Bulqizë, policia në galerinë ku janë ngujuar 14 grevistë

Aug 20, 2011 | 11:41
Greva e urisë së minatorëve në Bulqizë

Miniera e Bulqizës pushtohet nga forcat e policisë. Pas dështimit të Përmbarimit për të ekzekutuar urdhrin e Gjykatës, që grevistët të dalin jashtë galerisë, mbrëmja u ka takuar Forcave Speciale.Në orën 22:30, gati 300 forca policore kanë rrethuar gjithë territorin e minierës së Bulqizës dhe në mesnatë i janë afruar ashensorit të galerisë ku janë ngujuar minatorët grevistë, pasi kanë shpërndarë sindikalistët. Në portën e galerisë kanë qenë dhjetëra minatorë e familjarë të 14 grevistëve të urisë, të cilët për disa orë kanë refuzuar të lejojnë afrimin e policisë, duke kërcënuar dhe me izolimin e tyre në thellësitë e galerisë. Rreth orës 22:45, drejtues të RENEA-s, drejtori Shemsi Prençi, drejtori i Policisë së qarkut Dibër, Artan Hasanaj e zyrtarë të tjerë të efektivave të policisë, bashkë me përmbaruesin, pasi kanë rrethuar gjithë zonën, kanë kontaktuar me presidentin e Konfederatës, Kol Nikollaj. Ata i kanë kërkuar Nikollajt që të mundësojë largimin e minatorëve dhe familjarëve nga porta hyrëse në minierë. Nikollaj ka kërkuar nga ana e tij të ketë një kopje të vendimit të Gjykatës së Faktit dhe t’i jepet kohë për ta apeluar atë. Sapo forcat policore kanë marrë situatën nën kontroll, minatorët e pranishëm kanë shpërthyer në duartrokitje me thirrjet: “Minatorët”, “Policia është me ne”, “Ne jemi vëllezërit tuaj” dhe kanë kërkuar të mos dhunohen. Mësohet se forcat RENEA kanë qenë të pajisura me skafandra, antiplumb, ndërkohë që është menduar të shfrytëzohet nata për ndërhyrje në galeri, ku dy ashensorët janë të bllokuar. Rreth mesnatës, kreu i Sindikatës, Nikolla dhe përfaqësuesit e policisë në këtë aksion për lirimin e minierës kanë tentuar të bisedojnë për ta zgjidhur paqësisht problemin. Nga ana e drejtuesve të Sindikatës është deklaruar se çdo ndërhyrje me dhunë do ta përkeqësonte situatën. Mesnata i ka gjetur në këto kushte dy palët, ndërsa situata ka qenë e nderë deri në pritje të një zgjidhjeje pa pasoja për ta.
Gjatë orëve të pasdites, forcat e policisë u vendosën në rrugën nacionale, kryesisht në Qafën e Buallit dhe pastaj në rrugët brenda qytetit, duke krijuar një situatë të pazakontë për minatorët dhe banorët e qytetit. Ndërkaq, efektivë të Policisë Rrugore, të komisariateve Mat, Bulqizë e Dibër, të ndihmuar nga forcat e ardhura, kanë nisur kontrollin e të gjitha makinave që lëvizin në rrugën kryesore apo rrugët qytetëse. Kur e kanë mësuar këtë fakt, minatorët kanë reaguar me kërcënimin se do të fikin pompat e ujit, çka do të thoshte përmbytje të galerisë brenda pak orëve. Një variant tjetër që minatorët diskutojnë është izolimi në minierë i forcave që do të ndërhyjnë forcërisht në minierë. Presidenti i Konfederatës së Minatorëve, Kol Nikollaj, tha në orët e mbrëmjes se do të ketë rezistencë nga ana a minatorëve. “Jemi të habitur pse krijohet një situatë e tillë në qytetin e Bulqizës. Ne nuk jemi terroristë. Minatorët po vuajnë për copën e bukës. Ata kanë kërkuar, si në çdo vend demokratik, rritje page, kryerjen e investimeve dhe kushte më të mira pune. Atëherë pse duhet të blindohet qyteti me kaq shumë forca policie”.

