
Shënohet viktima e parë e motit. Xhevat Muka, tri ditë i zhdukur.
I ftohti i ditëve të fundit ka shkaktuar viktimën e parë në vend. Kjo ndodhi në qarkun e Dibrës, ku raportohen dhe probleme për transportimin e të sëmurëve, si dhe bllokimin e emigrantëve në rrugët nacionale. Burime pranë Komisariatit të Policisë Bulqizë bënë me dije se shtetasi Xhevat Muka, 63 vjeç, banor i fshatit Çerenec, në komunën e Gjoricës, është gjetur dje paradite i pajetë, pak kilometra larg shtëpisë së tij. Të afërm të viktimës kanë sqaruar se Muka tri ditë më parë kishte udhëtuar nga Çereneci drejt qendrës së komunës Gjoricë për të plotësuar dokumentet e ndihmës ekonomike për muajin e radhës. Mirëpo, gjatë kthimit për në shtëpi moti është përkeqësuar akoma më shumë. “Mësohet se ka pasur reshje të dendura dëbore, erë të fortë dhe temperaturat kanë qenë nën 15 gradë”, thanë për “Panorama” burime policore. Familjarët e Mukës janë shqetësuar për mungesën e tij në shtëpi dhe i kanë telefonuar, mirëpo nuk kanë marrë përgjigje. Janë interesuar dhe pranë të afërmve të tyre, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive. Duke kuptuar se moti ishte mjaft i vështirë, të afërmit dhe familjarët e 63-vjeçarit kanë nisur kërkimet, madje kanë njoftuar edhe policinë lokale për humbjen e tij. Pas dy ditë kërkimesh, me ndihmën e ndërmarrjes së rrugëve rurale që mundësoi hapjen e rrugës është gjetur trupi i pajetë i Xhevat Mukës, i ngrirë dhe i mbuluar nga dëbora. Shumë shpejt në vendin e ngjarjes kanë mbërritur edhe efektiva të policisë lokale dhe prokurorë të Dibrës, të cilët kanë kryer hetime të hollësishme për zbardhjen e vdekjes së Mukës. Nga të dhënat e para mendohet se viktima ka humbur jetën për shkak të motit të ftohtë. Dyshohet se fillimisht ka rënë në një gropë uji dhe pasi ka ecur më tej, nga temperaturat e ulëta ka ndërruar jetë. Po dje është vënë në rrezik jeta e një 20-vjeçari nga komuna e Martaneshit në rrethin e Bulqizës. Mësohet se mjekët e spitalit të Krastës kanë konstatuar se i riu kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, pasi i kishte plasur apendiciti, por dërgimi drejt spitalit të Bulqizës ishte i pamundur. Është dashur ndërhyrja e kryetarit të komunës, Gazmend Kenga dhe Drejtorisë së Rrugëve Rurale që kanë mundësuar hapjen e rrugës nacionale Krastë-Qafa e Buallit. Thuhet se trashësia e borës ishte mbi 50 cm dhe makinat e kishin të pamundur ta dërgonin pacientin brenda një kohe të shpejtë në spital. Policia Rrugore njoftoi gjithashtu se dje mbetën të bllokuar për afro dy orë në afërsi të Fushë-Bulqizës dy emigrantë që vinin nga Italia drejt Peshkopisë. Automjeti me targa BE 060 PV mbeti i bllokuar, pasi rruga kishte shumë borë dhe akull. Shtabi i Emergjencave Civile pranë Prefekturës Dibër njoftoi dje se janë mbyllur të gjitha shkollat e qarkut Dibër për shkak të bllokimit të rrugëve dhe mungesave të shumta të nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme.
