
Policia e ka prishur “kontratën” me minatorët. Megjithëse ishte premtuar se asnjë minator nuk do të thirrej nga policia, ka ndodhur krejtësisht ndryshe.Të paktën 50 prej minatorëve protestues dhe grevistë janë thirrur në Komisariatin e Policisë. Ata janë pyetur gjerë e gjatë rreth protestave të zhvilluara në rrugën nacionale si dhe grevën e urisë në thellësinë 1400 metra nën tokë. Vetëm dje paradite janë thirrur të paktën 10 minatorë, ndërkohë që duke iu referuar shoqërimeve të ditëve të fundit, numri i minatorëve të pyetur për ngjarjet e fundit në Bulqizë është të paktën 50. Kryetari i këshillit sindikal të minatorëve të Bulqizës, Dilaver Përkoxha, është thirrur në Komisariatin e Policisë Bulqizë nga ora 09:00 deri në orën 11:00. Teksa ai është marrë në pyetje nga efektivat e policisë lokale, kolegë dhe familjarë të tij kanë qëndruar në hyrje të godinës dhe kanë pritur me ankth lirimin e tij. Vetëm pak minuta pasi është lënë i lirë, Përkoxha deklaroi se është pyetur nga oficerët e policisë në lidhje me bllokimin e rrugës nacionale Tiranë-Peshkopi të enjten e shkuar dhe për organizatorët e saj. Atij i është kërkuar të nënshkruajë një dokument ku të deklarojë mospjesëmarrjen e tij në protestat e ditëve të ardhshme. Mësohet se Përkoxha është shprehur se është kryetar i këshillit sindikal dhe se do të vihet në krye të lëvizjeve sindikaliste deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të minatorëve. “Jam thirrur në polici, por nuk jam kërcënuar. Atje isha për dy qëllime. Së pari, jam pyetur për protestat e minatorëve dhe, së dyti, dorëzova një njoftim për protestat e ditëve të ardhshme në mjediset e ACR-së”, pohoi Përkoxha. Ndërkaq, burime të sigurta informacioni saktësojnë se minatorët e thirrur nga policia janë pyetur për organizatorët e protestave në rrugë, sheshe dhe mjediset e ACR-së, si dhe grevën e urisë së minatorëve. “Kush ju thotë të dilni të bllokoni rrugët nacionale? Çfarë do të bëni në ditët e ardhshme? Deklaroni se nuk do të dilni më në protesta?”, mësohet të jenë disa nga pyetjet e oficerëve që janë caktuar për të hetuar ngjarjet e javëve të fundit në qytetin e Bulqizës.
Zyrtarë të Konfederatës hamendësojnë se të gjitha këto veprime të policisë kanë për qëllim të frikësojnë minatorët, në mënyrë që ata të dorëzohen pa kushte. “Vetëm dje janë thirrur në polici 10 minatorë dhe këtë veprim ne e konsiderojmë mjaft të ulët. Gjatë negociatave që kemi pasur me zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit na është deklaruar se asnjë minator nuk do të thirret, shoqërohet apo ndalohet nga policia. Ky presion i ditëve të fundit, duke thirrur në polici minatorët dhe familjarët e tyre, tregon se struktura të caktuara shtetërore tentojnë të dobësojnë keq lëvizjen sindikaliste”, thanë drejtues të Konfederatës së Sindikatave të vendit. Kol Nikollaj, Taf Koleci dhe Dilaver Përkoxha, drejtuesit kryesorë të minatorëve, thanë se janë në pritje të një reagimi pozitiv nga firma austriake “ACR”. “Ne do ta presim firmën e huaj deri në orën 14:00 të ditës së hënë. Në orët e mëngjesit do të mblidhet komisioni i grevës për të përcaktuar hapat konkretë të lëvizjes sindikaliste. “Fillimisht, dy-tri ditët e para do të protestohet në mjediset e ACR-së dhe sheshin para Bashkisë, ndërkohë që firma e huaj mund të na imponojë të organizojmë tjetër grevë urie, këtë jashtë mjediseve të minierës”, deklaruan anëtarët e komisionit të grevës.
Policia
Bulqiza zbrazet nga forcat speciale. Gjatë ditës së djeshme vetëm 2 furgonë me uniforma blu kanë qëndruar në ambientet e jashtme të minierës së Bulqizës, ndërsa dhjetëra të tjerë e kanë lënë qytetin prej pasdites së të shtunës, pikërisht pak orë pas daljes nga greva e urisë në ditën 26 të saj të 10 minatorëve të ngujuar nën tokë.
PD: Rama përçmoi minatorët, asnjë propozim për ta
Partia Demokratike reagoi dje ashpër nëpërmjet një deklarate për mediat, duke e cilësuar reagimin e kreut të opozitës, Edi Rama, ndaj minatorëve të Bulqizës si përçmim. “Në një letër tjetër të hapur, z. Edi Rama shpalos sërish fjalorin dhe mentalitetin e tij identik me të etërve të tij, duke faktuar se as disfata e radhës në zgjedhjet lokale të 8 majit në tërësi, as disfata personale e katërfishtë e z. Rama në Tiranë në këto zgjedhje, nuk e kanë bindur atë të lërë mbrapa të shkuarën. Në pamfletin e tij bajat, të mbushur me vrer dhe fjalë kazani ndaj kundërshtarit të tij, z. Rama, kryetari i partisë më të madhe opozitare, nuk sjell as edhe një propozim të vetëm në interes të jetës së grupit të minatorëve në grevë, duke dëshmuar se ai ka përçmim për qytetarët e këtij vendi”, thuhet në reagim. Më tej PD reagon duke thënë që Rama kërkon të luajë me fatkeqësinë e minatorëve për ta përjetuar atë si fitore personale. “Ai, njëlloj si ata që për llogari të z. Rama dhe karriges së tij, manipulojnë çdo ditë me vuajtjen dhe dhimbjen e minatorëve, aludon dhe shpreson se do të mundë të përjetojë gëzimin e lajmit të fatkeqësisë së minatorëve dha ta shpallë atë si fitore të madhe të tijën e të Partisë Socialiste. Partia Demokratike i kujton edhe një herë z. Rama se fjalori i tij plot shpifje, sharje e trillime, i huaj për moralin e çdo qytetari, mori më datë 8 maj përgjigjen më të merituar nga qytetarët shqiptarë në tërësi dhe ata të Tiranës në veçanti, që i rezervuan z. Rama humbjen personale të katërfishtë më të hidhur të jetës së tij”, thuhet në reagimin e PD-së.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











