
Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg me afat 30 ditë” për ish-drejtorin e stadiumit “Qemal Stafa”, Gazmend Sallaku, i akuzuar për korrupsion.Në një seancë ku nuk kanë munguar debatet mes prokurorisë dhe avokatit, gjykata u shpreh se do të urdhërojë mbajtjen në qeli të Gazmend Sallakut për 30 ditë, duke i dhënë organit të akuzës një muaj kohë për paraqitjen e provave të reja. Paraditen e djeshme, ish-drejtori i stadiumit u paraqit në sallën e gjyqit, ndërkohë që prokurori sqaroi rrjedhën e ngjarjes deri tek arrestimi. Organi i akuzës kërkoi masën e sigurisë arrest me burg pa afat, por avokati tha se biznesmeni që denoncoi Sallakun është i pabesueshëm dhe akuzat e tij nuk mund të merren për bazë. Avokati i Sallakut, Ardian Visha, tha në gjyq se klienti i tij ka qenë me agjërim ditën e arrestimit dhe po ashtu vazhdon të jetë me agjërim edhe pse mbahet në paraburgim. Avokati tha se klienti i tij ka probleme shëndetësore dhe për këtë shkak kërkoi një masë sigurie më të lehtë.
Ngjarja sipas prokurorit
Prokurori i Njësisë Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, tha dje në gjykatë se në datën 11 gusht 2011, pranë sektorit të Krimit Ekonomiko-Financiar në Policinë e Shtetit, është paraqitur shtetasi P. Levendi, i cili ka bërë kallëzim penal ndaj Gazmend Sallakut, me detyrë drejtor i qendrës sportive dhe stadiumit “Qemal Stafa”. Në padinë e tij, shtetasi P. Levendi, që ushtron aktivitet në fushën e biznesit, ka pretenduar se ushtron aktivitet në një ambient prej 80 metrash katrorë te pallati i sportit “Asllan Rusi”, Tiranë. Kallëzuesi ka pretenduar se shtetasi Gazmend Sallaku, në cilësinë e drejtorit të stadiumit, i ka kërkuar rreth 3 milionë lekë për t’i dhënë lejen e shfrytëzimit për këtë ambient. Biznesmeni ka theksuar se kishte kryer disa investime dhe punime në këtë ambient, por Gazmend Sallaku po e kërcënonte me prishjen e investimeve me vlerë 20 mijë euro nëse nuk jepte shumën e ryshfetit. Nga ana e shërbimeve të policisë janë kryer veprimet hetimore dhe është përcjellë në prokurori materiali referues për veprën penale “korrupsion aktiv i kryer nga personat që ushtrojnë funksione publike”. Në datën 15 gusht 2011, pas informacioneve të marra për takimin mes kallëzuesit dhe shtetasit Gazmend Sallaku, janë marrë masat për përgjimin ambiental të vendit ku do të zhvillohej takimi. Më datën 15 gusht 2011, rreth drekës, shtetasi P. Levendi ka mbërritur në zyrën e shtetasit Gazmend Sallaku dhe ka biseduar me këtë të fundit për çështjen e shfrytëzimit të ambientit prej 80 metrash katrorë. Pas disa minutave, bazuar në përgjimin ambiental, është arritur të provohet se personi në hetim, Gazmend Sallaku, ka marrë një sasi prej 150 mijë lekësh nga biznesmeni. Në këtë kohë, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë për arrestimin në flagrancë të personit në hetim, i cili ka lëvizur nga zyra e tij dhe ka tentuar të largohet duke u dhënë urdhër punonjësve të pengojnë policinë dhe të mbyllin dyert. Shërbimet e policisë, nga ana e tyre, disa minuta më vonë kanë ndaluar shtetasin Gazmend Sallaku dhe pas kontrollit të ushtruar në zyrën e tij, në një vazo lulesh janë gjetur kartëmonedhat me vlerë 120 mijë lekë që ai kishte marrë nga biznesmeni.
Avokati: Denoncuesi i Sallakut, i pabesueshëm
TIRANE – Avokati i Gazmend Sallakut deklaroi dje se akuza e ngritur ndaj klientit të tij ka disa anomali. Sipas avokatit Ardian Visha, është e paqartë dhe e pazbardhur mënyra si është arritur deri te pagesa 150 mijë lekë, kur sipas prokurorisë pretendohet se Sallaku fillimisht kishte kërkuar 300 mijë lekë. Më tej, avokati ka vënë në dukje se në dosje mungon një shumë prej 20 mijë lekësh. Sipas avokatit, në zyrën e Gazmend Sallakut, ku pretendohet se është bërë pagesa prej 150 mijë lekësh, janë gjetur vetëm 130 mijë lekë, sipas procesverbaleve të sekuestrimit që ndodhen në dosje. Në këtë zyrë, avokati tha se ka qenë i pranishëm vetëm Gazmend Sallaku, i cili u arrestua dhe biznesmeni P.Levendi, që ka bërë denoncimin. “Ju duhet te gjeni se ku ndodhet shuma qe mungon”, tha avokati duke iu drejtuar prokurorisë. Visha theksoi se klienti i tij, Gazmend Sallaku, nuk ka precedentë penalë të mëparshëm. Avokati theksoi se klienti i tij duhet të ndiqet në një masë më të lehtë sigurie për shkak se është besimtar, pasi ditën qe u prangos ai ishte me agjërim. Avokati dorëzoi në gjykatë një raport mjekësor sipas të cilit vërtetohet se 41-vjeçari vuan nga aritmia. Prokurori e kundërshtoi këtë raport duke thënë se kjo sëmundje mbahet nën kontroll me mjekim ambulator.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











