Udhëtimet për një muaj në destinacione të tilla si Britania apo Shtetet e Bashkuara do të jenë më të lira, kjo falë fushatës promovuese të “British Airways”. Kompania gjatë një komunikimi për mediat bëri të ditur dje se duke filluar nga sot dhe deri në datë 18 gusht, biletat drejt New York fillojnë vetëm me 470 euro, vajtje-ardhje, Boston me 526 euro apo edhe qytete të tjera në Amerikën e Veriut. Ndërkaq, Londra do të mund të arrihet vetëm me 216 euro biletë vajtje-ardhje. Gjatë konferencës për shtyp, menaxherja komerciale në Shqipëri dhe Kosove e “British Airways”, Anisa Hamzaraj, si dhe menaxheri komercial për Ballkanin, Emil Delibashev, dhanë edhe detaje lidhur me pozicionimin që kompania ka sot në treg dhe synimet e saj për të ardhmen. Delibashev theksoi se kompania tashmë është konsoliduar dhe zë një vend të rëndësishëm në aviacionin global, ndërkohë që tashmë ka gati 6 miliardë paund që do t’i investojë në katër vitet e ardhshme. “Qëllimi ynë është të jemi kompania më e admirueshme që lidh qytetarët”, tha Delibashev duke shtuar se shkrirja e fundit që është bërë me kompaninë “Iberia” është një nga zhvillimet e rëndësishme për kompaninë.











