Bulku, nga gurët te jeta në Azerbajxhan

Aug 30, 2011 | 13:03

Ervin Bulku shënoi të shtunën golin e tij të parë në kampionatin azerbajxhanas me skuadrën Azal Baku. Për mesfushorin e Kombëtares, kalimi në vendin azer nuk është i rastësishëm. Nga rezidenca e kuqezinjve në Durrës, Bulku tregon për këtë eksperiencë të re. “Klubet azere po investojnë shumë për futbollin. Oferta që më bëri Azali ishte e leverdishme. Presidenti i klubit është pronar i një linje ajrore, që gjithashtu quhet ‘Azal’. Jetoj në kryeqytetin Baku dhe shpesh takohem me Agollin dhe Telin, që luajnë te Karabaku. Niveli i jetesës është vërtet i lartë, ndërkohë që vendi është në zhvillim. Për sa i përket kampionatit, mund të them se është i fortë dhe skuadrat janë aty-aty. Ndoshta Khazar Lenkorani, ku bën pjesë Elvin Beqiri, është një hap para skuadrave të tjera”, tregon Bulku. Lojtari 30-vjeçar la kroatët e Hajdukut të Splitit për të shkuar në Azerbajxhan, aty ku prej dy vitesh aktivizohen edhe Agolli, Teli e Beqiri. Një javë më parë, Bulku është ndodhur përpara një të papriture, teksa tifozët nisën të gjuanin me gurë. “Sigurisht, kudo ka probleme, por jo deri në atë pikë sa të degradojë fare. Në ndeshjen e javës së kaluar kundër Qabalës, skuadrës që drejtohet nga anglezi Toni Adams, u ndëshkua një nga lojtarët kundërshtarë me karton të kuq. Mirëpo, ky moment nuk u prit mirë nga tifozët, të cilët filluan të godisnin me gurë, e madje të grumbulloheshin pas ndeshjes rreth dhomave të zhveshjes. E kishin me arbitrin, më shumë sesa me ne si skuadër. Personalisht nuk pata ndonjë problem”, përfundon mesfushori kuqezi.

© Panorama.al

Te lidhura