
Bulqiza ishte dje më e qetë se ditët e fundit. Një përfaqësi e minatorëve nisi udhëtimin që pa gdhirë drejt Tiranës, për një takim në Ministrinë e Punës.Ndërkaq, dhjetëra minatorë dhe familjarë të tyre nuk dolën në rrugën nacionale dhe as organizuan tubim në mjediset e ACR-së. Të gjithë në pritje të këtij takimi, që përfundoi në një takim të gjashtë sindikalistëve me përfaqësuesin e ACR-së në vendin tonë, në një nga lokalet e kryeqytetit. Ndryshe nga ditët e tjera, numri i minatorëve të tubuar para galerisë kryesore, ky kanë hyrë grevistët e urisë, është më i pakët nga ditët e tjera. Janë të shumta gratë që qëndrojnë rrëzë ndërtesave të minierës, ndërkohë burrat nuk ngurojnë të luajnë domino, apo të ulen me njëri-tjetrin për të biseduar për hallet e tyre.
Grevistët bllokojnë ashensorin
Në hyrje të galerisë kontaktojmë me të vetmin punonjës të ACR-së, Bulqizë, inxhinierin Nikolin Paçuku. Ndryshe nga e gjithë administrata që është prononcuar kundër minatorëve, Paçuku ka vendosur të jetë në krah të minatorëve, madje të jetë aktiv në mbështetje të tyre. Është fjalëpakë, por shprehet se është e pamundur të hyhet në minierë, pasi grevistët kanë deklaruar ndërprerjen e çdo kontakti me minatorët, mediat apo përfaqësuesit e ACR-së. “Ata kanë bllokuar në fund të nivelit 14 ashensorin me një tub hekuri të rëndë dhe sa herë e bëjnë një gjë të tillë, lodhen shumë. Prandaj

kanë vendosur që kontaktet me personat jashtë grevës të jenë të kufizuara. Bllokimi i ashensorit është bërë menjëherë pas lajmit se policia do të nxjerrë më forcë minatorët nga greva e urisë. Një gjë e tillë është e pamundur, pasi nuk ka asnjë rrugë që ta realizojë këtë. Pas bllokimit të ashensorit duhet të zbresësh 365 metra me shkallë, madje ka segmente që nuk ka shkallë fare. Pra, nxjerrja me forcë e minatorëve nga greva është teknikisht e pamundur”, tha për “Panoramën” Nikolin Paçuku, inxhinieri matjan që punon prej dy vjetësh në minierën e Bulqizës. Pak më tutje janë disa “tunele” me plastmasë që minatorët kanë ndërtuar për të qëndruar gjatë natës jashtë e për të qenë në gatishmëri për çdo lëvizje në afërsi të minierës. Shumica e minatorëve janë ngopur me intervista. Janë bërë pesimistë dhe shpresojnë se zgjidhja e vetme është kryeministri Berisha. “Ai nuk ka folur ende. Nuk ka ministër apo zyrtar që të mund të deklarojë cili do të jetë fati ynë pa folur kryeministri”, thanë minatorët që bëjnë roje para galerisë hyrëse.
ACR-minatorë, negociata ngec te drejtori
“Do të kemi një takim me ministrin e Punës”, thanë përfaqësuesit e minatorëve që udhëtuan drejt Tiranës. Ndërkaq, rreth orës 10:00, minatorët e Bulqizës mësuan lajmin se gjashtë përfaqësuesit e tyre, pa presidentin e Konfederatës, Kol Nikollaj, u takuan në një nga lokalet e Tiranës me administratorin e ACR-së, Giga Bedineishvili. Sapo mediat kanë transmetuar këtë lajm, në Bulqizë sikur kishte rënë tërmet. Minatorët dhe banorët e qytetit kritikuan fort sindikalistët që kanë pranuar të ulen në bisedime, aq më tepër në një lokal, dhe jo në mjediset e ACR-së. “Ne një ditë më parë kundërshtuam takimin në Peshkopi, vetëm 40 kilometra larg, ndërkohë sot pranohet takimi me Gigën në Tiranë, 100 kilometra larg Bulqizës”, u shprehën minatorët që kanë ndalur punën prej 40 ditësh. Madje nuk kanë hezituar t’u telefonojnë dhe t’u kërkojnë llogari për këtë veprim që ata e konsiderojnë të padrejtë. Minatori Agrim Mera shprehet se ACR-ja është gati dakord me kërkesat e minatorëve, por pika që nuk negociohet është ajo e largimit të drejtorit të minierës, Medat Zogu. Sipas Merës, Giga mbron me fanatizëm drejtorin e minierës, ndërkaq, minatorët janë porositur të mos tolerojnë ndaj tij, duke e konsideruar pjesë të së keqes, madje duke e akuzuar atë se ka abuzuar në media me minatorët, duke përdorur etiketime e fyerje ndaj tyre.
