Ish-mbrojtësi i Bajernit, Breno, është dënuar me 3.9 vite burg nga Gjykata e Mynihut për zjarrvënie të qëllimshme të shtëpisë shtatorin e vitit të shkuar, duke vënë në rrezik jetën e familjes dhe menaxherit të tij. Në rast se dënimi i brazilianit do kishte qenë më i ulët se 2 vjet, futbollisti do kishte pasur mundësi të luante me kusht. Për rrjedhojë, tani klubi i Lacios duhet të kërkojë një mbrojtës të ri. Gjykata e Mynihut e shpalli fajtor të akuzuarin që shkatërroi vilën e tij në zonën rezidenciale të “Grynwald”-it, në hyrje të qytetit bavarez. Akuza kërkoi 5.5 vite burg, ndërkohë që pala mbrojtëse shpresonte në një dënim shumë herë më të lehtë, që t’i mundësonte 22-vjeçarit të mos e rrezikonte karrierën. Me një fytyrë të dëshpëruar në momentin e dhënies së verdiktit nga gjykatësi Rosi Datcman, Breno u shoqërua nga oficerët e policisë drejt e në qeli. Sipas avokatit të ish-yllit të San Paolos, zjarrvënia e vilës së marrë me qira kishte ardhur pas një sherri me bashkëshorten e tij dhe ishte aksidental. Gruaja dhe fëmijët e Brenos fatmirësisht patën kohë të largoheshin nga shtëpia. Avokati mbrojtës, Verner Laitner, ritheksoi edhe një herë se problemet me alkoolin e kishin shkatërruar klientin e tij, ndaj kërkoi mëshirën e jurisë për t’i dhënë një tjetër shans Brenos. Ai shtoi gjithashtu se ilaçi i gjumit lojtarit i jepej nga vetë mjekët e Bajernit.











