Breshëri në fshat ndaj dy 17-vjeçarëve, njëri vritet

Sep 5, 2012 | 12:34

Policia në vendin ku ndodhi vrasja mbrëmë

LEZHE/ Makina qëlloi në ecje. Viktima gjimnazist, i plagosuri emigrant.

Plumba me breshëri ndaj dy 17-vjeçarëve, njëri vdes, ndërsa tjetri ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Lezhës. Viktima është Daniel Bardhoci nga Kallmeti, i cili pas pak ditësh futej në vitin e tretë në gjimnazin e fshatit të tij. Ai gjeti vdekjen e menjëhershme nga plumbat që i përshkuan gjoksin. Ndërsa shoku i tij, Valdo Marku, është në rrezik për jetën, pasi është qëlluar me dy plumba. Siç mësohet, i plagosuri është nga Kallmeti, por jetonte me familjen e tij në Greqi dhe kishte vetëm dy javë që ishte kthyer me pushime te të afërmit në Lezhë. Breshëria e armëve mbrëmjen e djeshme në qendër të fshatit Blinisht ka terrorizuar banorët. Ngjarja ka pasur edhe dëshmitarë, deklaratat e të cilëve kanë ndihmuar policinë në identifikimin e autorëve. Deri në orët e vona, blutë e Lezhës, në krye të të cilëve ishte edhe vetë kreu i Policisë, Muharrem Furriku, kanë krehur të gjithë zonën përreth fshatit për kapjen e të dyshuarve. Burime të Policisë thanë se dyshimet për autorësinë janë përqendruar te dy të rinj të tjerë nga ky fshat, të cilët janë moshatarë me viktimat. Por për arsye hetimi, emrat e tyre nuk u bënë të ditur. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, dy djemtë 17-vjeçarë, shokë me njëri-tjetrin, kanë qenë duke ecur në këmbë në mes të fshatit. Papritmas një makinë është afruar drejt tyre dhe në ecje e sipër ata janë qëlluar me dy armë të ndryshme. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se armët kanë qenë një kallashnikov dhe një pistoletë. Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhjetëra gëzhoja, çka konfirmon breshërinë e armës automatike, por edhe gëzhoja të tjera të pistoletës. Policia nuk bëri të ditur detaje të hollësishme rreth motivit të mundshëm të ngjarjes. Por paraprakisht mësohet se viktimat kanë shkuar në fshatin kufitar, Blinisht, në orët e darkës. Burime të Policisë thanë se nga hetimet e kryera ka rezultuar se djemtë e fshatit Blinisht janë konfliktuar me viktimat, duke pretenduar se “zotër” në fshatin e tyre ishin vetë dhe u kanë kërkuar të largohen nga fshati i tyre. Ende nuk është përcaktuar se sa persona kanë qenë në makinën e krimit. Por dyshohet se kanë qenë më shumë se dy. Dyshohet se një nga autorët ka mbetur i plagosur në ngjarje.

LEZHE/ GJERGJ FIGURI

© Panorama.al

Te lidhura