
Dështojnë negociatat e para të zhvilluara dje mes minatorëve dhe përfaqësuesve të firmës koncesionare, ACR.Palët kanë qëndruar në të tyren, madje pas ditës së tretë të protestës, tonet janë ngritur më shumë. Ndërsa firma e huaj ka kërkuar rikthimin në punë e më pas plotësimin e kushteve të 700 minatorëve, përfaqësia e tyre ka kërkuar të kundërtën.
Takimi u zhvillua rreth orës 14:00, kur një përfaqësues i ACR-së, i ardhur nga Gjeorgjia dhe drejtori i minierës, Medat Zogu, kanë pritur në zyrat e ACR-së një përfaqësi të minatorëve. Fillimisht, Kol Nikollaj, president i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, e më pas kryetari i Sindikatave të Minatorëve, Taf Koleci, kryetari i Këshillit Sindikal të Minatorëve të Bulqizës, Dilaver Përkoxha, si dhe drejtuesi i protestës së fundit, Luan Uka, kanë parashkruar kërkesat e tyre ekonomike drejtuar firmës koncesionare. Ata janë ndalur në rritjen e menjëhershme të pagës së minatorëve me 20 për qind, nisjen e investimeve të nënshkruara në kontratën me palën shqiptare, largimin e subjekteve të palicensuara nga territori i minierës që zotëron ACR etj. Përfaqësuesit e firmës koncesionare, pasi kanë dëgjuar kërkesat e minatorëve, janë shprehur se zgjidhja e kërkesave do të nisë vetëm atëherë kur minatorët të jenë kthyer në vendet e tyre të punës. “Negociatat do të vijojnë vetëm atëherë kur minatorët të jenë kthyer në galeri”, është shprehur përfaqësuesi i ACR-së. Kjo ka irrituar të pranishmit, sidomos përfaqësinë e minatorëve që ishte e pranishme në tryezë. Pas kësaj “oferte”, minatorët kanë ngritur tonet dhe janë betuar se nuk kthehen në punë pa u plotësuar të gjitha kërkesat e tyre ekonomike. Madje janë shprehur se pas dy ditësh lëvizja e tyre sindikaliste do të përshkallëzohet deri në bllokimin e rrugëve nacionale dhe më pastaj në grevë urie. Pas protestave, dje reagoi dhe Ministria e Ekonomisë. Sipas burimeve zyrtare të saj, bëhet e ditur se ditën e sotme, përfaqësues të kësaj Ministrie do të zhvillojnë takime me të dyja palët, si me minatorët, ashtu edhe me përfaqësuesit e firmës për të arritur në zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës.
Minatorët zbresin në shesh: Firma mos të na kërcënojë
Ndryshe nga dy ditët e tjera, minatorët protestues kanë zbritur në qendër të qytetit të Bulqizës. Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj, u shpreh publikisht se firma austriake nuk është treguar aspak serioze me minatorët. Ai tha se firma nuk ka investuar fare në këtë minierë, por gjatë gjithë kësaj kohe ka shitur e blerë aksione dhe ka kryer rolin e tregtarit. “Unë i bëj thirrje firmës koncesionare dhe strukturave të shtetit shqiptar, të vlerësojnë seriozisht kërkesat ekonomike të minatorëve, ndryshe, pas protestës paqësore lëvizja sindikaliste do të përshkallëzohet deri në grevë urie”. Me tone të ashpra, Nikollaj tha se firma e huaj ose duhet të plotësojë kushtet e nënshkruara në kontratën koncesionare, ose duhet të largohet nga kjo minierë. Sindikalistët që morën fjalën, thanë se “ultimatumi” i lëshuar nga minatorët ka afat edhe dy ditë të tjera, ndryshe një përfaqësi e minatorëve do të nisin grevën e urisë pa afat. “ACR nuk duhet të na dërgojë herë pas here letra kërcënuese për të ndalur protestën tonë paqësore, por duhet të merret me zgjidhjen reale të shqetësimeve tona. Ajo nuk mund ta mbyllë minierën, pasi ndryshe pasojat do të ishin të pallogaritshme për vetë firmën dhe qytetin e Bulqizës”, thanë protestuesit.
BULQIZE/ Hasan Pasha
© Panorama.al











