Bulqizë, minatorët: Të ikë ACR

Jul 9, 2011 | 10:26
Nga protesta e minatorëve në Bulqizë

Një tjetër kërkesë e minatorëve të Bulqizës është shtuar dje, pas takimit të organizuar në Ministrinë e Ekonomisë.Minatorët deklaruan se do të kërkojnë me të gjitha mjetet demokratike largimin e firmës austriake “Albanian Krom”, pasi ajo nuk ka plotësuar kushtet e kontratës koncesionare.
Qindra minatorë të Bulqizës kanë ndjekur me ankth zhvillimin e bisedimeve nëpërmjet mediave. Presidenti i Konfederatës, Kol Nikolli dhe përfaqësuesit e minatorëve kanë kërkuar takim me ministrin e Ekonomisë, por fillimisht ata janë pritur nga zëvendësministri Neritan Alibali. Që në këtë moment, minatorët që ndiqnin nga televizionet takimet në Tiranë u shprehën se jo gjithçka po shkonte siç ata e prisnin. “Nuk ishte asgjë më shumë e asgjë më pak se një takim fotokopje, siç kemi pasur me ministrat dhe zv.ministrat para 4 viteve. Zv.ministrin e falënderojmë për pritjen, por masat që u morën nuk ishin konkrete. Alibali na tha se ka dërguar një grup pune në minierën e Bulqizës dhe ka ngritur një Task-Force, të njëjtat gjëra që kanë bërë dhe të tjerë. Ne nuk duam zgjidhje me fjalë, ne duam zgjidhje me vepra”, u shpreh Nikolli. Ka mjaftuar kjo deklaratë e kreut të Konfederatës për të kuptuar se nuk ishin afruar zgjidhje konkrete për minatorët, por gjithçka po zvarritej pafundësisht. Nikollaj bëri dhe një herë të njohura kërkesat: Të rritet paga 20%, Sindikata e Minatorëve të bëhet palë me Ministrinë që të shmangen këto probleme që janë sot dhe të pastrohen minierat nga firmat koncesionare që kanë rezultuar firma pirate. Të tjera kërkesa janë mbi investimin, si: ndërhyrje urgjente në puse, pastrimi i tyre në thellësi dhe hapja e puseve të reja. “Miniera po shkatërrohet, nuk do jetojë më gjatë”, theksoi presidenti i Konfederatës. Reagimi vjen dhe nga minatorët e Bulqizës, që prej një jave po vazhdojnë protestat. “Me sa shohim, firma e huaj kërkon ta hedhë lumin pa u lagur. Ne nuk mund të jemi dakord me zvarritjen që i bëhet shqetësimit tonë. Prej shumë vitesh dëgjojmë ngritje të grupeve të punës, kontrolle në sektorët minerarë etj. Sipas METE-s, ne duhet të presim deri atëherë kur ky dikaster të zbardhë veprimtarinë e ACR-së. Po kjo është lehtësisht e verifikueshme, pasi vetëm kontrata koncesionare, sikur të shihet me kujdes, gjenden shkelje të shumta. Ku janë milionat e premtuara për investime, pasi miniera po plaket dhe po merr fund?!”, thanë dje minatorë të Bulqizës. “Ne do të bllokojmë rrugën nacionale, do të protestojmë në rrugët e qytetit dhe do të nisim grevën e urisë”, thanë drejtues të protestës. Dje minatorët nuk kanë lejuar asnjë makinë me krom të lëvizë në drejtim të Portit të Durrësit, madje janë shprehur se do të bllokohen edhe subjektet private, pasi mund të bëjnë tregti me firmën “ACR”.

5 kerkesa
kanë minatorët: rritja e pagave, heqja e taksës së dyfishtë, përmirësimi i kushteve në punë, largimi i subjekteve të tjera të palicencuara nga territori i kësaj kompanie, si dhe uljen e moshës së pensioni

5 dite
më parë nisi protesta masive e minatorëve të Bulqizës, me qëllim realizimin e kërkesave ekonomike. Në rast të kundërt, ata kërkojnë me nisjen e një greve urie pa afat, ndërsa puna është paralizuar plotësisht

Kukës, dy viktima në minierat e kromit

KUKES – Minierat e kromit marrin dy jetë. Një punëtor i minierës së Kalimashit në Kukës humbi jetën dje në Spitalin Ushtarak, pak orë pasi iu shemb mbi trup galeria ku kishte hyrë për të nxjerrë krom. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, kur Avdi Gjuni, 44 vjeç, ishte futur në brendësi të minierës. Gjuni është gjetur nga kolegët e tij në gjendje të rëndë, duke u transportuar me shpejtësi drejt spitalit të Kukësit. Pas dhënies së ndihmës së parë është kërkuar ndihma e helikopterit me qëllim transportimin e tij për në Spitalin Ushtarak të Tiranë, ku dhe ndërroi jetë pas rreth 3 orësh. Ndërsa Gjuni ishte i punësuar nga një firmë që e ka marrë me koncesion minierën dhe po verifikohen kushtet në vendin e punës, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në zonën krommbajtëse të Tropojës. Një çift bashkëshortësh kishte hyrë për të nxjerrë krom në një prej minierave të braktisura, në fshatin Kam të komunës Bytyç, në afërsi me rrethin e Hasit. Basri Elezi, 41 vjeç, dhe gruaja e tij Hajrie, 40 vjeçe, ishin futur pasditen e së enjtes nën tokë, por gazrat e galerisë i kanë asfiksuar ata. Të dy bashkëshortët kanë mbetur pa ndjenja në galeri ku janë gjetur nga një bashkëfshatar i tyre, i cili ka njoftuar policinë dhe ndihmën e shpejtë. Pasi i kanë dërguar në spitalin e Krumës, duke qenë se ndodhet më afër në krahasim me qytetin e Bajram Currit, 41-vjeçari ka arritur të mbijetojë, ndërsa gruaja e tij, nënë e tre fëmijëve, ka vdekur. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë efektivët e policisë, të cilët po punojnë për zbardhjen e ngjarjes tragjike. Që nga vitet ’90, kur ndërmarrjet shtetërore të minierave falimentuan, në galeritë e braktisura të kromit dhe mineraleve të tjera kanë punuar fshatarët pa asnjë kusht teknik, në mënyrë amatore, duke u bërë dhe viktima të aksidenteve të papritura.        j.h

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura