Britani, shqiptari rrezikon shkëputjen nga familja

Jun 20, 2012 | 14:47
Ilirian Mehmetaj me gruan Kelli Uard dhe vajza Sofia

Një kamerier shqiptar, i cili u martua me një studente britanike 23-vjeçare, me të cilën tani ka edhe një fëmijë, rrezikon të kthehet në Shqipëri, duke paraqitur rastin konkret të ashpërsimit të politikave britanike të emigracionit. Ilirjan Mehmetaj, 33 vjeç, humbi betejën e parë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Britani. Ai i kishte propozuar Kelli Uardit, pasi e kishte takuar në një resort grek, ku ai punonte kamerier. Më pas, Mehmetaj u zhvendos në Angli pasi siguroi një vizë turistike gjashtëmujore dhe u martua me të dashurën e tij, kur ajo mësoi se ishte katërmuajshe shtatzënë. Ai aplikoi për leje më të gjatë qëndrimi, për të jetuar me familjen e tij të re, me gruan dhe vajzën e vogël Sofia. Por megjithëse argumentoi se me deportimin e tij shkelej neni 8 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, Agjencia Kufitare e refuzoi kërkesën e tij. Ata theksuan se Sofia nuk kishte lindur ende kur ata kishin bërë kërkesën fillestare. Çifti e ka ripërsëritur kërkesën e leje-qëndrimit dhe tashmë janë në pritje të një vendimi nga agjencia e emigracionit, të cilët kanë refuzuar të komentojnë rastin për shkak të ligjit të mbrojtjes së të dhënave. Romanca e kamerierit shqiptar me vajzën britanike është krahasuar në mediat britanike me historinë e filmit “Shirley Valentine”.

© Panorama.al

Te lidhura