Dëbora dhe temperaturat gjithmonë në ulje po krijojnë ditaditës probleme të theksuara jo vetëm në zonat e thella të vendit, por dhe në disa qytete. I gjithë rajoni i Peshkopisë po vuan më shumë nga reshjet e stuhitë e dëborës, ku më shqetësim kanë krijuar në qytetin e Bulqizës, për shkak dhe të pozicionit gjeografik. Në këtë qytet dje është shkëputur dhe sinjali telefonik, ndërsa gjendja në të është mësuar vetëm nga udhëtarë që nga halli marrin rrugën në zonat e tjera. Nga moti i keq u shënua një viktimë në Korçë, pikërisht një punëtor i mirëmbajtjes së rrugës. Tre emergjenca u shënuan në Shkodër, ku helikopteri i transportoi drejt spitalit.
BULQIZE
Mbi 45 mijë banorë të Bulqizës në qarkun e Dibrës po përjetojnë situatë të jashtëzakonshme. Era e fortë, temperaturat disa gradë nën zero, dëmtimi i shtyllave elektrike, mbyllja e shkollave, ndërprerja e sinjalit të telefonisë fikse dhe celulare kanë krijuar një situatë mjaft kritike për shtatë njësitë vendore të këtij rrethi, veçanërisht për bashkinë Bulqizë dhe komunat malore të Ostrenit, Trebishtit dhe Martaneshit. Era e pazakontë, e cila lëviz edhe borën nga një vend në tjetrin, jo vetëm pengon lëvizjen normale të njerëzve, por ka krijuar probleme në rrugën nacionale Qafa e Buallit-Shupenzë. Situata bëhet më kritike për faktin se askush nuk mund të komunikojë me telefon për të kërkuar ndihmë. Albtelekom dhe linjat e kompanive celulare nuk kanë funksionuar gjatë ditës së djeshme, duke penguar komunikimin mes qytetarëve dhe autoriteteve shtetërore dhe mes vetë strukturave shtetërore për marrjen e masave në këto ditë të vështira. Dje, subjektet private të minierave të kromit dhe ato të ACRsë që kanë pjesë të koncesionit në Bulqizë, thanë se puna në këtë zonë është ndërprerë sepse trashësia e borës është mbi një metër dhe se nuk janë marrë masa për hapjen e rrugës.
KORÇE
Moti i ftohtë ka shënuar një tjetër viktimë në qarkun e Korçës. Ahmet Metellari, punonjës i mirëmbajtjes së rrugës përgjatë aksit Korçë- Voskopojë ka humbur jetën si pasojë e temperaturave të ulëta të regjistruara në juglindje. Sipas të dhënave 64-vjeçari nga fshati Gjonomadh ishte duke udhëtuar në këmbë për në shtëpinë e tij, pas përfundimit të punës por nuk ka mundur t’i mbijetojë të ftohtit. Ka qenë një fqinji i tij i cili e ka gjetur trupin e pajetë në hyrje të fshatit, një pjesë e vështirë për t’u kaluar në këmbë. Pas sinjalizimit të policisë është bërë edhe transportimi i trupit të pajetë për kryerjen e autopsisë ndërsa paraprakisht dyshohet se Metellari mund të ketë vdekur si pasojë e të ftohtit për shkak se në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune. Sipas të dhënave 64- vjeçari mendohet se mund të jetë bllokuar nga reshjet e dendura të borës dhe era e fortë që fryn në këtë zonë duke i shkaktuar atij vdekjen.
SHKODER
Bllokimi i rrugëve nga bora ka çuar helikopterin e Ministrinë e Shëndetësisë tre herë në zona e thella të Shkodrës pas njoftimit për të sëmurë në gjendje të rëndë. Të sëmurët, (një me ftohje, një tjetër me astmë dhe rasti i tretë një plagosje në këmbë me motosharrë), kanë qenë nga komunat Shosh, Shalë dhe Pult në zonën e Dukagjinit në Shkodër. Helikopteri ka kryer transportin e tyre gjatë natës së të dielës dhe mëngjesin e djeshëm, duke i transportuar pacientët në spitalin e Shkodrës. Qarku i Shkodrës është ndër më problematikët në këto ditë, ku dëbora vazhdon duke rënë dhe temperaturat regjistrohen çdo ditë e më të ulëta. Nga shtabi i emergjencës bëhet e ditur se janë të bllokuara komunat Pult, Shosh, Shalë, Temal, Shllak dhe pjesërisht ajo e Vig-Mnelës. Problematike mbetet gjendja në rrethin e Pukës, ku pasditen e djeshme u raportua dhe shkëputja e energjisë elektrike për shkak të dëmtimit të shtyllave nga dëbora.
