Bulqizë, 700 minatorë ndalin punën, protestë për kushtet

Jul 5, 2011 | 11:50
Protesta e djeshme e minatorëve në Bulqizë

Të paktën 700 minatorë të Bulqizës kanë ndalur punën që mëngjesin e ditës së djeshme. Drejtues të këshillit sindikal thanë pak ditë më parë se i kanë drejtuar disa kërkesa ekonomike firmës koncesionare “Albanian Krom”.Këto kërkesa janë përsëritur dje edhe nga kryetari i Sindikatave të Minatorëve të Shqipërisë, Taf Koleci. Kushte më të mira në punë, rritje të pagës me 20 për qind, heqjen e taksës së sheshtë, kryerjen e investimeve të premtuara, sidomos në pusin kryesor, largimin e subjekteve të palicencuara nga territori i ACR-së, miratimi i statusit të minatorit dhe ulja e moshës së pensionit janë disa nga kërkesat kryesore që Koleci bëri publike. “Prej ditësh kemi kërkuar të negociojmë me zyrtarët e firmës austriake, por nuk kemi marrë një përgjigje për kërkesat tona ekonomike. Miniera nuk ka kryer investime dhe jeta e minatorëve vihet në rrezik rast pas rasti. Punëtorët e nëntokës përballen me kushte të vështira. Ata punojnë në pluhur, lagështirë, në galeri, ku vdekja të pret në çdo moment. Firma e huaj pati premtuar kryerjen e miliona eurove investime. Por, deri tani nuk ka ndryshuar asgjë. Firma pasurohet me kromin që nxjerrin minatorët që vënë jetën në rrezik dhe nuk investon për kryerjen e investimeve, rritjen e pagave, të paktën për profesionet e vështira”, tha Koleci në prononcimin e tij. Minatorët e turnit të parë nuk kanë pranuar të hyjnë në galeritë e nëntokës. Ndërkaq, pas një marrëveshjeje me drejtuesit e minierës, është rënë dakord që të punojnë specialistët e pompave të ujit dhe elektricistët, ndryshe situata do të agravonte keq dhe miniera do të përmbytej nga uji, çka do të shkaktonte dëme serioze. Në mbështetje të minatorëve të Bulqizës kanë shkuar dhe metalurgët e uzinës së ferro-kromit Burrel. Drejtues të këshillit sindikal dhe metalurgë të kësaj uzine janë solidarizuar me kërkesat e minatorëve të Bulqizës dhe janë shprehur se tani është sosur durimi dhe presin rikthimin e tyre në punë. Kryetari i këshillit sindikal të minatorëve të Bulqizës, Dilaver Përkoxha, ka falënderuar minatorët për nismën e marrë dhe i ka ftuar ata të mos tërhiqen përballë asnjë presioni apo mashtrimi. “Ne duhet të jemi të vendosur dhe të bashkuar deri në fund, ndryshe kërkesat tona do të mbeten në letër edhe për shumë kohë. Nëse zyrtarët e ACR-së nuk binden me këtë ndërprerje të punës, atëherë do të jemi të detyruar të nisim grevën e urisë”, tha Përkoxha.

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura