Britania: Politikanët duhet të demonstrojnë pjekuri demokratike

Jun 9, 2011 | 10:31

Ministri britanik për Europën, David Lidington, viziton sot Tiranën zyrtare për të dhënë mesazhin e pjekurisë politike për liderët shqiptarë. Në një njoftim zyrtar të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Tiranë thuhet se ministri britanik do të takojë gjithë faktorin politik shqiptar, ku çështja e diskutimeve pritet të jetë situata pas zgjedhjeve lokale dhe sfidat e ardhme të Shqipërisë. Në një deklaratë zyrtare të bërë në vigjilje të kësaj vizite, ministri britanik Lidington shprehet se ky është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë. Sipas tij, Britania e Madhe mbështet vendin tonë për integrimin e plotë në BE, ndërsa pret nga politikanët dhe institucionet më shumë pjekuri demokratike. “Ky është një moment i rëndësishëm për Shqipërinë. Mbretëria e Bashkuar mbështet fuqimisht dëshirën e Shqipërisë për t’u bashkuar me BE-në. Megjithatë, për të përparuar më tej, është me rëndësi që politikanët dhe institucionet shqiptare të demonstrojnë pjekurinë e tyre demokratike dhe kredencialet europiane. Unë pres që të diskutoj këtë axhendë me partnerët shqiptarë në Tiranë”, deklaroi Lidington, një ditë para ardhjes në Tiranë. Kjo është vizita e parë e Lidingtonit në Shqipëri që kur ai u bë ministër në maj 2010. Ai do të takohet me Presidentin, Kryeministrin, ministrin e Punëve të Jashtme dhe kreun e opozitës, për të diskutuar mbi gjendjen politike, axhendën e reformave të BE-së dhe prioritetet e Mbretërisë së Bashkuar për sundimin e ligjit. Ai do të bëjë gjithashtu një takim të shkurtër me prokuroren e Përgjithshme. Lidington vjen me ftesë të ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto. Britania e Madhe ka shprehur qartë interesin e saj për Shqipërinë dhe veçanërisht për zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 8 majit. Përmes një deklarate për mediat, lëshuar nga vete ambasadorja ditë më parë, theksohet se “ne vazhdojmë të monitorojmë procesin zgjedhor dhe situatën politike nga afër dhe me shqetësim”. Sipas saj, për Londrën dhe komunitetin e gjerë ndërkombëtar, ajo që ka rëndësi është një proces i besueshëm, i cili ka besimin e publikut shqiptar. “Do të ishte një zhgënjim i madh në qoftë se çështjet rreth numërimit dhe ankesave do të lejohen të hedhin hije mbi pjesën e mirë të këtij procesi zgjedhor”, theksohet në deklaratë.

Sot mblidhet Kuvendi, mungon PS

Kuvendi mblidhet sërish sot pa praninë e opozitës së majtë, ndërsa në axhendë ka një sërë projektligjet për të miratuar. Mësohet se sot do të miratohet dhënia me koncesion e disa hidrocentraleve publike, gjë që PS e ka kundërshtuar fort, por do të mungojë në Kuvend. Njëkohësisht në axhendë do të jetë diskutimi i disa raporteve dhe projektligjeve për mjedisin. Pritet të miratohet projektligji “Për lejet e mjedisit” dhe “Për mbrojtjen e mjedisit”. Gjatë diskutimit në komisione parlamentare ato janë vlerësuar dhe ndjekur nga Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë, në kuadër të strategjisë për antikorrupsionin në Ministrinë e Mjedisit, mbështetur e financuar nga AMSHC.  Projektligjet synojnë parandalimin, pakësimin dhe mbajtjen nën kontroll të ndotjes së shkaktuar nga disa kategori veprimtarish, në mënyrë që të arrihet një nivel i lartë i mbrojtjes së mjedisit në tërësi, shëndetit të njeriut dhe cilësisë së jetës.

© Panorama.al

Te lidhura