Kukës, me lopata për të pastruar fushën e futbollit
Kuksianët po tregojnë se para pasionit për futbollit nuk tërhiqen para asnjë vështirësie, qoftë ajo dhe e natyrës, siç është dëbora dhe i ftohti që ka përfshirë prej ditësh rajonin dhe fushës “Zeqir Ymeri”, ku bora ka arritur një trashësi prej 80 cm. Punonjësit e pastrimit të Bashkisë, dje në mëngjes kanë nisur pastrimin e fushës me lopata dhe largimin e dëborës. Në krye të punonjësve kanë qenë drejtuesit e Bashkisë dhe shefi i Klubit, Astrit Shehu. Ky i fundit ka deklaruar për “Panoramën” se do të bëhet çmos që fusha të jetë gati jo vetëm për ndeshjen të shtunën me Butrintin, por dhe për stërvitjen e ekipit. Në orët e drekës, në fushë kanë hyrë dhe mjetet borëpastruese të ushtrisë, pasi pastrimi me dorë ka qenë i pamundur.
Meteoalb: Peshkopia, qarku më i ftohtë
Temperatura më e ulët u regjistrua dje në Peshkopi me -7.6 gradë celsius. Sipas Meteoalb, rreth 1 gradë më pak ka qenë në qytetin e Bulqizës, i cili u përfshi dhe nga stuhi ere ditën e djeshme. Parashikimi i ditëve të mëtejshme flet për një përkeqësim të situatës termike, pasi temperaturat do të ulen ndjeshëm të martën, të mërkurën dhe të enjten. Reshjet do të jenë të pakta gjatë këtyre ditëve dhe do bien kryesisht në zonat malore, por sërish problematike do të mbeten ngricat. “Dita e premte dhe fundjava parashikohet të sjellin sërish reshje te konsiderueshme, reshje kryesisht në formë shiu pasi do të ketë rritje të ndjeshme të temperaturave të ajrit. Në zonat malore do të ketë reshje dëbore pasi temperaturat do të mbeten negative. Temperatura minimale në rang vendi parashikohet të ulet deri në -12 gradë celcius gjatë mëngjesit, ndërsa mesdita në zonat malore do të shënojë deri në – 6 gradë celsius”, është parashikimi i Meteoalb.
© Panorama.alRRUGËT PROBLEMATIKE
Në qarkun Kukës:
• Morinë–Kalimash, me
zinxhirë,
• Kukës–Krumë, me
zinxhirë,
• B.Curri–Qafë Morinë,
me zinxhirë
• B.Curri–Fierzë, me
zinxhirë
• B.Curri–Valbonë i
pakalueshëm
• Krumë–B.Curri i
pakalueshëm
• Krumë–Qafë Prushi, me
zinxhirë
• Kukës–Topojan, me
zinxhirë,
• Ujmisht–Lusen–
Bushtricë-Kala e Dodës në
drejtim të Peshkopisë,
kalohet me vështirësi me
zinxhirë
• Shëmri–Qafë Shllak i
pakalueshëm
• Topojan–Shishtavec i
pakalueshëm
Në qarkun Dibër:
• Peshkopi–Bulqizë–Klos,
me zinxhirë
• Bulqizë–Shupenzë–
Ostren, me zinxhirë,
• Krastë–Bulqizë, me
zinxhirë
• Peshkopi-Sllovë–Kala e
Dodës në drejtim të
Kukësit, kalohet me
vështirësi me zinxhirë
• Peshkopi–Muhur–Aras,
me zinxhirë
• Arras–Zall Dardhë–
Reç, me zinxhirë,
• Ostren-Stërblevë–
Librazhd, i pakalueshëm,
• Arras–Lurë i
pakalueshëm
Në qarkun Shkodër:
• Qafë Çelë-Pukë-Fushë
Arrës, me zinxhirë,
• Fushë Arrës-Qafë Mali-
Qafë Shllak, i
pakalueshëm,
• Fushë Arrës–Gjegjan–
Shpal i pakalueshëm
• Koplik–Razëm, me
zinxhirë
• Bogë–Theth, Selcë–
Vermosh të pakalueshme
• akset në drejtim te
Dukagjinit të
pakalueshme
• Qafë Mali–Dardhë-
Fierzë i pakalueshëm
• Fushë Arrës–Iballë i
pakalueshëm
Në qarkun Korçë:
• Boboshticë–Dardhë, me
zinxhirë
• Korçë–Voskopojë, me
zinxhirë
• Korçë–Ersekë–Leskovik,
me zinxhirë
Në qarkun Gjirokastër:
• Përmet–Çarshovë, me
zinxhirë











