
S’ka shpresa për edicionin XII të Festivalit të Butrintit.
U është dashur të “modifikojnë” festivalin me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, megjithatë as kjo nuk hyri në punë. Erdhi shtatori dhe nuk ka asnjë dritë shprese që të zhvillohet Festivali i Butrintit. Qendra e Artit (institucioni që shqyrton projektet kulturore) nuk ka para, pavarësisht dëshirës së mirë për të ndihmuar. Presidenti i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “Butrinti 2000”, Alfred Bualioti, tregon se pse për të dytin vit ka ngecur zhvillimi i këtij aktiviteti prestigjioz, i cili duhet të ishte në edicionin e tij të 12-të. Varfërisë së shtetit i shtohet edhe indiferenca e komunitetit të artistëve shqiptarë, prej të cilëve Bualioti shprehet shumë i zhgënjyer dhe thotë se është “me nivelin më të ulët të mundshëm”.
Pas 11 edicionesh, por bëhet viti i dytë që Festivali i Butrintit nuk zhvillohet. Ç’ka ngjarë, cilat janë arsyet?
Kur të gjithë mendonim që pas 10 apo 11 edicioneve festival, ne do ta kishim më të lehtë për ta vijuar atë, po ndodh absurdi, që pikërisht tani ne e kemi shumë të vështirë për të vazhduar. Është i dyti vit që MTKRS nuk merr vendim për të subvencionuar këtë festival kaq të rëndësishëm. Edhe pse arsyet mund të jenë të shumta, do të përmendja vetëm dy prej tyre, që janë edhe më të prekshme: deri diku është kriza që ka prekur mbarë Europën dhe nga ana tjetër formimi i një institucioni që doli nga ligji për artin, siç ishte Qendra e Artit, nga ku do kalonin projektet kulturore. Duke mos qenë në eficencë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por edhe për shkak të burokracive pa fund kur vjen fjala për të bërë atë që duhet, çështjet janë zvarritur dhe ne figurojmë te Qendra, por pa buxhet. U bë kohë që dorëzojmë projekte, që interesohemi dhe nuk marrim dot asnjë përgjigje të vërtetë se çdo të ndodhë me këtë aktivitet të rëndësishëm.
Problemi i subvencionimit nga ana e shtetit është një çështje e vjetër tashmë. Kaq e pamundur është që të zhvillohet festivali pa të?

Është krejtësisht e pamundur, edhe me konceptin e asaj çfarë ndodh në festivalet simotra në rajon dhe kudo. Janë evente të mëdha. Nuk bëhet fjalë për aktivitete, ku me një donacion, qoftë edhe modest, për gjysmë dite ne të krijojmë një gjë të këndshme, por flitet për një javë deri në 10 ditë festival, që kërkon buxhete të mirëfillta. Skena, infrastruktura, pa folur për promovimin, janë të tilla, që kërkojnë një buxhet shumëfish më të madh se ai që ne kemi marrë në këto 10 vjet nga MTKRS. Ne kemi marrë nga MTKRS vetëm 30% të shumës që kërkon Festivali i Butrintit dhe me anë të sponsorëve është plotësuar një pjesë. Por sado që sponsorët bëjnë punën e tyre, këtu nuk ka asnjë kompani të madhe, apo filantropë të mëdhenj, që të japë shuma të mëdha për Butrintin, ta marrë atë përsipër, pavarësisht asaj që jep shteti. Dua të ndalem në faktin se për vite e vite, ligji për sponsorizimet nuk funksionon dhe jo për fajin tonë, por sepse nuk e njeh vetë shteti. Edhe sikur sponsorët të ndihmojnë, këtë e bëjnë nga dashamirësia, pasi shteti nuk ua njeh. Dhe kjo është akoma më e rëndë. Pra jemi në një situatë shumë të vështirë. Dhe të mendosh se shumat mbi të cilat ngrihen festivalet simotra në rajon, Shkup, Manastir, Budva etj. janë 10-fishi i tonave, kurse te ne bëhet fjalë për 50-60 mijë euro. Të gjithë habiten se si ia arrijmë të bëjmë festival. Megjithatë, unë kam një fije shprese se dikush do të kujtohet për Festivalin e Butrintit.
Keni në mendje ndonjë afat, apo bëhet fjalë për ndonjëherë…?
Nuk ka sesi të kem një afat, pasi e vetmja gjë që kam është optimizmi dhe një bindje që ai festival, duke pasur ato merita unike, jo vetëm për vendin tonë, duke qenë se Butrinti është një bizhu e Mesdheut, për të cilin më shumë flasin të huajt se vetë shqiptarët, do të vazhdojë. Ai është vendi që i përket teatrit, që të tjerët e ëndërrojnë. Artistët e huaj bëjnë kryqin përpara se të dalin në skenë, sepse infrastruktura, kontakti me ata gurë 2500-vjeçar, me skenën, akustikën e tij të veçantë, është tërësisht unik. Teatri i Butrintit ose të pranon, ose duhet të kesh shumë kujdes se të gllabëron. Është një tempull, ku duhet të matesh mirë para se të hysh dhe pikërisht për këtë arsye nuk duhet shkatërruar. Ai duhet të vazhdojë me apo pa mua, kjo nuk ka rëndësi. Do vijë një moment që dikush do ta kuptojë se përse duhet Festivali i Butrintit.
Meqë këtë vit çdo aktivitet ka logon e 100-vjetorit, nuk mund të përshtatej edhe Festivali i Butrintit në këtë hulli?
E vërtetë. Këtë vit, meqë është 100-vjetori i pavarësisë na u kërkua një projekt i veçantë dhe ne e ndërtuam një të tillë në tri faza. Faza e parë do të ishte në korrik, Festivali i Butrintit, i cili nuk u arrit, pasi nuk pati financim, kurse faza e dytë dhe e tretë është shtatori dhe tetori, ku parashikohen shfaqjet e veprave më të mira në ambiente të mbyllura, në mënyrë simbolike në Vlorë dhe në Tiranë. Kishim parashikuar edhe një çmim dhe besoj se do të ishte me interes si për shqiptarët dhe të huajt të vinin të jepnin shfaqje në një ambient festiv…, mirëpo jemi në fillim të shtatorit dhe nuk ka shenja as për këto dy faza. Kemi kontaktuar edhe me Qendrën e Artit dhe presidentin e saj, por buxheti aty mungon dhe si rrjedhim nuk ka mundësi të mbulohet asgjë. Do ishte mirë të jepnim disa shfaqje, por nuk jam fare optimist për këtë.
Sa e ka dëmtuar festivalin kjo ndërprerje 2-vjeçare, në raport me trupat e huaja, me të cilat ju keni marrëdhënie dhe dëshirojnë të vijnë në Butrint?
Për nga pikëpamja e dëshirës që kanë trupat për të marrë pjesë, nuk ka shkaktuar ndonjë dëm, pasi ata ruajnë kujtime mjaft të mira, në teatrot e tyre nëpër mure janë vendosur posterat e Festivalit të Butrintit, por nuk është aspak e këndshme që ne të bëhemi tragjikomikë, duke justifikuar mungesën e festivalit në dy vjet. Tashmë nuk dimë se çfarë të themi. Jemi justifikuar me krizën, me ligjet, rikonstruksionin, me përpjekjen që të arrijmë këto dhe ato nivele europiane… Kjo na ka bërë ndoshta jo fort të besueshëm tashmë.
Deri në edicionin e 11-të, Festivali po vinte duke u rritur, besoj kishit bërë të tjera projekte për të…
Ka një paradoks të çuditshëm. Kur rruga ishte e ngushtë, ne shpresonim që po të bëhej ajo, shumë gjëra do të ndryshonin, kurse tani që atje mund të vesh për 10 minuta, nuk ka më festival. Duke parë rritjen e Butrintit, mendonim që të ndihmonim në përmirësimin e rrugës që të çonte në Gjirokastër, apo në kalanë e Kaninës dhe të bënim një trekëndësh aktivitetesh Butrint-Argjiro-Kaninë, sigurisht me grupe pune të shpërndara nëpër këto qendra, duke mos mbetur vetëm te teatri, por të jepnim edhe shfaqje të tjera, si dancteatër, danc, ndonjë koncert, ndonjë operetë, pak poezi, artizanat etj. Por tashmë këto kanë mbetur vetëm në ëndrra, si ëndërr e një nate vere, si tragjikomeditë e Shekspirit. Duke kaluar vitet, sheh se Shqipëria nuk është vendi i teatrit të së ardhmes. Nuk ka interes edhe vetë komuniteti. Nuk ka eksperiment, nuk ka debat. Këtu mungon ajo çka është kaq e vyer në vendet e tjera, debati me publikun. Nuk ka interes për teatrin, nuk ka taban që ky art i madh, edukues në radhë të parë e më pas argëtues, të shkojë më larg.
Meqë përmendët komunitetin e artistëve dhe në rastin konkret për atë të teatrit, sa ka reaguar ai ndaj indiferencës institucionale karshi Festivalit të Butrintit?
Komuniteti i artistëve as reagon fare për atë dritare të mrekullueshme për ta, që është Festivali i Butrintit. Në momentin kur duhet reaguar, secili shikon punën e tij, nuk ka motiv dhe dëshirë për të bërë diçka, për të parë diçka, apo për të ndrequr diçka më mirë në punën e tyre dhe rrinë në gjendje status kuoje, qoftë sa i takon teatrit në përgjithësi, ashtu edhe për Festivalin e Butrintit. Është e çuditshme sepse tani që edhe rruga është bërë, edhe sikur autobusin t’u vësh në dispozicion, askush nuk do të ngrihej të vinte dhe të shihte festivalin. Nuk duan të lëvizin fare, nuk kanë interes dhe kjo është shumë e rëndë, çka do të thotë se në thelb komuniteti ynë ka nivelin më të ulët të mundshëm. Kjo është e padiskutueshme. Përveç disa kokrrave, që nuk e ndajnë librin nga dora, pjesa tjetër është për të ardhur keq, nuk di në lexojnë e në janë të informuar. Nga kjo rrjedh edhe indiferenca dhe dëshira për të reaguar.











