Ambasadorja britanike, Fiona McIlwham, në një reagim zyrtar për mediat, deklaroi se institucionet e Drejtësisë duhet të veprojë pa presion.Sipas saj, ndërkombëtarët janë të gatshëm të ndihmojnë, por procesi i ankesave duhet të pranohet nga palët e më pas të nisin reformat e duhura. Ambasadorja theksoi se tani veprimi qëndron te Kolegji Zgjedhor dhe Prokuroria. “Veprimi tani qëndron me Kolegjin Zgjedhor dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Unë shpresoj se atyre do t’u jepet hapësirë për të shqyrtuar çështjet pa ndërhyrje politike apo presion. Baronesha Ashton, si edhe të tjerët, e bëri të qartë javën e kaluar se procedura e ankesave duhet të jetë e drejtë, transparente, e pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues. Bashkësia ndërkombëtare është e gatshme të sigurojë mbështetje shtesë nëse kërkohet. Përfundimi i procesit të ankesave duhet të pranohet nga të gjitha palët, në mënyrë që të hiqet një vijë nën këto zgjedhje, të nxirren mësimet e duhura dhe të miratohen dhe zbatohen reformat”, tha McIlwham. Ajo nënvizoi në deklaratën e saj se ky duhet të jetë një proces i besueshëm dhe do të ishte zhgënjim i madh nëse ankesat do të hidhnin hije dyshimin në pjesën e mbetur të procesit. “Ne vazhdojmë të monitorojmë procesin zgjedhor dhe situatën politike nga afër dhe me shqetësim. Për Londrën dhe komunitetin e gjerë ndërkombëtar, ajo që ka rëndësi është një proces i besueshëm, i cili ka besimin e publikut shqiptar. Do të ishte një zhgënjim i madh në qoftë se çështjet rreth numërimit dhe ankesave do të lejohen të hedhin hije mbi pjesën e mirë të këtij procesi zgjedhor”, shtoi ambasadorja. Më tej ajo shprehet se Britania e Madhe është e interesuar që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së, me institucione, të cilat duhet të veprojnë të pavarura dhe me integritet të plotë. “Qeveria britanike dëshiron ta shohë Shqipërinë duke ecur në mënyrë të vendosur drejt anëtarësimit në BE. Shqipëria do ta arrijë këtë vetëm me institucione profesioniste, të forta, që veprojnë të pavarura dhe me integritet. Është e rëndësishme që ky proces zgjedhor të tregojë progres drejt këtij qëllimi”, përfundon deklarata zyrtare e ambasadores britanike në Tiranë, Fiona McIlwham.
Qëndrimi i SHBA
Zëvendësndihmëssekretari i Shtetit, Tomas Kantrimen, ka deklaruar se këto kanë qenë zgjedhjet më të pastra që ka bërë Shqipëria. “Mendoj se këto ishin zgjedhjet më të pastra dhe të drejta që ka parë Shqipëria në historinë e saj. Nuk dua të minimizoj problemet që u shfaqën dhe që vazhdojnë të jenë, por shoh shumë shenja pozitive në mënyrën si u zhvilluan këto zgjedhje”, ka thënë ai. Në lidhje me praktikën e ndjekur nga KQZ ai ka thënë: “Dua të vë në dukje se unë nuk po them që vendimi është i paligjshëm. Unë thjesht po them se baza ligjore nuk është e qartë për ne dhe duket se nuk është në përputhje me praktikat e mëparshme të komisioneve zgjedhore”.
Qëndrimi i BE
Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Katerin Ashton dhe komisioneri i Zgjerimit, Shtefan Fyle, kanë reaguar me një deklaratë zyrtare, duke thënë se vendimet e KQZ-së mund të këshillohen nga ekspertë të huaj, të pavarur. “Një mundësi që mund të merret në konsideratë është që të kërkohet këshillim nga jashtë, i pavarur, për vendimet e debatuara të KQZ-së. Interesi i vendit dhe vazhdimësia e procesit të integrimit europian duhet të mbizotërojë para interesave partiake. Udhëheqësit politikë duhet të jenë në lartësinë e aspiratave europiane dhe demokratike të qytetarëve shqiptarë”, shprehen zyrtarët e lartë të Komisionit Europian, Ashton dhe Fyle.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