Europë, 220 viktima nga i ftohti
Dimri i acartë ka shkaktuar deri mbrëmjen e djeshme të paktën 220 viktima në Europë, kryesisht në atë Qendrore e Lindore. Temperaturat dhjetëra gradë nën zero kanë qenë të papërballueshme për banorët e shteteve të ndryshme dhe një pjesë e viktimave raportohet se janë gjetur të ngrira në rrugë. Situatë alarmante është në Ukrainë, ku temperaturat shënojnë këto ditë deri në -33 gradë si dhe në Poloni, në pjesën juglindore të së cilës mbrëmë ishte temperatura -35 gradë. Thuajse gjysma e viktimave janë nga këto shtete, pjesa më e madhe e të cilëve të pastrehë. Mediat ndërkombëtare raportojnë se viktima ka dhe në Rusi, Rumani, Bullgari, Çeki, Letoni e deri në Austri. Moti siberian ka pushtuar dhe Evropën Perëndimore, si Italinë e madje reshje bore janë regjistruar dhe në brigjet e Spanjës. Në Romë, bora arrin mbi 40 cm dhe sipas banorëve, kjo gjendje nuk është parë që prej 3 dekadash. Ndërkohë, zona të tëra janë paralizuar për shkak të stuhisë së dëborës, e cila ka bllokuar dhe qarkullimin e mjeteve dhe në disa raste ka pasur dhe anulim të fluturimeve ajrore.
Bllokohen kamionët në Qafë-Thanë
KORÇE – Reshjet e shumta të borës kanë krijuar probleme në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës. Të paktën 30 kamionë kanë qëndruar në pritje pas procedurave të përpunimit nga pala shqiptare, pasi autoritetet maqedonase nuk lejonin kalimin e tyre. Drejtuesit e mjeteve kanë qëndruar në mes të të ftohtit për rreth 12 orë dhe vetëm pasi 4 borëpastruese kanë hapur rrugën janë lejuar të kalojnë kufirin mjetet me destinacion Greqinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë.
Temperaturat rriten në fundjavë
Një rritje e lehtë e temperaturave do të shënohet në të gjithë vendin gjatë fundjavës. Sipas parashikimit të Meteoalb, do të ketë vranësira dhe reshje me intensitet mesatar dhe në orët e natës intensitet më i lartë. Reshje shiu do të bien në zonat bregdetare, ndërsa dëborë e konsiderueshme parashikohet për zonat malore jugore. Edhe dita e diel do të karakterizohet nga vranësira dhe reshje të përkohshme shiu e dëbore deri në orët e pasdites kur parashikohet përmirësim i përkohshëm i kushteve atmosferike.
SHKODER
Dëbora vazhdon të mbajë të paralizuar pjesën më të madhe të qarkut Shkodër. Dje janë shënuar edhe 3 raste emergjence në zonat e bllokuara nga dëbora. Një vajzë 18 vjeçe nga fshati i thellë malor Bruçaj në komunën e Postribës ka kërkuar ndihmë mjekësore, pasi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Fillimisht ajo është transportuar me barelë nga banorët e zonës nga fshati i saj deri në fshatin Prekal, nga ku më pas ajo është nisur me një automjet të forcave të ndërhyrjes së shpejtë për në spitalin e Shkodrës. Ndërsa 2 rastet e tjera i përkasin komunës Pult, ku dy fëmijë të moshave 3 dhe 6 vjeç, kanë pasur gjendje të rëndë dhe temperaturë të lartë. Për ta është dashur që të vijë një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë për t’i marrë dhe për t’i dërguar për në spitalin e Tiranës.
Situata e rrugëve
Kalohen me zinxhirë
• Të gjitha rrugët e qarkut Korçë
• Të gjithë rrugët e Tropojës
• Berat – Gllavë
• Ura e Skurajve – Peshkopi – Muhurr
• Q.Bualli – Krastë
• Ura e Çerenecit – Viçisht
• Librazhd – Përrenjas – Qukës – Qafë-Thanë
• K/Labinot Fushë – Monumenti Bizë
• Petran – Çarshovë
• Kukës – Qafë-Shllak
• Kukës – Krumë
• Krumë – Qafë-Prush
• Milot – hyrja e Tunelit
• Rrëshen – Qafë-Bënë
• Qafë Mali – Qafë-Shllak
• Pukë – Qafë-Qelë
• Qafë-Mali – Fierzë
• Qafë-Laç – Koman
• Koplik – Bogë
• Dedaj – Razëm
• Qafë-Priskë – Bizë
• Trau – Vilat Qafë Mollë-rruga e re për Shënmri
• Rruga Milot – Kalimash
• Fushë-Dukagjin – MorinëAkset e bllokuara:
• Vicisht – Stebleve – Lunik
• Muhurr – Qafë-Draj
• Topojan – Shishtavec
• Kukës – Draj Reç
• Pukë – Qafë-Qele
• Lunik – Stebleve
• Elbasan – Gjinar
• Rruga e Dardhës, Korçë
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











