Bulqizë, vetëvaret me litar 12-vjeçari pas konfliktit me të atin

Dec 30, 2012 | 10:21
Qyteti i Bulqizës

Gjendet në një banesë të braktisur. Komunari i Gjoricës: Ishte fëmijë i shkathët.

Hatërmbetje për një dhuratë, si dhe qortimi i të atit për mushkën.

Hatërmbetja ndaj prindërve çon një 12-vjeçar drejt vetëflijimit. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e djeshme, në fshatin Gjoricë të Bulqizës. Trupi i pajetë i Edison Lleshit, djali i madh i familjes, u gjet në një banesë të braktisur, rreth 500 metra larg shtëpisë së tij.
Burime pranë grupit hetimor sqaruan për mediat se pas marrjes në pyetje të familjarëve, është mësuar se djali ndërmori aktin e vetëvarjes pasi pak minuta më parë babai i tij, Arjani, e kishte qortuar për mushkën, e cila i kishte dalë nga kontrolli, ndërkohë që i ati i kishte thënë ta mbante të lidhur atë. Ndërsa fqinjë të viktimës thanë se kishin dëgjuar debate në familjen Lleshi mes 12-vjeçarit dhe prindërve të tij, pasi ai u ka kërkuar lodra për festën e fundvitit, por ëndrra e tij nuk është realizuar. “Ne, – thanë zyrtarë të Policisë Bulqizë, – kemi marrë shumë prova e dëshmi dhe rezulton se fëmija ka debatuar me prindërit, pasi ai nuk ka zotëruar kafshën e barrës. Nuk ka ende të dhëna se Edison Lleshi është vetëvarur se prindërit nuk i blenë dhurata për Vitin e Ri”. Kryetari i komunës Gjoricë, Vebi Xheka, tha se ngjarja e rëndë ka shokuar gjithë banorët e zonës dhe se ajo nuk lidhet as me “mosbindjen” e 12-vjeçarit për të kontrolluar mushkën dhe as me mosblerjen e dhuratave për fundvitin. “Nuk është ende e sigurt cilat janë motivet e ngjarjes së rëndë. Babai i Edisonit, Arjani, – shtoi Xheka, – është kthyer para një jave nga emigracioni. Kjo familje kishte tre djem. Edisoni ishte djali i madh i familjes Lleshi. Sipas fqinjëve, ai ishte i përkëdheluri i familjes. Ishte i shkathët dhe askush nuk e di pse u vetëflijua në këtë mënyrë”.
Drejtues të Policisë Bulqizë theksuan se janë marrë në pyetje prindërit dhe dëshmitarë të tjerë të ngjarjes dhe po punohet intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Konfirmohet se Edisoni, pas debatit, ka shkuar në ahurin e kafshëve, ku ka marrë një litar dhe me të ka shkaktuar vetëvrasjen në një banesë të braktisur. As Policia, as kryetari i komunës dhe as dëshmi të tjera nuk japin detaje se cilat ishin motivet e forta të ngjarjes së rëndë. “Një gjë është e sigurt, – shtoi kryekomunari i Gjoricës, Vebi Xheka, – familja Lleshi nuk kishte probleme ekonomike dhe fëmija ishte i llastuar. Nuk mund të besohet se fëmija u vetëvar se nuk i blenë dhurata për Vitin e Ri. Edisoni ishte një djalë mjaft i shkathët dhe nuk mund të besohet se ai debatoi me babanë për dhurata. Policia do ta zbardhë ngjarjen që i mori jetën njërit prej tre djemve të familjes Lleshi”, nënvizoi Xheka.

Familja
Arjan Lleshi, kryefamiljari, kishte pak ditë që ishte kthyer nga emigracioni në Itali për të qëndruar me familjen e tij në prag të festave të fundvitit. Bashkë me të shoqen, Silvanën, ishin prindër të tre fëmijëve, më i madhi Edisoni, si dhe dy djem të tjerë, të moshës 9 dhe 4-vjeçare. Tragjedia në këtë familjes, pas vdekjes së Edisonit, ka tronditur të gjithë zonën, që e njihte mirë familjen Lleshi, si dhe moshatarët e 12-vjeçarit.

Precedenti në Bulqizë, u vetëvar 11-vjeçari
Pak muaj më parë, po në Bulqizë, ndodhi një vetëvrasje. Një 11-vjeçar vari veten me litar, pasi kishte dalë nga shkolla dhe po luante me vëllanë e tij më të vogël. Nga të dhënat rezultoi se djali kishte qenë duke luajtur kur kishte lidhur litarin në qafë, duke kopjuar skenat e filmave. Dëshmia e vetme ishte ajo e vëllait të vogël, sipas të cilit viktima i kishte thënë se po luante film.

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura