Bulqizë, ACR, lojë me grevën e urisë

Aug 10, 2011 | 14:03
Minatorët e Bulqizës, gjatë grevës së urisë

ACR-ja, lojë me grevën e urisë së minatorëve. Ndërsa sot mbushen 17 ditë nga nisja e grevës së urisë, ku ndodhen 13 persona në gjendje të rëndë, asnjë zgjidhje nuk është dhënë për ta.Ngërçi ka mbetur te vendi i takimit, pasi përfaqësues të kompanisë austriake “Albanian Chrome” kërkojnë që takimi për negocim mbi kërkesat e minatorëve të zhvillohet paraditen e sotme në Tiranë. Por, nga ana e saj, Sindikata e Minatorëve kërkon që takimi të mbahet në Bulqizë, ashtu siç ishte lënë më parë. Në pritje të një zgjidhjeje, 13 minatorët në grevë janë në gjendje tejet të rëndë. Ata po marrin serum në thellësitë e minierës nga mjekët e minierës, ndërsa nuk pranojnë që ta lënë grevën e urisë dhe të shtrohen në spitalin e Bulqizës. Ndërkohë, gjendja në galeri është e rrezikshme, siç mësohet nga të dhënat e para të inspektimit të Repartit të Inspektim-Shpëtim Minierave.
Kontradiktat për takimin
Kreu i Konfederatës së Minatorëve, Kol Nikollaj, paralajmëron se do të ketë protesta masive, deri në bllokimin e rrugës nacionale Tiranë-Peshkopi, në Qafën e Buallit. Sipas tij, edhe pse minatorët kanë dhënë sinjale pozitive se janë të gatshëm të ulen në bisedime me përfaqësues të kompanisë, kjo nuk po ndodh. Madje, dy ditë më parë, Nikollaj deklaroi se tërhiqet për t’ua lënë radhën përfaqësuesve të tjerë të minatorëve të marrin pjesë në takimin e shumëpritur. “Nëse nuk do të zhvillohet takimi me ACR-në, atëherë 700 minatorë do të futen në grevë dhe do bllokojmë rrugën nacionale Tiranë-Peshkopi në Qafën e Buallit”, deklarohet nga Konfederata e Minatorëve. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e ACR-së i kanë njoftuar me anë të një shkrese minatorët, ku deklarojnë se “bordi dhe drejtuesit e ACR-së ju mirëpresin në bisedime për t’i dhënë fund situatës së krijuar në minierë, e cila ka shkaktuar humbje të rënda për kompaninë, ju dhe familjet tuaja. Ne besojmë se me dëshirën e mirë si nga ne, ashtu edhe nga ju, do të arrijmë një zgjidhje të shpejtë. Për të zhvilluar bisedime në një atmosferë të qetë dhe konstruktive, propozojmë që takimi ynë i përbashkët të zhvillohet ditën e mërkurë, ora 11:00, në zyrat e ACR-së në Tiranë”, thuhet në deklaratën e firmosur nga administratori i ACR-së, Giga Bedineishvili dhe bordi i kompanisë. Veç shtyrjes së takimit për ditën e sotme, kur shënohet dita e 17-të e nisjes së grevës së urisë, ACR propozon takim me 5 përfaqësues, duke refuzuar drejtuesit aktualë të Sindikatës. Ky vendim, për të zhvilluar takimin në Tiranë, është hedhur menjëherë poshtë nga përfaqësuesit e minatorëve, duke lënë prapë pezull një zgjidhjeje konkrete.
Inspektimi në minierë
Për të nxjerrë një përfundim të saktë mbi gjendjen e minierës, dje ka mbërritur në Bulqizë një grup prej 4 specialistësh të RISHM-it, të cilët, të shoqëruar dhe nga inxhinieri i minierës dhe përfaqësues të grevës, kanë inspektuar për rreth 2 orë në brendësi të minierës gjendjen. Pasi kanë lënë galeritë, asnjë prej tyre nuk është prononcuar, duke deklaruar se do të bëjnë një raport zyrtar për situatën. Të dhënat e para flasin për një gjendje të rëndë të galerive, kushtet e të cilave ishin tejet jashtë normalitetit edhe para protestës. Vetë minatorët kanë vënë si kusht për lënien e grevës së urisë përmirësimin e gjendjes teknike në brendësi të minierës si dhe kryerjen e investimeve nga ana e kompanisë “ACR”, siç ajo kishte premtuar në fillim kur mori në shfrytëzim minierën e kromit në Bulqizë. Tri ditë më parë, nga brenda galerive ku po zhvillohet greva e urisë, qindra metra nën tokë, u dha alarmi se një pjesë e mureve po shemben si pasojë e amortizimit dhe mungesës së kujdesit nga specialistët për pajisjet në brendësi të minierës. Prej thellësisë së nëntokës u raportua rrjedhje gazi dhe pushtimi i një pjese të galerive nga uji, pasi nuk funksionojnë pompat thithëse. Nga ana e specialistëve u pohua se vetë grevistët kanë bllokuar hyrjen në minierë dhe nisjen e punës për rehabilitimin e gjendjes, pasi prej 2 muajsh është pezulluar çdo ndërhyrje në të. Nisur nga këto të dhëna, Reparti i Inspektim-Shpëtim Minierave, repart që varet nga Ministria e Energjetikës, Tregtisë dhe Ekonomisë, propozon mbylljen e përkohshme të minierës dhe pezullimin e lejes minerare për ACR-në. Ndërsa dje u bë e ditur ngritja e një padie penale ndaj drejtuesve të grevës së minatorëve të Bulqizës me akuzën e shkatërrimit të pronës shtetërore.

Grevistet

Pesë prej minatorëve grevistë paraqiten në gjendje shumë kritike dhe po u rrezikohet jeta. Të ngujuar në galeritë e nëntokës së minierës të 13-të minatorët po rëndohen nga momenti në moment, ndërsa për 5 shokët e tyre mjekët kanë vendosur serume në ambientet e grevës. Asnjë prej tyre nuk e lë grevën e urisë pa rënë dakord për kërkesat: rritja e rrogës 40%, kryerja e investimeve në galeri si dhe largimi i kompanisë së huaj “ACR” nga Bulqiza.

250 minatorë të minierave të Pukës solidarizohen me minatorët e Bulqizës. Gjon Zeka, kreu i Sindikatave të Pavarura të këtij rrethi, ka paralajmëruar fillimin e protestave në mbështetje të grevistëve.

Greva e urisë tek Krimet e Rënda

Greva e urisë së minatorëve të Bulqizës përfundon në prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në ditën e 16-të të grevës së 13 minatorëve, drejtues të saj mësohet se janë paditur penalisht, për shkelje të ligjit. Kjo padi lidhet me faktin se greva ka paralizuar punën në minierë dhe janë bllokuar specialistët që të mbajnë në funksion pajisjet teknike brenda galerive. Për këtë arsye, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dha dje ultimatumin për mbylljen e minierës së Bulqizës deri në një rehabilitim të plotë të saj, pasi kushtet aktuale janë të vështira dhe rrezikojnë jetën e minatorëve. Nisur nga këto fakte, Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave ka ngritur padi penale ndaj drejtuesve të grevës së urisë të minatorëve të Bulqizës, për shkak të dëmtimit, me pasoja të rënda, të pronës publike shtetërore dhe shkelje të rënda të sigurisë në punë, në veprimtarinë minerare, që cenojnë jetën dhe shëndetin e minatorëve.

Bregasi: ACR të zgjidhë kërkesat e minatorëve

Presidenti i Business Albania, Luan Bregasi, tha dje në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se duhet të plotësohen kërkesat e minatorëve. Sipas Bregasit, shteti së bashku me sipërmarrësit e kompanisë ACR e minierës duhet të ulen dhe t’i marrin seriozisht kërkesat e minatorëve. Në këtë intervistë, kreu i Business Albania thotë se kërkesat e minatorëve janë normale dhe ata meritojnë që kërkesat e tyre të merren parasysh. Në të njëjtën intervistë, Bregasi shton se ka një problem që lidhet me koncesionet. Ai ngre pyetjen se pse nuk është investuar kur është dhënë me koncesion. “Këto janë koncesione dhe shteti nuk ka mundësi të investojë në një sektor të tillë. Kur privati nuk investon, atëherë pse është dhënë me koncesion? Pra del një problem shumë i mprehtë. Unë mendoj që edhe shteti në këtë rast, edhe kompania private duhet të ulen me minatorët jashtë çdo lloj ndikimi politik të kësaj çështjeje, por si qytetarë dhe sipërmarrës mendoj se duhet të ulen dhe të zgjidhin kërkesat e tyre. Për mua janë krejt normale e të drejta, dhe atyre u takon të meritojnë një jetë absolutisht më të mirë”, deklaroi presidenti i Business Albania, Luan Bregasi. Më tej ai shtoi se qeveria dhe punëdhënësi kanë përgjegjësi për jetën dhe pagesat e punonjësve në minierë, pasi shqetësimi i tyre është i drejtë dhe kërkesat janë të merituara në një kohë kur ato nuk janë kërkesa luksi. Sipas Bregasit, minatorët meritojnë më shumë për lodhjen dhe punën e tyre.
Minatorët hyjnë sot në ditën e 17-të të grevës së tyre të urisë. Gjatë kësaj kohe është pezulluar puna në minierë, ndërsa punonjësit kërkojnë rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës. Nga ana tjetër ka ndërhyrë edhe Ministria e Ekonomisë, e cila ka kërkuar pezullimin e punës së kompanisë koncesionare “ACR”. Deri tani janë tentuar të mbahen negociata mbi kërkesat e minatorëve, por që nuk ka pasur rezultate konkrete në lidhje me këtë grevë urie që po vijon nën tokë, në galeritë e minierës.

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura