Bulqizë, fëmijët kërkojnë krom mbi masivet e borës

Feb 21, 2012 | 13:32

Një fëmijë duke kërkuar krom dje në Bulqizë

Puna vazhdon në galeritë e minierave. Nën tokë, më ngrohtë se jashtë.

Punojnë për bukën e gojës dhe kur bora arrin 1 metër në qytet.

Në Bulqizë ka dy jetë: nën e mbi tokë. Nën tokë punojnë çdo ditë minatorët, madje thonë se atje është më ngrohtë dhe se mund të ndjehen më mirë. Haliti, minator rreth të 50-ave, shprehet për “Panorama” se çdo ditë rreth orës 07:00 lë shtëpinë e tij në lagjen “Minatori” dhe i ngjitet “tunelit” drejt minierës së ACR-së. Duhen rreth 20 minuta për të lënë mbitokën dhe për të hyrë në tunelet e nëndheshme. “Jam më në merak për të afërmit që lë në shtëpi, pasi trashësia e borës është mbi një metër dhe problemet janë të shumta, sesa për vete. Kur hyj në galeri jam më ngrohtë dhe i sigurt, sesa në banesën e time në katin e pestë të pallatit. Në shtëpi kam frikë se bie çatia e pallatit. Reshjet e shumta kanë krijuar një situatë të vështirë për mijëra banorë të Bulqizës”, shprehet minatori, që në verën e vitit të kaluar protestoi për të paktën 100 ditë. Megjithëse të ardhurat e tij dhe kolegëve janë të pakta për të përballuar situatën e këtij dimri, ai thotë se lista e minatorëve që kanë marrë borxhe në lokale tani është stërzgjatur. “Nëse një muaj nuk marrim pagën e plotë, atëherë borxhi ynë shtohet”, shtoi minatori që i duhet të ushqejë gjashtë frymë. Ndërkaq, një tjetër fenomen haset në qytetin e Bulqizës. Megjithëse stoqet e kromit janë mbuluar nga bora, e cila arrin mbi 1.5 metra, fëmijët dhe njerëzit në nevojë kanë gjetur një mënyrë tjetër mbijetese. Ata presin me ankth daljen e mbeturinave të minierës mbi borën, e cila tashmë ka ngrirë dhe rreken të përzgjedhin diçka për të mbijetuar. Fëmijët shfrytëzojnë faktin se shkolla nuk ka nisur ende dhe sfidojnë të ftohtin që mbizotëron për të seleksionuar ndonjë thërrime kromi. Kjo tregon se jeta në qytetin e minatorëve është tejet e vështirë dhe se njerëzit, madje fëmijët e vegjël, janë të detyruar të mbijetojnë me ç’të munden. Stoqet e vjetra janë të mbuluara nga bora. Po ashtu kazanët ku mblidhnin kanaçe nuk dallohen si më parë. Atëherë fëmijët të parët, e pasandaj edhe më të rriturit, kanë parë se mbi dëborën e ngritë po hidhen mbetje të minierës. Turren dhe përzgjedhin ç’të mundin. Kjo tregon se edhe mbi dëborë ka jetë. Kuptohet më të sigurt në këto ditë të vështira dimri ndjehen minatorët e nëntokës, sesa fëmijët mbi stoqet e mbuluara nga bora. Fundja të gjithë duan të jetojnë, duan të sigurojnë bukën e gojës. Fakti i mësipërm tregon se tregtia e kromit në Bulqizë sfidon çdo stinë të vitit, sado e vështirë qoftë ajo. Pra, tregtarët e mineralit të çmuar vazhdojnë normalisht punën, duke shfrytëzuar njerëz në nevojë për t’u pasuruar për vete. Qyteti i Bulqizës po përjeton dimrin më të vështirë të dekadave të fundit. Jo vetëm reshjet e dendura, por dhe stuhitë e erës sollën në këtë zonë temperaturat më të ulëta deri në -15 gradë. Me gjithë ditët me mot të qëndrueshëm dhe rritje të temperaturave, jetesa e banorëve është ende larg normalitetit.

Shkodër, riparim rrugëve të dëmtuara nga bora
SHKODER – Pas largimit të plotë të dëborës do të ndërhyhet menjëherë për evidentimin e dëmeve në infrastrukturën rrugore dhe riparimin e tyre. Një fakt i tillë është pohuar nga kreu i Këshillit të Qarkut në Shkodër, Maxhid Cungu. Dëbora e ngricat, ndërhyrja e mjeteve borëpastruese, rrëshqitjet e ndryshme të dherave kanë shkaktuar dëmtime në disa pjesë rruge. “Me t’u përmirësuar kushtet, duhet që specialistët e fushave përkatëse të rrugëve nacionale dhe atyre rurale të ndërhyjnë për evidentimin dhe më pas për riparimin e këtyre dëmeve, që në të ardhmen këto rrugë të jenë brenda të gjitha standardeve për përdoruesit e këtyre akseve rrugore”, ka pohuar Cungu.

Kukës, normalitet mes dëborës
Nisja e mësimit në shkollat e qytetit, ndonëse me orar të reduktuar, hapja e disa prej lokaleve dhe bizneseve të mbyllura dhe zgjerimi i sipërfaqeve të lira prej dëborës, bashkë me pastrimin që po i bëhet qytetit janë shenjat se jeta ka nisur disi t’i kthehet normalitetit edhe në qytetin e Kukësit. Njerëzit, përveç të tjerave, po zbulojnë me lopata autoveturat e tyre të zëna nga dëbora që edhe tani duken si grumbuj dëborë, pa ditur se çfarë ka poshtë tyre. Masive dëbore gjigante ka kudo, sepse këtë herë bora nuk është pastruar si zakonisht, por është transportuar në vende të tjera, pasi sasia ka qenë shumë e madhe.

Valbonë, fshati rikthen dritat
Në komunën më problematike të Tropojës, në atë të Margegajve, ku përfshihet lugina e Valbonës, situata po vjen drejt përmirësimit. Njëzet burra me në krye kryekomunarin Rexhë Biberaj kanë mundësuar përmes një punë mjaft të vështirë në mbi dy metra dëborë rilidhjen e energjisë elektrike që mungonte prej dymbëdhjetë ditësh. “Kam angazhuar njerëzit më të fortë, duke i shpërblyer nga fond i emergjencave me 80 mijë lekë të rinj dhe kemi punuar në kushte mjaft të vështira, duke improvizuar shtylla në pemë e drurë pyjesh dhe më fund fshatrat e luginën së Valbonës kanë drita. Me ndihmën e helikopterëve kanë mbërritur dhe ndihma ushqimore dhe ilaçe e tashmë kemi rivendosur komunikimin e shkëputur me të gjitha fshatrat dhe shtëpitë e largëta. Problem mbetet hapja e rrugës, e cila ka izoluar banorët e në këtë periudhë ka ndërprerë edhe turizmin”, thotë Biberaj.

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura