Bumçi: Me ligjin e ri i mbyllim muzetë që s’plotësojnë kushtet

Jul 26, 2012 | 11:53

Aldo Bumçi

U mblodh dje Komisioni Shtetëror i Muzeve.

Nis inspektimi në 50 galeri dhe muze nën bashkitë. Në shtator ndryshon ligji.

Një inspektim rrufe pritet të nisë së shpejti mbi 50 galeri dhe muze në varësi të bashkive dhe komunave. Ky vendim u mor dje, në mbledhjen e Komisionit Shtetëror të Muzeve dhe u bë i njohur nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi. Komisioni Shtetëror i Muzeve u mblidhet në një kohë kur nga dita në ditë thellohet skandali i vjedhjes së galerisë së arteve “Guri Madhi” në Korçë, ku veç 60 tablove të grabitura për së pari, rezultojnë të zhdukura edhe vepra të tjera në qeramikë. Në mbledhje u ra dakord që jo vetëm të kryhet inspektimi, por dhe të nisë rishikimi i ligjit “Për trashëgiminë”, që do t’i japë kompetenca Komisionit Shtetëror të Muzeve, që ai të marrë masa, të vendosë gjoba, madje nëse kërkohet, edhe të mbyllë muze. Por këto masa merren shumë vonë, pasi Galeria e Korçës është zbrazur nga veprat e saj më të mira, ndërsa nuk dihet se çfarë ka ndodhur në simotrat e tjera shpërndarë nëpër Shqipëri.
Në shtator, ligji i ndryshuar në Parlament
Që prej ditës së shpërthimit të skandalit të grabitjes së “Guri Madhit” në Korçë, ministri i MTKRS-së, Bumçi, doli dje për herë të parë për të reaguar ndaj kësaj ngjarjeje. Sipas tij kjo ngjarje është e papranueshme, aq më tepër kur bëhet fjalë për një qytet si Korça, që deri më sot është konsideruar si kryeqendër e kulturës dhe traditave qytetare. Bumçi shprehu habinë e tij se si është e mundur që një qytet si Korça nuk arrin dot të menaxhojë një galeri arti, e cila ruan në fondet e saj vlera të konsiderueshme kombëtare. Duke parë këtë situatë, në mbledhjen e djeshme u vendos që MTKRS dhe Komisioni Shtetëror i Muzeve të ndërmarrë një inspektim në të gjitha galeritë dhe muzetë në të gjithë Shqipërinë, si dhe të ndërmerret një reformë ligjore. “Ndryshimet në ligj do t’i japin Komisionit Shtetëror të Muzeve të gjithë autoritetin e duhur, në ushtrimin e kontrolleve, vendosjen e penaliteteve, si dhe për të ushtruar kompetencat e tij në mbrojtjen e këtij fondi, deri në masa ekstreme të mbylljes së muzeve apo galerive që nuk plotësojnë kriteret sa i përket sigurisë dhe mirëmbajtjes së këtyre vlerave kombëtare”, tha Bumçi. Sipas tij, ky inspektim që pritet të nisë së shpejti, do të zhvillohet në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Muzeun Historik Kombëtar. Ndërsa rishikimi i ligjit do të zhvillohet gjatë muajit gusht dhe në shtator ai do të kalojë në Parlament.
Keqadministrim

Autoportreti Piktura më e vyer mes tablove të vjedhura te Vangjush Mios

Ministri Bumçi e pranon se duhej ndërhyrë më parë, por ai thotë se askund nuk menaxhohet gjithçka nga pushteti qendror. Ai tha se bashkitë e nivelit të parë, siç është Korça, kanë në dorë cilësinë e jetës së qytetarëve të tyre, ato menaxhojnë infrastrukturën, arsimin, shëndetësinë dhe është e pakuptueshme që ajo të mos jetë e zonja të mos menaxhojë dot një galeri arti. Bumçi u shpreh se, nëse për raste të tjera ka pasur kallëzime për thyerje, dëmtime, mbi këtë ngjarje nuk ka asnjë sinjalizim për thyerje apo dhunë, por bëhet fjalë për një keqadministrim, i cili vihet re jo vetëm në mirëmbajtjen e veprave të artit, por edhe në inventarizimin dhe regjistrimin e tyre. Me ligjin aktual është e pamundur që MTKRS të ndërhyjë dhe t’i vërë drynin Muzeut të Korçës, por kjo do të ndodhë me rishikimin e ligjit. “Qëllimi ynë nuk është të mbyllim galeritë, kjo është masa më ekstreme”, tha ministri, megjithatë kjo do të ndodhë nëse pushtetet vendore nuk do të dinë t’i menaxhojnë ato.

Drejtori i GKA-së, Rubens Shima
“Në Korçë s’më lanëtë shihja fondet”

Drejtori i GKA, Rubens Shima

Tre vjet më parë, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, ka kërkuar të inspektojë gjendjen e fondeve të galerisë “Guri Madhi”, çka ka qenë e pamundur pasi nuk ka gjetur bashkëpunimin e duhur te drejtuesit e Galerisë. Këtë çështje e preku ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dje gjatë një komunikimi me mediat, ndërsa këtë fakt e konfirmon vetë drejtori Shima. Sipas tij, përpara tre vjetësh ai ka shkuar 2-3 herë në Korçë për të verifikuar fondet, por asnjë herë nuk është lejuar të hyjë në ambientet ku ruheshin. Shima tregon se herën e parë që ka shkuar aty nuk kishte asgjë të ekspozuar, herën e dytë ishte ekspozuar një koleksion me vepra të zgjedhura, ndërsa në një vizitë tjetër, pas këmbënguljes së tij për të parë gjendjen në të cilën ruheshin pikturat, i treguan vetëm dy syresh. “Gjendja e tyre ishte shumë shqetësuese. Më treguan dy peizazhe të Vangjush Mios, të cilat ishin gati të panjohshme për shkak të lagështisë dhe rënies së shtratit piktorik. Ato ishin kthyer në ca lecka të vërteta. Kur u kërkuam që ndonjërën prej tyre ta merrnim në Tiranë, për ta restauruar pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, konform një marrëveshjeje, nuk ranë dakord në mënyrë kategorike. Ndërsa më siguruan se nuk kishte vepra të tjera të dëmtuara dhe se këto paraqiteshin më rëndë. Më tej, ata kanë shmangur çdo lloj vizite në vendet ku ruheshin veprat e artit, pasi me shumë gjasë ata e dinin se cila ishte situata”, thotë Shima. Drejtori i Galerisë thotë se me raste vizitash zyrtare apo edhe private, ka parë galeritë e Shkodrës, Durrësit, Peshkopisë dhe Elbasanit dhe në të gjitha, gjendja në të cilat ruhen veprat është kritike. Sipas Shimës, mirëmbajtja dhe rivlerësimi i objekteve të trashëgimisë kulturore janë dy problemet e mëdha nga të cilat vuajnë galeritë dhe muzetë e Shqipërisë. “Mungon kultura minimale e ruajtjes së veprave të artit. Duke u mbajtur nëpër bodrume, për 20 vjet me radhë ato kanë pasur dëmtime të mëdha”, thotë Shima, teksa përshëndet vendimet e Komisionit Shtetëror të Muzeve, si të vetmen rrugë për të shpëtuar edhe ato pak fonde që i kanë mbijetuar masakrës së ’97-s apo keqadministrimit nga ana e bashkive dhe komunave.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura