Britanikët dëshmojnë për luftën në Shqipëri

May 9, 2012 | 15:30

Një nga fotot e ekspozuara dje në ekspozitën “Erdhën britanikët”

Dita e Europës, ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare.

“Erdhën britanikët”, libra dhe fotografi të krerëve të misionit anglez gjatë LANÇ.

Për drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, nuk do të kishte një simbol më të bukur për misionin britanik në Shqipëri, sesa një parashutë e rënë nga qielli.
“Erdhën britanikët!”, nën një titull që gati tregon gazmim, si në kohërat kur ushtarakët e misionit britanik “binin nga qielli” në Shqipëri, u hap dje në ambientet e Bibliotekës Kombëtare një ekspozitë me libra-dëshmi dhe fotografi. Janë pjesë e fondit të BK-së, që siç do të thoshte Plasari, hedhin dritë dhe mbi atë pjesë të pakthjelluar mirë të Luftës së Dytë Botërore në vendin tonë. E hapur në Ditën e fitores kundër nazizmit, ekspozita i dedikohet pikërisht rolit të misionit britanik gjatë LANÇ-it. Janë një sërë titujsh, të cilët mbajnë për autorë vetë protagonistët e këtij misioni. Janë ushtarakë, oficerë e kolonelë, të cilët kanë qenë pjesë e këtij misioni dhe në kujtimet e tyre tregojnë jo vetëm kohën e qëndrimit të tyre në Shqipëri, por edhe politikat britanike dhe marrëdhëniet që ata kishin me forcat luftarake shqiptare në atë kohë, me komunistët, por edhe me Ballin Kombëtar e Legalitetin.  U mbajt gjithashtu një konferencë e shkurtër, në funksion të ekspozitës. Të pranishëm në të ishin ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, zv/ministri Abaz Hado, deputetja Raimonda Bulku, ish-Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, historianë e publicistë. Sipas ministrit Bumçi, dita e fitores

Billy Mc Lean dhe Abaz Kupi

kundër nazizmit nuk do të festohej kështu, nëse pas saj nuk do të ishte vendosur ndërtimi i Europës së Bashkuar. Ai e quajti një mrekulli atë çka ndodhi në Europën Perëndimore e që përfshiu Shqipërinë vetëm pas viteve ’90. Por fjalën kryesore e kishte i zoti i shtëpisë, prof.dr. Aurel Plasari, i cili ishte ideatori i ekspozitës.
Ekspozita-dëshmi
Plasari nuk ishte mjaftuar vetëm në nxjerrjen e atyre titujve që disponon BK mbi britanikët, por u kujdes që të informonte të pranishmit mbi veprat dhe autorët, mbi misionet e tyre në Shqipëri, por kishte nxjerrë gjithashtu prej veprave të tyre citate, që tregonin për qëndrimet e politikës britanike ndaj Luftës Antifashiste dhe marrëdhëniet e tyre me forcat politike shqiptare. Një nga autorët e pranishëm në ekspozitë ishte Julian Amery, i cili shërbente në Legatën Britanike në Beograd. Përmes librave të tij “Sons of the Eagle” dhe “Approach of march”, i cili gjendet në mikrofilm, Amery dëshmon raportin mes forcave politike shqiptare, por dhe atyre britanike. “Në Ballkan nuk kishte pasur kurrë kaq shumë vëzhgues e megjithatë, kurrë kaq shumë anglezë me përgjegjësi nuk kishin ushqyer kaq shumë iluzione për këtë rajon të përgjakur”, shkruante ai. “An Englishman in Albania”-kujtimet e një oficeri britanik 1929-1955 i Dr. Oakley Hill, sipas Plasarit sjell fakte shumë interesante mbi dështimin e misionit anglez. “One man in his time” ka në qendër kolonelin e njohur Billy MCLean. Sipas Plasarit, Enver Hoxha nuk urrente askënd më shumë se Billy-n, i cili ishte një djalë i pashëm shtatlartë, me flokë të verdhë të hedhur mbrapa. Dhe kjo urrejtje e tij ishte e pakuptueshme, në një kohë kur në tezat e tij MC Lean nuk ishte ndonjë kundërshtar i LANÇ-it. David Smiley ishte njeri më praktik, ai ishte njeri i aksionit, hidhte në erë ura dhe në librin e tij “Albania Assignement” ai

David Smiley dhe Billy Mc Lean gjatë misionit në Shqipëri

tregon se në krye të aksioneve të mëdha luftarake nuk ishin vetëm partizanët, por edhe Balli Kombëtar. “David Smiley ka ardhur në Shqipëri pas viteve ’90 dhe, për fat të keq të Enver Hoxhës, i cili me mburrje i botonte librat e tij edhe në anglisht, i kishte lexuar ato dhe ishte skandalizuar nga ato që kishte lexuar. Në një intervistë të 18 korrikut 1992, Smiley thotë “Enver Hoxha është një gënjeshtar shumë i madh””, shprehet Plasari. Në vitrinat e librave renditen edhe të tjera vepra të Peter Kemp, Churchill, Anthony Quayle, Reginalds Hibbert, por edhe shumë ushtarakëve apo politologëve të tjerë, të cilët nuk kanë vepruar vetëm në Shqipëri, por edhe në rajone të tjera të Ballkanit. Dhe përballë të gjithë këtyre librave, jo pa ironi Plasari vendos librin me kujtime të Enver Hoxhës “Rreziku anglo-amerikan në Shqipëri” dhe përsërit edhe një herë thënien e Smiley “Enver Hoxha ishte një gënjeshtar shumë i madh!”.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura