
Tri ditë afat i kanë dhënë firmës së huaj minatorët e Bulqizës. Të shqetësuar se askush nuk është interesuar deri dje në mbrëmje për kërkesat e tyre tërësisht ekonomike, ata kanë deklaruar se do të presin tri ditë dhe pastaj do të nisin grevën e urisë pa afat.Prej disa ditësh drejtuesit e Konfederatës së Shqipërisë dhe ata të Këshillit Sindikal të Bulqizës kanë bërë publike kërkesat e tyre për përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave me 20 për qind, largimin e subjekteve të palicencuara nga territori i firmës koncesionare “ACR”, kryerjen e investimeve të thellësisë etj. Dilaver Përkoxha përsëriti dje këto kërkesa, madje shtoi se tani ka ardhur koha për t’i përshkallëzuar lëvizjet sindikaliste, pasi deri tani ka heshtje të pakuptimtë të drejtuesve të minierës dhe firmës së huaj. “Këshilli Sindikal, në bashkëveprim më Konfederatën e Sindikatave të Industrisë, ka vendosur që t’i japë tri ditë afat firmës ‘ACR’ për zgjidhjen e kërkesave të tyre ekonomike. Sot është vendosur të protestohet edhe në hyrje të minierës, por edhe në sheshin kryesor të qytetit. Do të kërkojmë edhe mbështetjen e qytetarëve, pasi ata janë të interesuar po aq sa ne për fatet e minatorëve. Kemi vendosur të mos lejojmë asnjë makinë të transportojë kromin e minierës tonë drejt Durrësit”, tha Përkoxha.
Luan Nika, kryetar i protestës së minatorëve të Bulqizës, tha dje se të gjithë minatorët ndjehen të kërcënuar nga firma austriake. Sipas tij, në mungesë të dialogut dhe negociatave, firma e huaj koncesionare ka zgjedhur presionet mbi minatorët. “Atëherë kur ne prisnim një përgjigje pozitive për dialog dhe marrëveshje, na vjen një letër kërcënuese nga firma ‘Albanian Krom’. Zyrtarët lokalë të firmës na dërguan një letër, e cila, sipas tyre, kishte ardhur nga Austria dhe pronari i minierës kërkonte rikthimin tonë menjëherë në punë. Madje më tej thuhej që minatorët duhet të rikthehen urgjentisht në vendet e tyre të punës, ndryshe do të ndalej puna për disa muaj në galeritë e kromit të Bulqizës”, tha Nika. Sipas tij, kjo është një strategji e firmës për të frikësuar minatorët.
Megjithëse një ditë me shi ajo e djeshmja, minatorët kanë qëndruar për disa orë në oborrin e ndërmarrjes. Protesta ka qenë e qetë dhe nuk është dashur ndërhyrja e efektivave të policisë, të cilët kanë ndjekur në afërsi lëvizjen e fundit sindikaliste. Herë pas here kanë folur minatorët duke përmendur shqetësimet e tyre. “Firma e huaj duhet të marrë një vendim të shpejtë për rritjen me 20 për qind të pagave. Minatori i nëntokës merr më pak se 40 mijë lekë në muaj. Përfytyroni ç’ndodh kur hyjmë nën tokë. I themi njëri-tjetrit me gjysmë zëri: ‘Dalshi shëndoshë!’. Vetëm kjo do të mjaftonte për të rritur pagesën e punëtorëve të thellësisë”, tha Njaziu, njëri nga minatorët e nëntokës. Kolegë të tij u shprehën se mosha e daljes në pension është 60 vjeç dhe shumë pak prej minatorëve e gëzojnë atë, pasi puna e rëndë nuk u jep mundësi atyre të rrojnë gjatë.
3 dite
mbushen sot nga dita e parë e protestës masive të 700 minatorëve të Bulqizës që punojnë për ACR-në dhe kërkojnë zbatimin e kushteve të tyre
Kreu i Konfederatës: Kërkesat tona, ekonomike
Taf Koleci, kryetari i Konfederatës së Minatorëve e Metalurgëve, u shpreh se pas ditës së dytë të protestës në radhët e sindikalistëve është rritur revolta ndaj atyre që kanë zgjedhur heshtjen në vend të një përgjigjeje për minatorët. “Do të presim edhe tri ditë. Kërkesat tona thellësisht ekonomike i janë bërë të njohura firmës austriake, Ministrisë së Ekonomisë e Këshillit të Ministrave. Sot do të protestojmë edhe në qendër të qytetit, ndërsa pas tri ditësh, nëse nuk marrim zgjidhje, do të hyjmë në grevë urie pa afat. Do të ftojmë qytetarët të na mbështesin në kërkesat tona ekonomike, ndërkohë nuk do të ftojmë asnjë politikan të jetë në krye të protestës tonë. Kërkesat janë ekonomike dhe jo politike”, deklaroi Koleci, i cili ka qëndruar në krye të lëvizjes sindikaliste që ditën e parë të protestës. Drejtori i ndërmarrjes ka pohuar se ai do t’u kërkojë autoriteteve të firmës të negociojnë me minatorët, ndërsa prefekti i Dibrës, Genc Sharku, shpreson në një zgjidhje të shpejtë të kërkesave të minatorëve të Bulqizës.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











