Bulku: Topi gënjeshtar, tokën e ka rrëmbyer si ish-kooperativist

Feb 22, 2012 | 11:04

Deputetja Rajmonda Bulku

Deputetja e PD sulmon Presidentin e Republikës.

Partia Demokratike akuzon Presidentin Bamir Topi se e gënjeu opinionin publik kur përmes zyrës së tij të shtypit deklaroi se nuk kish marrë ftesë për pritjen që do të zhvillohej në Hotel Sheraton në Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Duke iu referuar SMS-ve të publikuara në media ku zëdhënësja e Presidentit deklaroi se kreu i shtetit nuk kish ftesë dhe pas dy ditësh, u bë e ditur se Topi kish ftesë për të dyja ceremonitë, deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku, tha: “Sot shtypi i shkruar ka denoncuar si gënjeshtar Presidentin e Republikës për të ashtuquajturën ‘ftesë të munguar’ në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Shtypi i shkruar e zbuloi gënjeshtrën e fundme presidenciale kur ajo i ra mbi kokë; shqiptarët e kanë kapur Presidentin në gënjeshtër prej kohësh”. Sipas saj, kreu i shtetit ka gënjyer edhe për rastin “kur përgjërohej për interesat e pronarëve të ligjshëm që tokat ua kishte rrëmbyer kooperativa, por tokën e vet e rrëmbente si ‘ish-kooperativist’. E kanë kapur në gënjeshtër kur betohej për të përndjekurit e regjimit komunist, por ligjin e ‘lustracionit’ nuk e linte të hynte në fuqi, kur u shpallte atyre besnikëri dhe dekoronte persekutorët”.

Ambasadorja gjermane: Duhet President mbipartiak
Ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Carola Müller-Holtkemper, tha dje se kreu i ri i shtetit që do të zgjidhet në korrik duhet të jetë një kandidat mbipartiak. Në një intervistë për “Dojçe Velen” ajo citoi dispozitat e Kushtetutës sonë, sipas të cilave, kandidati për President propozohet nga 20 deputetë dhe në tri raundet e para zgjidhet me 84 vota. “Për ne është e rëndësishme që Presidenti të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë. Dhe Kushtetuta e Shqipërisë tregon qartë preferencën e vet për një kandidat mbipartiak si në personin e Presidentit, ashtu edhe në procedurat e zgjedhjes: Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e popullit, nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik apo veprimtari private”, tha ambasadorja gjermane. Sipas saj, “Presidenti propozohet nga të paktën 20 deputetë dhe zgjidhet me një shumicë 3/5; vetëm në një fazë të mëvonshme mund të jetë e mjaftueshme shumica e thjeshtë dhe, përpos kësaj, në të rregullohet edhe rasti i mbetjes vakant të postit. Ky kuadër rregullator është, pa dyshim, i krahasueshëm me atë në Gjermani. Prej Presidentit të ardhshëm presim të angazhohet në detyrën e tij si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për reformën e sistemit të drejtësisë, me qëllim ndërtimin e shtetit ligjor”. Duke iu referuar situatës së krijuar në Gjermani pas dorëheqjes së Presidentit Wulff për shkak të një çështje korrupsioni, diplomatja gjermane në vendin tonë theksoi se për këtë rast një rol të rëndësishëm pati shoqëria civile dhe media. “Kandidati mbipartiak për postin e Presidentit Federal, z. Joachim Gauck, shihet prej shumë analistëve si një instancë morale, i pakorruptueshëm, besnik ndaj parimeve dhe i pavarur”, u shpreh më tej Carola Müller-Holtkemper.

© Panorama.al

Te lidhura