në brendësi “kanoçja” kishte një transistor, disa rezistenca dhe disa kondensatorë të vegjël, një kondensator variabël të përbërë nga dy pllaka llamarine, që duke u afruar dhe larguar mundësonin ndërrimin e stacioneve të përtejdetit. Kjo vegël në pak kohë do të ndryshonte rrënjësisht përditshmërinë materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve.

Kondensatorët dhe rezistencat, pjesët që i përbënin “kanoçet”, prodhuesit i merrnin nga qarqe elektronike të dala jashtë përdorimit. Më vonë, për t’i dhënë “kanoçes” një pamje më dinjitoze, llamarina e kutisë e zëvendësua me pllaka antimoni blu ose të gjelbra. Përmirësim pas përmirësimi, sukses pas suksesi, nga njëra fitore te tjetra, pllakat, telat, havia, kallaji për ngjitje, kabllot, morsetat, ushqyesit brenda në “kanoçe”, të gjitha këto nga fundi i viteve ‘80-të bënë që pajisja nuk dallonte aspak nga një konvertitur industrial.

Me “kanoçe” kalohej mirë jeta, sidomos nata sepse shiheshin lajme, filma, spektakle, intervista, filmat, spektaklet, Papën polak, Solidarnostin, Perestrojkën, pushkatimin e çiftit Çaushesku, shembjen e Murit të Berlinit, takimin e Maltës, komentet e plot të tjera, që shqiptarët i panë falë “kanoçes”.

PËRMASAT E PËRHAPJES SË “KANOÇEVE”, QË SHQETËSUAN REGJIMIN

Modeli i “kanoçes” së Durrësit, mandej u shpërnda shpejt nëpër gjithë territorin e vendit dhe nga kopjimi i saj nisën me intensitet prodhimet në Tiranë, Shkodër, Korçë etj., etj., pasi kërkesat më të mëdha për to ishin nga rinia, e cila kërkonte të shikonte programe të televizioneve të vendeve të tjera siç kanë qenë ato “Elektrik Blu”, i cili transmetohej nga “Beograd 2” apo “Kolpo Groso” i “Tele Norbës” etj. emisione. Njerëzit ishin aq të etur për stacionet e huaja, saqë edhe çmimi me të cilën shitej një “kanoçe” në tregun e zi ishte nga 200 deri në 250 lekë të rinj copa, vlerë që në atë kohë dhe për të ardhurat e shqiptarëve nuk ishte pak.

Janë prodhuar fshehurazi e shitur në tregun e zi, madje me lutje, me mijëra e mijëra “kanoçe”, shifër që nuk dihet, ama ajo që dihet është se pothuajse në çdo familje shqiptare, e cila dispononte një aparat televizori, se nuk kishin të gjithë televizorë pasi ato shiteshin me autorizim që e jepnin drejtorët, kryetarët e frontit apo organet e partisë, secila familje përpiqej ose e kishte siguruar edhe një “kanoçe”.

Kjo tregonte dëshirën e madhe të njerëzve për të parë botën e lirë përtej perdes së hekurt, që Enver Hoxha e kishte ndarë vendin tonë nga pjesa tjetër e Europës dhe kjo më mirë se kudo manifestohej tek beteja mes shtetit komunist, i cili i bllokoi valët televizive dhe përpjekjet e njerëzve për ta sfiduar atë. Të drejtën për të marrë televizorë me UHF apo si të thuash me “Kanoçe” e kishin vetëm funksionarët e partisë dhe të shtetit me miratimin e Sigurimit të Shtetit. Të tjerët i blinin “kanoçet” në tregun e zi, për të cilat u dënuan me burgime të rënda edhe inxhinierë se teknikë mes tyre përmendim më “specialistin” duar artë Saimir Maloku, i cili përdorte njohuritë teknologjike për të hedhur sytë nga bota e jashtme. Për fatin e keq të tij, teksa ai dhe i ati shihnin televizionin italian, edhe regjimi i shihte ata. Në vitin 1976, e burgosin atë 9 vjet, pasi Sigurimi i vuri përgjues në shtëpi sepse ai prodhonte “kanoçe”.

Në fakt, “kanoçja” ishte një shpikje interesante, e cila hapi për shqiptarët një dritare të madhe nga Perëndimi. “I bëja falas për shokët, – ka treguar inxhinieri vite më vonë, por më pas mësova se disa prej tyre më kishin denoncuar te Sigurimi për bërjen e “kanoçeve”. Në fakt, “kanoçja” nuk ishte gjë tjetër veçse pjesa e quajtur UHF, të cilën montuesit nuk ia montonin aparatit të televizorit, ndonëse vendin e kishte kaseta dhe kjo, mos vendosje e kësaj pjese apo heqja e saj ishte bërë me urdhër të vetë Enver Hoxhës, që t’u pengoheshin njerëzve valët e televizioneve të huaja, që të mos i shihnin kanalet e vendeve borgjeze.

Në fakt, në fillim kur u montuan aparatet e fillimit të televizorëve, ato u montuan së bashku me grupet VHF dhe UHF, por pas vitit 1972, ato sipas urdhrit të Enver Hoxhës dhënë nga ai në atë moment, që përshkruam në fillim që nga Pogradeci, montoheshin aparate televizori pa grupin UHF. Prodhimi i “kanoçeve” e shqetësoi që në fillim Enver Hoxhën se ai pas tyre pa rrezikshmërinë e madhe të tyre që nga njëra anë u hapnin sytë njerëzve e nga ana tjetër i kërcënon fronin, një rrezikshmëri që në një fjalim të tij për shfaqjet e huaja e quajti as më shumë e as më pak por “shpërndarës në popull të infeksioneve nga bota borgjeze”.

Autori: Drejtor Ekzekutiv, Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes
/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura