BULQIZE – Elez e Dashmir Dedja, babë e bir, prej 10 ditësh kanë humbur çdo komunikim me njerëzit e tyre të afërm. Dhëndëri i Elezit, Mustafa Zogu, tha për “Panorama” se gjithë familjarët janë të shqetësuar se nuk kanë mundur të komunikojnë me dy të afërmit e tyre, pasi trashësia e borës arrin në mbi tri metra dhe bateritë e telefonit kanë mbaruar. “Për herë të fundit kemi komunikuar dhjetë ditë më parë. Atëherë kam arritur të flas me Elezin dhe Dashamirin. Ata më thanë se përjetojnë një situatë mjaft të vështirë. Thanë se bateria e telefonit po mbaronte dhe se trashësia e borës është mbi tri metra. Baza ushqimore e blegtorisë po mbaron dhe se jeta e tyre është në rrezik”, thotë në ankth Zogu. Sipas tij, Mali i Bardhë, ku ndodhen dy miqtë e tij me 200 krerë bagëti, është një mal i lartë, por meqenëse vitet e fundit nuk ka pasur dimër ata vendosën të qëndrojnë në mal. Ata morën ushqim për vete dhe blegtorinë për një farë kohe, pa menduar se dimri do të ishte kaq i ashpër. “Vetë nuk mund të shkojmë në një zonë kaq të vështirë. Sikur 100 burra të bëhemi së bashku nuk arrijmë aty në maje të malit. Është një zonë shumë e thellë e Fushë-Bulqizë. Edhe në mot të mirë është e vështirë të ngjitemi atje ku ndodhen ata me stane. Urojmë të jenë shëndoshë, pasi aktualisht ata janë në mëshirën e Zotit”. Mustafa Zogu thotë se është kërkuar nga Shtabi i Emergjencave Civile të mundësohet lëvizja me helikopter drejt kësaj zone për të mësuar të paktën a janë gjallë njerëzit. “Atje nuk mund të shkohet veçse nëpërmjet ajrit. Vetëm shteti mund të na ndihmojë, ndryshe gjithçka mbetet enigmë”, thotë ai. h.p











