
Dita e dytë e konkursit, studiot në garë “Grimshaw” e “Dar” japin detaje për ndryshimet e masterplaneve.
Basha: Projekti ka impakt kombëtar. Fituesi, me miratimin e qytetarëve.
Në përzgjedhjen e projektit fitues të bulevardit dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës do të dëgjohet jo vetëm zëri i ekspertëve më të mirë vendas e ndërkombëtarë, por edhe i qytetarëve të Tiranës. Këtë garanci dha dje kryebashkiaku i Tiranës në ditën e dytë të konkursit mes dy studiove finaliste. “Ne ndodhemi shumë afër finishit të kësaj gare, e cila ka pasur si garues ndër ‘atletët’ më të shquar të arkitekturës botërore. Megjithatë, gara nuk ka përfunduar. Ne u japim sot mundësi qytetarëve të Tiranës të jenë jo thjesht pjesëmarrës, por edhe bashkëvendimmarrës në këtë vendim të jashtëzakonshëm për të ardhmen e qytetit të tyre”, tha Basha. Ai shtoi se impakti që projekti ka është një impakt kombëtar, dhe kjo është arsyeja se pse që nga gjeneza e projektit, Bashkia ka marrë inkurajimin dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare. “Në veçanti të Kryeministrit të Shqipërisë, dhe kjo është edhe arsyeja se pse si kryetar i Bashkisë unë ndihem shumë i nderuar që ai ndodhet sot këtu”, tha Basha. Arkitektët e studiove “DAR” dhe “Grimshaw” u janë përgjigjur pyetjeve të bëra nga anëtarët e grupit strategjik të Planit Urbanistik dhe pyetjeve të adresuara nga qytetarët gjatë periudhës njëmujore, që maketet u ekspozuan në Muzeun Historik Kombëtar.
Projektet finale
Studiot finaliste që në fillim kanë pasur koncepte krejtësisht të ndryshme për zgjatimin e bulevardit të Tiranës. Në prezantimin e djeshëm u bë me dije shtimi i disa elementeve të reja që lidheshin kryesisht me gjerësinë e bulevardit, menaxhimin e transportit publik, hapësirat ku do të ndërtohet, parkimet, pastrimin e lumit të Tiranës dhe hapësirat e gjelbra. Në projektin e “DAR Group Turkey & United Kingdom” bulevardi ka një pamje unike me një park brenda tij. Është linear dhe ka një vijë shikimi me perspektivë të gjatë. Në të dy krahët e bulevardit janë parashikuar ndërtime kryesisht të ulëta. Hyrja e bulevardit, ndryshe nga projekti fillestar, nuk do të ketë më dy kulla që bënin kalimin nga bulevardi i vjetër tek i riu. Ato janë zhvendosur për të mos ndërprerë vazhdimin e tij. Pastaj shtrihen qendrat tregtare, kampusi universitar dhe ndërtesa të tjera banimi e polifunksionale. Në këtë projekt bulevardi merr karakter klasik dhe monumental. Studioja e dytë, “Grimshaw Architects”, e ka konceptuar bulevardin sipas një tematike të caktuar. Bulevardi në projektin e saj nuk është linear, por është i ndarë në tri hapësira urbane në formën e xhepave ose shesheve. Kjo studio ka parashikuar ndërtimin e parkingjeve me kate. Sipas konceptit të kësaj studioje shihet edhe mundësia e njerëzve që mund të krijojnë një biznes me parkimin.
Studio “Grimshaw”

Ndryshimet në projekt
1-Zgjatje e linjave të ndërtimit duke krijuar më shumë hapësirë për banim. Kryesisht ndërtesa të strukturuara. Gjerësia e bulevardit mbetet 60 metra.
2- Krijimin e energjisë nëpërmjet përpunimit të mbetjeve. Autobus me hidrogjen që ngjitet në kodrën e Paskuqanit.
3- Ndryshime në administrimin e transportit, veç linjave të tramvajit, shtohen linja të tjera që mund të lidhin Aeroportin me qytetin.
4- Strategjia e re parkimit. Parashikohen parkingjet e makinave si ndërtesa konike me kate mbitokësore e nëntokësore. Do të ketë afërsisht 500 vende parkimi makinash. Parkimi i makinave mund të funksionojë para se të përfundojë bulevardi dhe jep mundësinë që qytetarët të krijojnë biznes me të.
5- Parashikohet ndërtimi i një zone sportive për ta vendosur Tiranën në hartën e vendeve të njohura sportive sot apo krijimin e ngjarjeve kulturore, muzikore që gjenerojnë para, duke lejuar edhe koncerte të këngëtarëve të mëdhenj, një katalizator për të gjithë zonën.
Çfarë parashikojnë tri sheshet ose xhepat përgjatë bulevardit dhe ku do të shtrihen hapësirat për ndërtim?
Hapësira e parë që nis nga Stacioni i Trenit, parashikon ndërtimin e një parku me një shesh dhe kafene përreth, që merr trajtat e një sheshi intim, por nga ana tjetër, jo me perimetër të ngushtë vizual. Në këtë hapësirë janë parashikuar edhe ndërtimi i disa godinave me funksion publik. Brezi i dytë parashikon në të dy xhepat rreth bulevardit qendra tregtare. Në hapësirën e tretë, që në njërën anë ka një park me gjelbërim, ndërsa ana tjetër ka ndërtesa me funksion publik, ku bëjnë pjesë që nga biblioteka, Bashkia e re, Opera. Edhe ndërtimet janë të ndara sipas tri hapësirave të “dhomave urbane” të planifikuara. Të gjitha ndërtimet nga Stacioni i Trenit deri tek Bregu i Lumit do të jenë të reja.
Studio “DAR”

1-Shtohen tre elementë të rinj për të krijuar facilitete përgjatë bulevardit: ndërtimi i një parku linear, ku përfshihet një formë T-je, sigurohet një sistem nga veriu në jug duke bërë lidhje me lumin në veri; Shtimi i pikave të shitjes dhe hapësirat e gjelbra.
2-Është bërë ndryshimi tredimensional që ka çuar në reduktimin e gjerësisë së bulevardit nga 170 në 100 metra. Është reduktuar buxheti duke iu përmbajtur atij të Bashkisë për ndërtimin e bulevardit, i cili është parashikuar 100– 130 euro/m2. Fillimisht gjerësia ka qenë deri në 170-210 metra dhe 700 metra e gjatë. Buxheti ishte 38–40 mln euro. Me ndryshimet që iu bënë masterplanit, kostoja arriti deri 18 mln euro duke u ulur me rreth 50%.
3-Në fillim fazat e zbatimit ishin parashikuar për një periudhë 20-25 vjet. Me rishikimin e projektit është parashikuar të ketë zbatim afatshkurtër afatmesëm dhe afatgjatë të tij.
Pika më e rëndësishme është bulevardi dhe pjesa jugore për periudhën afatshkurtër dhe më pas janë pikat e zhvillimit prioritar, ku janë zonat apo fushat me ngjyrë të kuqe, që janë esenciale dhe thelbësore. Në fazën afatgjatë parashikohet ndërtimi i kampusit universitar dhe zhvillimi i tij.
4-Lidhja e lumit me bulevardin është bërë duke shtuar disa ura për këmbësorë dhe automjete
5-Është hartuar një strategji për parkimin, e cila ka lidhje me një parkim në rrugë në dy skajet e bulevardit, dhe përgjatë tij, dy të tjerë të nëndheshëm për afatshkurtër dhe pjesa e dytë do të jetë tek sheshi gjatë fazës afatmesme.
Çfarë është parashikuar në lidhje me lartësinë e ndërtesave?
Masterplani më parë parashikonte që ndërtesat të jenë nën kufirin 10 kate apo edhe për nën 15 kate, që shihen në skajet e bulevardit. Masterplani i 2012-s ka ngjashmëri, por edhe dallime, por gjithë ndryshimi qëndron në shmangien e ndërtesave të larta në qendrën e bulevardit. Përshtypja qe se nuk ishte propozim i njohur prej njerëzve dhe ne e rishikuam, pra ndërtesat janë nga 8–10 kate e më pas ndërtesa më të larta 11–15 kate për të pasqyruar masterplanin e qytetit e, më pas, dy më të lartat në këto skaje apo në anë të bulevardit.
Berisha: I dhamë mbështetje dhe Ramës
Kryeministri Berisha ka ofruar mbështetjen e qeverisë për ndërtimin e Tiranës moderne europiane. Ai theksoi se kjo mbështetje i është dhënë edhe kryetarit para-ardhës, Edi Rama. “Qeveria ka qenë e gatshme të mbështesë edhe pararendësin tuaj, por ai kishte interesa të tjera, dhe jo ato të qytetarëve të Tiranës, ndaj dhe unë ju garantoj se do të mbështesim fuqishëm projektet e transformimit të Tiranës në një metropol europian, të denjë për shqiptarët dhe kombin shqiptar”, tha Berisha. Ai nënvizoi se kryeqyteti duhet të shprehë shpirtin dhe vokacionin e kombit. “Sot do të vendoset për Tiranën metro-pol, që me dinjitet të shëmbëllejë të bashkëpunojë me metropole të tjera europiane. Ky është kusht themelor i ekzistencës”, tha Kryeministri.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