Policia, e dislokuar në Bulqizë
Në qytet mbizotëron qetësia. Furgonët e policisë janë dislokuar në mjediset e Komisariatit të Policisë Bulqizë, ndërkohë, efektivët e ardhur nga rrethe të tjera janë frekuentues të mirë të lokaleve të qytetit të minatorëve. Të bie në sy fakti se njerëzit më të respektuar në këtë qytet janë gazetarët. Sapo takohesh me minatorët, të pyesin: “A ka ndonjë lajm të ri? Cili do të jetë fati ynë, a mos dini diçka më shumë se sa ne?”. Shumë nga gazetarët tani gëzojnë respektin e minatorëve dhe familjarëve të tyre. Të gjitha komentet më interesante bëhen në lokalet e qytetit. “Analistët” çfarë nuk thonë e çfarë nuk mendojnë për zgjidhjen e shqetësimeve të tyre. Shumë nga ata mendojnë se duhet shitur me urgjencë ajo pjesë e kromit të mbetur në pjacale dhe duhen paguar minatorët që marrin gjithçka me listë në dyqanet e Bulqizës. “Pjesa më e madhe e kromit u evadua nga ACR pak ditë para nisjes së protestës, ndërkaq, pjesa tjetër normalisht duhet shitur, sepse ka 40 ditë që minatorët nuk paguhen”, deklaruan minatorët që në shenjë ngushëllimi konsumojnë disa gota alkooli. Ulen para bustit të Baba Fejzës dhe kërkojnë të mësojnë diçka më shumë në lidhje me takimin e fundit. “Bënë mirë që nuk ranë dakord me ACR-në. Kishim frikë se mund të toleronin, por kjo nuk ndodhi”, thanë banorët e Bulqizës, të cilët ishin ngujuar pranë ekraneve televizive. Dalja në televizione e Kol Nikollajt dhe apeli drejtuar politikanëve shqiptarë dhe ndërkombëtarëve sikur i qetëson minatorët. “Kola, thanë ata, foli shumë mirë. Përfaqësuesi i ACR-së po sillet si një aventurier me ne. 700 minatorë të hyjmë në grevë urie e nuk tolerojmë pa u zgjidhur të gjitha kërkesat. Nuk do të pranojmë të punojmë me Medat Zogun, ai na ka fyer rëndë”, vijojnë rrëfimin e tyre sindikalistët e Bulqizës. “Ku janë katër deputetët e maxhorancës të qarkut Dibër që i votuam? Asnjëri prej tyre nuk ka ardhur të na takojë apo të na qajë hallin”, nënvizuan banorë të Bulqizës. Minatorët tregojnë se 27 prej tyre janë thirrur në polici. Janë pyetur për organizatorët e protestës dhe u është kërkuar të nënshkruajnë se nuk do të dalin në protesta. Por, shumica e minatorëve kanë deklaruar se do të vazhdojnë të protestojnë deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre, tërësisht ekonomike.
Gruaja e grevistit: Çdo natë fëmijët kërkojnë babanë e tyre

Familjarët e minatorëve grevistë qëndrojnë me orë të tëra te dera e pusit nr. 2. Rrinë në pritje të ndonjë lajmi nga thellësitë e nëntokës. Dallëndyshe Përkoxha është bashkëshortja e kryetarit të këshillit sindikal të minatorëve të Bulqizës, Dilaver Përkoxha. Ashtu si shoqet e veta, rri aty, ngjitur me derën ku shkruhet “Greva e urisë së minatorëve”. Pranon të intervistohet, por nga sytë nuk i ndalen lotët.
Cila është gjendja shëndetësore e bashkëshortit tuaj?
Ne nuk kemi pasur mundësi të hyjmë në galeri për ta parë. As unë dhe as katër fëmijët nuk jemi lejuar nga komisioni i grevës të hyjmë më thellësinë 1400 metra. Por di të them se gjendja e Dilaverit dhe e 12 shokëve të tij është shumë e rëndë, madje e pashpresë. Ata minatorë nuk bëhen më njerëz. Kanë humbur shikimin, janë dëmtuar organet jetësore dhe jemi shumë të shqetësuar përse nuk ndërhyhet për zgjidhjen e kërkesave tona.
Si e keni përballuar jetesën pa Dilaverin?
Të gjitha familjet e 700 minatorëve marrin prej 7 javësh ushqime me lista në dyqane. Tregtarët kanë besim se ne do t’ua kthejmë paratë. Edhe ne kështu bëjmë. Vemi në dyqane dhe marrim ushqime borxh. Në fakt, katër fëmijët janë mërzitur shumë. Çdo natë pyesin: kur do të kthehet babi?
A prisni një zgjidhje të shpejtë?
Ne presim një zgjidhje, por dështimi i disa takimeve na bën pesimistë. Ja, edhe sot ACR nuk ra dakord me kërkesat tona. Një herë na kërkojnë në Tiranë. Herën tjetër në Peshkopi. Kërkojnë të mos ulen me drejtuesit e ligjshëm të sindikatës. Pra, situata është kritike dhe shteti duhet të ndërhyjë, ndryshe minatorët dhe qytetarët do të reagojnë në mënyra të tjera.
Cilat janë këto mënyra të reja?
Ne kemi dëgjuar se sonte ose nesër në mëngjes do të ketë zhvillime të tjera. Do të mblidhet komisioni i grevës së bashku me drejtuesit e Konfederatës dhe do të diskutojnë rreth mundësisë së futjes në grevë urie të minatorëve të tjerë. Po ashtu protestat do të vijojnë çdo ditë.
Cili është apeli juaj drejtuar strukturave shtetërore?
Deri sot, Kryeministri Sali Berisha nuk ka folur për protestat dhe grevën e urisë së minatorëve. Për mua dhe qindra minatorë e banorë të Bulqizës zgjidhja e vetme është ai. Unë i bëj apel Berishës të mendojë për jetët e atyre njerëzve që po vuajnë në galeritë e Bulqizës. Çdo vonesë do të jetë me pasoja për jetën dhe shëndetin e qindra minatorëve.
BULQIZE/ HASAN PASHA
© Panorama.al











