Bulqizë, Nikollaj: Minierën do ta bllokojmë për dy vjet

Aug 18, 2011 | 12:04
Minatorët e Bulqizës, gjatë grevës së urisë

“Minatorët e Bulqizës janë të vendosur ta mbajnë të bllokuar minierën e kromit për një periudhë të gjatë”.Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, tha dje se çdo dhjetë ditë në grevën e urisë do të hyjnë dhjetë minatorë. Sipas tij, kjo do të thotë se do të jenë 70 grupe, të cilët mund ta mbajnë minierën të bllokuar për dy vjet. “Në radhët e minatorëve, – tha Nikollaj, – ka një vendosmëri të paparë të tyre. Ata janë të vendosur të mos e ndalin grevën e urisë dhe protestat, pasi e kanë të qartë se pa u plotësuar kërkesat e tyre, miniera mbyllet për gjashtë muaj”. Sipas tij, tani ACR po tenton një luftë nervash me minatorët, me mendimin se ata do të lodhen dhe se marrja e bukës e ushqimeve me listë do t’i mposhtë në kauzën e tyre. “Kjo nuk ka për të ndodhur, pasi minatorët tani nuk kanë çfarë të humbasin. Pas pak ditësh, ata do të çojnë fëmijët e tyre në shkollat 9-vjeçare, të mesme dhe në shkollat e larta. Pak prej tyre kanë mundësi t’u blejnë librat, rrobat apo t’u paguajnë bursat. Pra, situata është kritike dhe mjaft e rëndë”, nënvizoi Nikollaj, i cili së bashku me Taf Kolecin, presidentin e Konfederatës së Industrisë, qëndrojnë pranë minatorëve të Bulqizës. Nikollaj sqaron se edhe shteti ka humbje serioze për shkak të ndërprerjes së punës në minierën e Bulqizës. “Nga të dhënat tona mësojmë se eksportet janë ulur me 15 për qind, vetëm se nga miniera e Bulqizës nuk eksporton krom drejt tregjeve ndërkombëtare”, deklaroi ai. Ndërkaq, specialistët shprehen se për të rivënë në punë minierën do të duhen financime serioze, pasi janë dëmtuar rëndë frontet e punës, madje ata shprehin shqetësimin e tyre se subjektet private që punojnë brenda koncesionit dhe në afërsi të tij kanë vjedhur bazën materiale të minierës kryesore. Ndërsa 4 prej grevistëve po vazhdojnë prej 3 javësh në grevë urie, 10 prej tyre kanë ditën e tretë të ngujimit në galeri. Nga ana tjetër, minatorët që janë jashtë, po shfrytëzojnë çdo mjet demokratik për zgjidhjen e kërkesave të tyre ekonomike. “Mbështesni grevën e minatorëve. Mos na lini vetëm 1400 metra nën tokë”, është faqja e Facebook-ut që mbështetësit e tyre kanë hapur pak ditë më parë dhe numri i fansave e ka kaluar shifrën e 3 mijë vetave. Në të nuk mungojnë opinionet, fotot dhe thirrjet drejtuar strukturave shtetërore e firmës së huaj për të plotësuar kërkesat e minatorëve.

AKBN ne minieren e Bulqizes, s’lejohen te greva

BULQIZE – Pesë specialistë të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore kanë inspektuar për të paktën 5 orë minierën e kromit Bulqizë. Sipas Presidentit të Konfederatës së Industrisë, Taf Koleci, specialistët kanë mbërritur në Bulqizë mbrëmjen e së premtes, por ata nuk kanë pasur mundësi të hyjnë në minierë. “Ishte ora 20.00 kur specialistët e AKBN kërkuan të hyjnë në minierë për inspektim, por ne nuk kishim specialistë për t’i shoqëruar. Kjo bëri që “vizita” e tyre në galeritë kryesore të kryhet mëngjesin e sotëm”, sqaroi dje Koleci. Ai saktësoi se sindikalistë dhe kryeinxhinieri Fadil Cani kanë shoqëruar specialistët e ardhur nga Tirana, por nuk janë lejuar të hyjnë në galerinë ku ndodhen të ngujuar minatorët.

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura