Bruksel, dy surprizat e ditës së parë të Samitit

Jun 29, 2012 | 13:38
Nga Samiti i BE-së në Bruksel

Në Bruksel ka nisur Samiti i rëndësishëm dyditor i eurozonës, i cili do të shqyrtojë kryesisht situatën në Greqi dhe kapërcimin e krizës në zonin euro, duke shqyrtuar propozimet nga të gjithë anëtarët me argumentet përkatëse. Gjatë ditës së parë të Samitit pati dy zhvillime të rëndësishme: një vendim për Greqinë dhe një për eurobonot. FMN ka pranuar të dërgojë përfaqësues në Athinë në fillim të javës së ardhshme për të diskutuar programet e kursimit dhe për të dëgjuar idetë greke mbi ndryshimet që nevojiten. Zëdhënësi i FMN-së, Xherri Rajs, tha se “objektivat e programit, siç kemi rënë dakord, mbeten baza për këto diskutime… Por nëse qeveria e re i ka idetë e qarta se si këto objektiva programesh mund të arrihen ndryshe, atëherë ne jemi të hapur për ato diskutime, ashtu siç jemi në secilin nga programet që ne mbështesim”. Surpriza e dytë ishte vendimi i Gjermanisë për të negociuar eurobonot, përkundër shkrimeve në mediat mbarëbotërore mbi shprehjen e Merkel se “Sa të jem unë gjallë, nuk ka eurobono”. Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shaubëll, tha se Berlini dëshiron të negociojë mbi eurobonot, por ka vendosur si parakusht unionin fiskal. Ndërsa Britania e Madhe, ashtu siç pritej, ka vendosur të qëndrojë jashtë debateve për zgjidhjen e krizës në eurozonë.

© Panorama.al

Te lidhura