Parlamenti gjerman ka miratuar dje paketën e dytë të ndihmës për Greqinë, me një shumicë të padiskutueshme votash: 496 vota pro, kundrejt 90 kundër dhe 5 abstenimeve. Gjatë debatit në Bundestag, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se shtyrja e Greqisë jashtë euros do të rrezikonte pasoja të pallogaritshme dhe se dështimi i 17 vendeve me monedhën e përbashkët mund të rrezikojë të gjithë BE-në dhe ekonominë globale. Ndërkohë, mediat kanë zbuluar planin e Berlinit për të dërguar inspektorë gjermanë në Greqi, për t’u siguruar se të gjitha taksat po mblidhen siç duhet. I komentuar si “legjioni i huaj”, grupi do të ketë 160 specialistë taksash që do të përpiqen të çrrënjosin korrupsionin dhe të sigurohen se arkat do të mbushen plot, “në një vend ku evazioni konsiderohet një formë arti”. Sekretari gjerman i Departamentit të Financave, Hans Bernhard Beus e zbuloi planin e tij në revistën e biznesit, “WirtschaftsWoche”.











