Bulqizë, minatorët bllokojnë mjetet me krom të firmës “ACR”

Jul 12, 2011 | 9:42

BULQIZE – Përshkallëzohet reagimi i minatorëve protestues në qytetin e Bulqizës. Durimi i minatorëve po soset dhe priten të tjera lëvizje sindikaliste. Mësohet se gjatë dy ditëve të fundit minatorët nuk kanë lejuar transportimin e kromit drejt Portit të Durrësit dhe kanë vendosur që sot paradite të kenë gati listën e grevistëve të urisë. Minatorët janë informuar se kompania “Albanian Krom” mund të tentojë të sigurojë krom nga subjekte të tjera minerare, për të mbajtur gjallë kontratën që ka me subjekte të tjera, ndaj kanë vendosur që asnjë mjet të mos transportojë lëndë të parë drejt UFK-së Elbasan. Grupe minatorësh që ndërrojnë njëri-tjetrin në hyrjen kryesore të minierës së Bulqizës nuk lejojnë të dalë prej andej asnjë kamion i ngarkuar me mineral kromi. Të njëjtën gjë bëjnë grupe të tjera minatorësh në Qafën e Buallit, ku ndalohen të kalojnë edhe kamionët e ngarkuar në minierat e Martaneshit apo të Tërnovës. Minatorët shprehen se janë të vendosur në kërkesat e tyre deri në fund, derisa firma “ACR” të plotësojë kërkesat e tyre ekonomike dhe t’i përmbahet kontratës së nënshkruar me palën shqiptare. Vetëm një kontakt kanë pasur minatorët dhe këshilli sindikal i tyre me përfaqësuesit e ACR-së në mjediset e saj në Bulqizë. Madje kjo mbledhje përfundoi pa asnjë rezultat, pasi përfaqësuesit e firmës vunë kushte mbi minatorët. Debati degjeneroi në fyerje e përplasje, derisa palët qëndruan në pozicionet e tyre. Austriakët vunë kusht që minatorët të kthehen në vendet e tyre të punës, ndërsa minatorët kërkuan plotësimin pa kushte të kërkesave të tyre. Dje minatorët e Bulqizës kanë zhvilluar ditën e tetë të protestës së tyre. Kanë sfiduar të nxehtin e pazakontë dhe janë tubuar në pjacalen e minierës së kromit. Kryetari i këshillit sindikal, Dilaver Përkoxha, është shprehur për minatorët se bordi i ACR-së është mbledhur në Austri dhe të mërkurën protestuesit mund të marrin një përgjigje. Në pritje të saj, drejtuesit e protestës po hartojnë listën e minatorëve që dëshirojnë të hyjnë në grevë urie. “Janë dhjetëra minatorë që dëshirojnë të hyjnë në grevë urie dhe është e pamundur të gjejmë një ambient për t’i strehuar të gjithë. Sot do të lajmërojmë policinë lokale dhe spitalin e qytetit për grevën tonë të urisë, që mund të nisë të mërkurën pasdite”, thanë burime pranë shtabit të protestës paqësore. h.p

© Panorama.al

Te lidhura