
Një grua ka mbyllur burrin e saj në dollap dhe e ka lënë të dalë prej aty vetëm për të bërë seks. Arsyeja nuk është keqtrajtimi, por e mbante të fshehur nga policia, pasi ai ishte arratisur nga burgu për t’i plotësuar asaj dëshirën më të madhe, shtatzëninë.Burri, i dënuar për vrasje ishte arratisur gjatë orës së lirë prej tri ditësh. Ai jetonte në dollap, pasi i druhej edhe sinjalizimit të fqinjëve, por edhe pse e dinte se shtëpia e tij do të ishte vendi i parë ku do ta kërkonin, besonte se dollapi do të ishte një strehë e mirë. Sigurisht që ka qenë këmbëngulja e gruas për të bindur burrin të arratisej nga burgu. Kler Tomas, 40 vjeçe, ishte “e dëshpëruar” për një fëmijë, pasi burri i saj Vyndam Tomas, duhej të qëndronte pas hekurave edhe për 12 vjet. Znj. Tomas tha në një gjykatë britanike se e kishte fshehur atë në një dollap-magazinimi në shtëpinë e tyre në Kerfilly, South Ueils. Tomas, 33 vjeç, dilte nga dollapi vetëm për të kryer seks me Klerën, me shpresën se ajo do të mbetej shtatzënë përpara se ai të ishte kapur. Por policia erdhi për ta kërkuar dhe e kishte gjetur. Avokatja mbrojtëse e gruas tha se gjykata duhej të merrte parasysh dëshirën e dëshpëruar të saj për të pasur një fëmijë me bashkëshortin. Sa për dijeni, zonja Tomas nuk mundi të mbeste shtatzënë. Zoti Tomas u dërgua në një burg më të sigurt. Kler u deklarua fajtore në Gjykatën e Njuportit, për strehimin e një të burgosuri në arrati. Gjyqtarja Eleri Ris e dënoi atë për 24 javë burgim dhe 18 muaj kusht. Gjyqtarja Ris tha se ajo ka pranuar faktin se ata ishin të shqetësuar për të pasur fëmijë, por “aventura e pamend i kishte shtyrë planet e tyre prapa”. Ajo tha: “Vyndam Tomas ka paguar një çmim shumë të lartë për këtë dhe i copëtoi të gjitha shpresat për disa vite, për të rifituar lirinë. Kjo, sigurisht, do të thotë se edhe ju duhet të dënoheni në këtë mënyrë”.