Përkoxha: Pse u shtriva në rrugë me djalin 10 vjeç

Dilaver Përkoxha, me të birin në protestë

Dilaver Përkoxha, kryetari i këshillit sindikal të 700 minatorëve, ka lënë pak ditë më parë grevën e urisë. Pasi i është nënshtruar një mjekimi profesional mjekësor, është rikthyer në krye të kolegëve të tij. Në protestën e fundit, ku minatorët bllokuan rrugën nacionale, ai është përleshur me forcat e rendit, madje bashkë me djalin 10-vjeçar është shtrirë në rrugë. Në një prononcim të tij Përkoxha shprehet se minatorët janë në të drejtën e tyre dhe se kërkesat do të zgjidhen.
Çfarë përjetuat në grevën e urisë, 1400 metra nën tokë?
Që në fillim të intervistës time të parë pas daljes nga greva e urisë dua të theksoj se minatorët e Bulqizës janë heronj, sidomos ata minatorë që kanë vënë jetët e tyre në rrezik, në thellësitë e minierës. Gazetarët më mirë se kushdo e kanë parë sa të rënda janë kushtet. Atje të merret fryma, ka shumë lagështirë, ka frikë, panik, gjithçka të keqe. Kam lexuar çdo ditë gazetën tuaj dhe gjej rastin ta falënderoj redaksinë e “Panoramës” për mbështetjen e drejtë që na ka dhënë ditë pas dite. Herë pas here, në biseda me kolegët e mi kemi menduar për familjen, për fëmijët, për kolegët në sipërfaqe.
Kishit menduar se protestat dhe greva e urisë do të zgjaste kaq shumë?
Unë kam menduar vazhdimisht se firma e huaj do të arsyetonte më shpejt në zgjidhjen e kërkesave të minatorëve. Afro gjashtë muaj para nisjes së protestave ne e kishim paralajmëruar firmën austriake për kërkesat tona. Me sa jemi në dijeni, administratori i ACR-së në Shqipëri nuk e ka vënë në dijeni pronarin në Austri, me mendimin se minatorët nuk do të protestonin apo të hynin në grevë urie.
Të enjten ju ishit në krye të protestave në rrugë, madje jeni shtrirë në rrugë bashkë me djalin e vogël…
Unë jam mësuar me dhunën e policisë. E kam pranuar me dëshirë detyrën e kryetarit të këshillit sindikal dhe kam marrë parasysh edhe risqet. Pas daljes nga greva kam qëndruar 3 ditë e 3 net në një klinikë, pasi ne rrezikoheshim nga shikimi. Sapo e mora veten vendosa të dal në krye të protestave. Djalin e mora me vete për t’i thënë ACR-së dhe strukturave shtetërore se ne do të marrim mbi supe çdo rrezik dhe nuk tolerojmë deri në zgjidhjen e kërkesave të deklaruara. Djali kishte shumë frikë, pasi gjatë gjithë rrugës jam goditur me grushte dhe jam kërcënuar nga policia, sidomos nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, numri i të cilëve dje është shtuar akoma më shumë.

Vazhdojnë përplasjet ACR-Nikollaj për zgjidhjen

BULQIZE – Gjatë gjithë ditës së djeshme ka pasur përplasje deklaratash mes ACR-së dhe kreut të Sindikatave të Minatorëve të Bulqizës. Paradite ata vendosën që të vazhdojnë grevën e urisë edhe pas vendimit të gjykatës së Dibrës për t‘i nxjerrë jashtë galerisë apo draft-memorandumit të afruar nga ACR. Ata kanë kërcënuar se nëse policia do të tentojë të nxjerrë me dhunë minatorët grevistë atëherë ata do ta përmbysin minierën duke rrezikuar kështu edhe jetën e tyre. Në një prononcim për mediat, kryetari i Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, deklaroi se sindikata do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e minatorëve, duke shtuar, se minatorët janë të gatshëm të ulen në tryezë me përfaqësuesit e kompanisë ACR për të arritur një marrëveshje në lidhje me kërkesat e tyre. Në mesditë minatorët u njoftuan se drejt qytetit te tyre po udhëton pronarja e ACR-së bashkë me disa deputetë të Qarkut Dibër, por kjo mbeti thjesht aludim. Ndërkaq administratori i ACR, Giga Bedineishvili deklaroi në media se kompania është gati të plotësojë kërkesat e minatorëve dhe riakuzoi Kol Nikollaj se po pengon marrëveshjen. Në një mesazh dërguar dje minatorëve administratori shkruan: “Të nderuar minatorë, ACR është gati të plotësojë kërkesat tuaja. Gati të rifillojmë punën e të kthejmë normalitetin në minierë. Kol Nikollaj e grupi i tij po na pengon që të arrijmë këtë”. Menjëherë pas mesazhit të ACR-së ka reaguar Kol Nikollaj, i cili në një dalje publike është shprehur se është Giga Bedineishvili ai që pengon realizimin e një marrëveshje mes ACR-së dhe minatorëve. Dje policia lokale njoftoi se të paktën 30 minatorë të Bulqizës janë thirrur në komisariat dhe u është thënë se kanë shkelur ligjin kur ata kanë bllokuar rrugën nacionale.

Kreu i Sindikatave, kundër grevës së urisë

Me indinjatë është pritur nga minatorët deklarata e presidentit të Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalaja, i cili gjatë një interviste, kritikoi Konfederatën e Sindikatave duke u shprehur se lëvizja sindikaliste ka degraduar dhe se Sindikata nuk mund të diktojë firmën e huaj kë duhet të mbajë drejtor të minierës. Sipas Kalasë, minatorët kanë të drejtë të kërkojnë rritje page dhe kushte më të mira pune, por ata nuk mund të vendosin për drejtorin e minierës apo largimin e firmës së huaj. “Miniera e Bulqizës është pasuri kombëtare dhe ajo nuk mund të mbahet peng nga Konfederata e Sindikatave”, është shprehur Kalaja. Ai nënvizoi se protestat dhe greva e urisë kanë hyrë në muajin e dytë dhe se kërkesat e minatorëve nuk janë zgjidhur, pasi ato ndryshohen herë pas here dhe ka humbur besimi mes palëve.

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura