
BULQIZE – Në ditën e 22-të të grevës së urisë, 10 prej minatorëve të Bulqizës kanë braktisur galeritë në kushte shumë të rënda shëndetësore. Mësohet se me daljen e tyre, 10 minatorë të tjerë i kanë zëvendësuar ata. Ndërkohë që nuk është arritur asnjë marrëveshje mes tyre e kompanisë austriake ACR. Grevistët kanë lënë grevën pas mesnate, ndërsa janë dërguar menjëherë në një klinikë private në Tiranë, sipas drejtuesve sindikalistë. Mjeku dhe një psikolog kanë biseduar me ta, duke i bindur që lënia e grevës ka qenë rruga më e mirë për jetën dhe shëndetin e tyre. Por 4 prej grevistëve nuk kanë pranuar të dalin nga galeria e minierës, duke vazhduar kështu grevë në minierë. Minatorët që lanë grevën kanë paraqitur probleme të theksuara shëndetësore, veçanërisht me shikimin. Për grevën e minatorëve të Bulqizës edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit duke e quajtur atë të ligjshme, ndërsa ka kërkuar plotësimin e kërkesave të minatorëve. “KSHH e konsideron grevën të ligjshme dhe apelon për vëmendje të veçantë, jo vetëm në trajtimin e saj, por sidomos për zgjidhjen me dialog serioz dhe transparent të kërkesave të tyre. Minatorët dhe protestuesit në mbështetje të tyre kanë bërë publike kërkesat që janë kryesisht të natyrës ekonomike dhe shëndetësore. Ngjarjet në këtë minierë nuk janë as të rastit dhe as spontane. Ato kanë historikun e tyre: të keqtrajtimit, të mungesës së sigurimit në punë, keqësimit të gjendjes shëndetësore deri edhe në aksidentet me pasoja vdekjeje”, thuhet në deklaratën e KSHH-së. h.p











